Rakip Suli e pati të vështirë rrugën për në Bashkinë e Kamzës. Ai arriti të hyjë në këtë institucion vetëm pas orës 16:30 kur prej aty ishte larguar Xhelal Mziu dhe protestuesit e djathtë. Mbështetësit e Sulit dhe të PS-së thyen derën e bashkisë për të hyrë brenda.
Kryebashkiaku i ri i Kamzës, Rakip Suli gjënë e parë që ka bërë sapo ka hyrë në zyrë ka ndryshuar karrigen, duke refuzuar të ulet në karrigen e bardhë të Xhelal Mziut. Sakaq nga pamjet shihen raftet bosh e kryebashkiakut. Me gjasë Mziu ka marrë prejt andej gjithë dosjet apo materialet e tjera të punës.
Suli u shpreh se “nuk më shqetësonin zyrat. Unë nuk do merrem me zyrat, por hallet dhe problemet që i shqetësojnë nga mëngjesi në darkë qytetarët. Në këtë bashki ka munguar çdo lloj shërbimi. Unë do jem kryebashkiak për të gjithë qytetarët e Kamzës të majtë dhe të djathtë. Vendimi i parë i imi ka të bëjë më marrjen e masave për kopshtet dhe shkollat për vitin e ri shkollor, pastrimi i Kamzës dhe vënia e administratës në shërbim të njerëzve”.
Sakaq, nënkryetari i bashkisë së Kamzës, Tomor Kotarja e quajti ilegjitim emërimin e Rakipi Sulit si kryetar bashkie dhe shtoi se uzurpatorët do të marrin përgjigjen e merituar.
“Kryetari i ri i emëruar është ilegjitim. Sot është një ditë e zezë për demokracinë. Paligjshmëria po kthehet në ligj. 30 qershori ishte nul. Xhelal Mziu është në krye të detyrës. Qytetarët nuk e meritojnë këtë farsë. Uzurpatorët do të marrin përgjigjen e merituar”, u shpreh Kotarja.
Lexo edhe:
Mziu: Vidhet forcërisht nga socialistët institucioni i Bashkisë
FOTO/ Thyhet dera, PS-ja merr Bashkinë e Kamzës pasi u largua Mziu