Në ditët e sotme, planifikimi i daljes në pension, po merr gjithnjë e më shumë vëmendje. Studimet e kryera kanë treguar se realizimi i një planifikimi ka sjellë ndikime si në sjelljen e kursimit, ashtu edhe në përzgjedhjen e portofolit. Gjithashtu, nga studiuesit në këtë fushë, është theksuar se ka disa faktorë mjaft të rëndësishëm të cilët ndihmojnë në planifikimin e sjelljes së daljes në pension.
Studimi i pedagoges së Universitetit Europian të Tiranës Elona Shehu dhe studentes së saj, Blerta Molishti, botuar në numrin e ri të revistës shkencore “Economicus” -botim i Fakultetit Ekonomik në UET -e vendos këtë teori në kornizë të studimit të sjelljes së individëve, të ndarë në grupmosha të ndryshme, lidhur me gatishmërinë që ata kanë për planifikimin e daljes në pension. Skema e Pensionit në Shqipëri ka kaluar nëpër shumë pengesa, të lidhura me politikëbërjen.
Ndonëse punimi nuk merret qasjen e politikëbërjes apo efikasitetin e skemës së pensioneve, ai synon të analizojë gjendjen financiare të sjelljes së individëve që planifikojnë të dalin në pension. Krishna Moorthy dhe studiues të tjerë kanë nxjerrë rezultate përfundimtare që tregojnë se grupmosha të ndryshme të individëve të punësuar priren të kenë këndvështrime për gatishmërinë për pension dhe shumë individë kanë arritur të kuptojnë se rëndësia e planifikimit më herët në jetën e tyre u ndikua nga tre faktorë që përfshinin mjedisin, individët dhe psikologjinë.
Anketimi
Faktorët e theksuar nga hulumtimi janë: njohuritë financiare, qëndrimi ndaj kursimit dhe orientimi për të ardhmen. Studimi u bazua në një pyetësor, prej 15 pyetjesh, të cilit iu përgjigjën 164 persona. Kampioni i anketuar ishte i balancuar nga pikëpamja gjinore me 82 femra dhe 82 meshkuj e po ashtu edhe në shpërndarjen e moshës e formimit arsimor. Rreth 10 përqind e të anketuarve kishin një bazë arsimore; rreth 31 përqind kishin përfunduar një diplomë bachelor; 48 përqind kishin përfunduar një diplomë master dhe rreth 11 përqind kishin një sfond arsimor të përmirësuar dhe kanë përfunduar doktoraturën ose programe të tjera.
Nga rezultatet e mbledhura, pjesëmarrja e të anketuarve përbëhej si nga individë me profil financiar ashtu edhe nga ata që nuk kanë një profil financiar. Individët u pyetën për të ardhurat mujore. Referuar raportit të INSTAT, ku paga mesatare në Shqipëri është rreth 54.000 lekë, ky artikull zbulon se 20 përqind e të anketuarve kanë të ardhura nën mesatare; 41 përqind kanë të ardhura mesatare dhe 39 përqind kanë të ardhura më të larta se mesatare. Duke marrë parasysh sfondin arsimor të të anketuarve, gjetjet janë në
në përputhje me pritshmërinë që sa më i lartë të jetë formimi arsimor, aq më të larta të ardhurat mujore të krijuara. Për sa i përket edukimit financiar, shumica e këtij kampioni kanë njohuri financiare.
Frikë dhe pasiguri tek qeveria
Skemat e para të sigurimeve shoqërore nisën të projektoheshin në fund të shekullit të 19-të. Nismëtari ishte Kancelari gjerman Otto von Bismarck, i cili projektoi sistemin e parë të pensionit të shtetit më 1881, i cili do të zbatohej vetëm një dekadë më vonë. Kjo skemë, e cila në literaturën ndërkombëtare njihet me termin “Pay-As-You-Go”, kishte për qëllim të rriste mirëqenien e punëtorëve, duke synuar operimin e ekonomisë, me efikasitet maksimal. Kontributi në këto skema ishte i detyrueshëm për punëtorët dhe në mënyra të ndryshme, fondet siguroheshin drejtpërdrejt nga fondet e qeverisë.
Pas viteve ’90, Shqipëria bëri ndryshime të mira në drejtim të politikave të sigurimeve shoqërore. Në vitin 1992 Shqipëria mundësoi kuadrin ligjor të nevojshëm për funksionimin e një skeme shtetërore sipas modelit PAYG. Më vonë kjo çoi në themelimin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, si institucion përgjegjës për mbledhje të kontributeve dhe shpërndarjen e këtyre fondeve për përfituesit e skemës, duke menaxhuar në këtë mënyrë të gjithë politikën e sigurimeve shoqërore të vendit. Kjo skemë e pensionit shtetëror bazohet në parimin Pay-As-You-Go, i cili kërkon që punëtorët të paguajnë kontribute në bazë të të ardhurave aktuale. Këto kontribute përdoren për pagesat për përfituesit aktualë.
Kontribuuesi merr vetëm një premtim nga qeveria se do t’u paguhen të ardhurat e pensioni, kur të arrijnë në moshën e pensionit. Sipas një botimi të Gjergji et.al më 2011, tri arsyet kryesore që shpjegojnë joefikasitetin e sistemit të pensioneve në Shqipëri lidhen me rritjen e jetëgjatësisë dhe uljen e nivelit të kontribuuesve në skemën PAYG, ndërhyrjen joprofesionale të qeverisë vetëm për përfitime politike, si edhe nivelet e larta të informalitetit në tregun e punës. Për shkak të pasigurisë së individëve në aftësinë e qeverisë për t’iu ofruar standarde më të mira të jetesës në pleqëri, për shkak të raportit të kontribuuesve dhe përfituesve dhe për shkak të kthimit të ulët të kësaj skeme, individët shqetësohen në lidhje me planifikimin e daljes në pension. Për më tepër, shumica e tyre po marrin gjithnjë e më shumë në konsideratë skema private të pensioneve, ose llogaritë individuale të kursimit.
Gjetjet e Pyetësorit
Rezultatet e pyetësorit treguan se niveli i informacionit për skemën e pensioneve është
nën mesataren për vetëm 17 përqind të të anketuarve. Shumica e tyre e konsiderojnë veten të informuar mirë për mënyrën se si funksionon skema e pensioneve në Shqipëri. Megjithatë, pasi u
pyetën se sa nga paga e tyre bruto shkon për sigurimet shoqërore 78 përqind e tyre, dhanë informacion të saktë.
Të anketuarit u testuan edhe për njohuritë e tyre rreth instrumenteve financiare dhe cilat nga ato përdorin zakonisht. Rreth 90 përqind e të anketuarve janë në dijeni të instrumenteve financiare dhe kanë njohuri të përgjithshme për rreziqet financiare (inflacioni, investimet etj.,) dhe shumica
prej tyre njihen me obligacionet dhe depozitat e thesarit. Perspektiva afatgjatë në planin e pensionit doli të jetë e rëndësishme për të gjithë kampionin. 92 përqind e të anketuarve kanë një qëndrim kursimtar dhe kanë konfirmuar se kanë një plan kursimi për pension dhe 60 kursejnë më shumë se 10 përqind të të ardhurave mujore.
Nga rezultatet e analizës, dëshmohet se faktorë si: edukimi financiar, orientimi në të ardhmen, qëndrimi kursimtar kanë një ndikim të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershëm, për planifikimin e daljes në pension. Analiza konfirmoi se njohuritë financiare i udhëheqin individët në veprimtari, të cilat synojnë një planifikim të mirë financiar, që edhe i ndihmon ata në ruajtjen e një standardi të pëlqyeshëm jetese gjatë dhe pas pjesëmarrjes së fuqisë punëtore.
Orientimi në të ardhmen rezultoi nga të anketuarit si element shumë i rëndësishëm, pasi të kesh një vizualizim të perspektivës së ardhshme krijon më shumë lehtësi në qëndrimin kursimtar. Qëndrimi ndaj kursimeve tregon një marrëdhënie pozitive me sjelljen e planifikimit financiar, sepse pasja e një plani kursimi shpreh qëndrimin e individëve për t’u përballur me pasiguritë e në këtë rast, tregon një gatishmëri për pension. Studimi i një karakteri socio-demografik, siç është mosha, shërbeu për të kuptuar ndryshimin në sjellje, që tregon secila nga grupmoshat e pyetura. Si përfundim, individët e grupmoshës 36-50 vjeç kanë një këndvështrim më të qartë për të ardhmen dhe nga pyetësori u vu re se kanë një plan të mirë kursimi.
Dy autoret e studimit, Shehu dhe Molishti, rekomandojnë se personat përgjegjës apo profesionistët në fushën e planifikimit financiar duhet të bëjnë më shumë përpjekje për krijimin e programeve specifike që synojnë rritjen e edukimit financiar, në moshë më të re. “Ne sugjerojmë që edukimi financiar duhet të jetë pjesë e kurrikulave dhe programeve të studimit në shkollën e mesme dhe më e pranishme për palët e interesuara”, shprehen autoret e studimit.
Njohuria më e mirë financiare, vetëdija për pasiguritë dhe aftësia për të marrë vendime të drejta, ndihmon drejt një standardi më të mirë jetese dhe planifikimin e daljes në pension.