Mediat ndërkombëtare raportojnë se një sulm kibernetik ka goditur faqet kryesore të qeverisë dhe institucioneve të tjera, në Ukrainë gjatë orëve të fundit.
Sipas agjencisë së lajmeve ruse, Tass, objektiv i këtyre sulmeve ka qenë faqja e Ministrisë së Brendshme ukrainase si dhe bankat PrivatBank dhe OshadBank.
Po ashtu, dhe uebfaqja e Ministrisë së Mbrojtjes së vendit gjithashtu raportohet se ka rënë.
Qendra për Komunikime Strategjike dhe Siguri të Informacionit të Ukrainës, e njohur si Qendra Stratcom, konfirmoi se aplikacioni PrivatBank nuk funksionon për disa përdorues.
Ky sulm vjen në një kohë kur ishte paralajmëruar se para një pushtimi, Rusia mund të niste si fillim një sulm kibernetik ndaj Ukrainës.
Tensionet midis dy vendeve kanë arritur në kulm ndërsa perspektiva e një pushtimi të plotë po afrohet. Ushtarët rusë testuan sot sistemin raketor OTR-21 Tochka-U pranë kufirit të Ukrainës, si pjesë e stërvitjeve të përbashkëta ushtarake me Bjellorusinë.