Kryeministri Edi Rama ka folur edhe për debatin që ka shpërthyer së fundmi mbi veprimtarinë e Institutit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. Nga takimi me veteranët e luftës anti-fashiste, kreu i qeverisë tha se veprimtaria e këtij instituti nuk mund të shtrihet përpara datës 29 nëntor 1944. “Ajo se çfarë ka ndodhur përpara asaj date nuk mund të jetë kurrë objekt i një instituti që paguhet nga taksat e shqiptarëve”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë tha se do ta bënte sërish ceremoninë për Mit’hat Frashërin, duke shtuar se nuk i beson historisë së shkruar nga fitimtarët. “Unë do ta bëja prapë, njësoj ceremoninë për Mid’hat Frashërit. Jo sepse unë kam ndonjë dilemë lidhur me kufirin që ndan qartësisht patriotët nga bashkëpunëtorët e nazizmit, por unë nuk i besoj historisë së shkruar nga fitimtarët.
I besoj domosdoshmërisë që ne ta kapërcejmë atë histori duke mos rënë kurrë në grackën e asnjë rehabilitimi të bashkëpunëtorëve të fashizmit dhe nazizmit si dhe duke mos lejuar atë që me të drejtë u tha këtu që në emër të studimeve të krimeve të komunizmit të cenohet një fije floku cilitdo që mori armën për të luftuar nazistët dhe fashistët.
Qëndrimi im është shumë i qartë. Çfarë ndodhi dhe si ndodhi deri më 29 nëntor 1944 nuk mund të jetë kurrë objekt i një instituti që paguhet nga taksat e shqiptarëve. Çfarë erdhi pas ka qenë objekt i punës së atij instituti dhe i takon Kuvendit të Shqipërisë të bëjë të gjitha vlerësimet e nevojshme në raport me ligjin apo shkeljen e ligjit, në raport me dobinë apo dëmin e shkaktuar nga një institut i tillë.
Më lejoni t’ju them vetëm një gjë: nuk e vlerësojmë si duhet luftën dhe gjakun e dëshmorëve, nëse u hymë në hak kujtdo që ka qenë në një pozicion të ndryshëm dhe ka sulmuar të njëjtën gjë; çlirimin e vendit nga okupatorët e huaj. Vija është e qartë. Nuk ka asnjë ekuivok. Ne kurrë nuk do të jemi si socialistë të gatshëm të mbyllim sytë përpara asnjë vepre kolaboracioniszmi dhe kolaboracionisti që pikërisht se ka hyrë në rrugën qore, nuk ka vend në nderimet tona.
E vërteta është pak më komplekse dhe është mirë që sot t’i ndajmë me sa mundemi që të mos ua trashëgojmë brezave të tjerë, asgjë nga e keqja që regjimi komunist futi”, tha Rama.
Edhe eshte i vendosur per Mitat frasherin dhe ne duhet ta rivotojme? Me mire djepja bosh se shejtani Brenda. Poshte edi rama.