Pas notës së protestës që Parisi zyrtar dorëzoi në Ministrinë e Jashtme përmes ambasadës në Tiranë, lidhur me akuzat se Franca mban vaksinat anti-covid stok dhe nuk ua jep vendeve në nevojë, Edi Rama u shpreh se i qëndron asaj që ka thënë me pikë e me presje. Madje, shefi i qeverisë akuzon sërish Francën se gaboi për të dytën herë, duke nxjerrë nga konteksti qëndrimin e tij. Këto reagime, Edi Rama i bëri përmes komenteve në rrjetin social.
Kryeministri Edi Rama ka akuzuar Francen se ka gabuar dy herë, një herë duke mbajtur vaksinat stok duke mos iu ofruar ndihmë vendeve të Ballkanit dhe herën e dytë duke nxjerrë deklaratën e tij nga konteksti. Kështu ai nuk ka bërë asnjë hap pas ndaj deklaratave të tij pas notës së protestës që ambasada e një prej vendeve më të rëndësishme në BE bëri dy ditë më parë duke i cilësuar qendrimet e Ramës të pavërteta dhe të pavend për një vend mik dhe aleat.
Kreu i rilindjes ka zgjedhur t’i përgjigjet Francës me anë të komenteve ndaj qytetarëve në faqen e tij të Facebook-ut duke e cilësuar një “gabim të dytë” reagimin francez. Në përgjigjen e tij për qytetarët, Rama thotë se nuk ka sulmuar as një mik, aq më pak Francën, ndërsa shton se Ambasada Franceze gaboi duke e nxjerrë nga konteksti atë që ai kishte thënë.
“Unë nuk kam sulmuar asnjë aleat dhe aq më pak Francën në rastin konkret! As nuk e kam harruar dhe nuk e harroj që Bashkimi Europian e ka ndihmuar Shqipërinë, qysh se vendi ynë doli nga burgu i diktaturës e deri më sot. Përkundrazi, e kam çmuar dhe e çmoj pa lëkundje Bashkimin Europian, për një mijë e një arsye, përfshirë pa dyshim edhe ndihmën e paçmuar që i jep Shqipërisë tash 30 vjet.
Unë kam folur për një çështje konkrete në një situatë konkrete, lidhur me vaksinën dhe nuk i heq asnjë presje atyre që kam thënë! Lënia jashtë e vendeve të rajonit tonë në shpërndarjen e vaksinës kundër Covidit nga ana e BE, nuk ka asnjë justifikim në asnjë plan dhe këtë e kupton çdokush që bën sikur s’kupton!
Ndërsa ankesa e ambasadës franceze meqë unë e ilustrova opinionin tim duke sjellë shembullin e Francës (siç mund të sillja edhe shembuj të tjerë) është pa lidhje me qëndrimin tim dhe konkretisht edhe me sjelljen e shembullit të Francës, për të ilustruar idenë se nuk kishte pse të mos u jepeshin edhe vendeve tona disa doza për mjekët të paktën, kur ato s’mund të përdoren të tëra menjëherë në asnjë vend të BE!
Ankesa e ambasadës franceze nuk ndryshon asgjë në asnjë drejtim, ashtu siç e drejta për të menduar ndryshe vlen si gjithnjë njësoj si për Francën edhe për Shqipërinë në këtë rast; si për hartuesit e ankesës në emër të Francës, si për mua që flas në emër të Shqipërisë.
Por ty të them miqësisht se duke e nxjerrë nga konteksti ankesën e ambasadës franceze, gabon njësoj siç gaboi ambasada franceze duke nxjerrë nga konteksti ato që thashë! Madje në fakt gabon edhe më keq, sepse flet jo vetëm pa lidhje me ankesën konkretisht, po edhe thua gjëra pa lidhje”, komenton Rama.
Duke krahasuar miqësinë e vendeve me miqësinë mes dy njerëzve ai shton se “një fjalë e bukur popullore thotë se miqësia e vërtetë nuk i ka të gjitha fjalët prej mjalti, kështu që as ti mos u mërzit, as ambasada s’ka pse mërzitet, se unë jo e jo, çfarë nuk dëgjoj po nuk mërzitem”.
Në letrën drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme përfaqësia diplomatike e Francës në Tiranë ka tërhequr vëmendjen për qëndrimet e kryeministrit Edi Rama, i cili ka sulmuar vendet e BE-së, sa i takon çështjes së vaksinave. Ambasada i kujton kryeministrit shqiptar se BE është ndihmuesi më i madh i vendit tonë, me 100 milionë euro çdo vit, që financohen në sektorë të ndryshëm të vendit.
“Mbrëmë në një transmetim televiziv, Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë akuzoi qartë vendet anëtare të Bashkimit Evropian për egoizëm dhe cinizëm. Kjo ambasadë kujton se çdo vit, BE është donatori më i madh në Shqipëri me më shumë se 100 milionë euro në sektorë të ndryshëm.
Më pas, vjen ndihma e Bashkimit Europian gjatë pandemisë së Covid-19. Të gjithë e kanë parë sasinë e pajisjeve mjekësore. Unë vetë kam bërë shtatë dhurime pajisjesh, që u kanë mundësuar shqiptarëve ta përballojnë këtë periudhë. Pastaj Plani Ekonomik dhe i Investimeve, me 9 miliardë euro për tri vitet e ardhshme.
Në çastin kur nisi vaksinimi, ndryshe nga partnerët e tjerë, Bashkimi Europian nuk e mbylli derën për ndihmën me vaksinimin, përkundrazi, vuri menjëherë në dispozicion 70 milionë euro që janë të disponueshme për vendet e rajonit, përfshirë Shqipërinë, që do të marrë një sasi të rëndësishme të kësaj kuote, për t’u siguruar që Shtetet tona Anëtare që dëshirojnë ta bëjnë këtë mund t’i përdornin këto para për t’ia dhuruar apo rishitur vaksinën Shqipërisë”, shkruhet në letrën franceze.
Duke iu referuar deklaratës së Ramës ambasada shprehet se “përveç natyrës të pavërtetë të këtij informacioni, por që mund të jetë shumë i ndjeshëm për mendjet e njerëzve, kjo ambasade konsideron se nuk është e përshtatshme të sulmosh në këtë mënyrë nominative një vend mik dhe aleat”.
Diplomacia franceze i kujton Ramës se Komisioni Europian ka njoftuar se portofoli global i BE-së prej 2.3 miliardë dozash nuk ishte vetëm për BE por edhe për vendet fqinje. Financimi u sigurua për vendet e Ballkanit Perëndimor me 70 milionë euro nga programi IPA.
Lufta për vaksinën
Vaksinimi anti-covid është sfida më e vërtetë me të cilën po përballen qeveritë e të gjitha vendeve me fillimin e 2021-it. Shqipëria është shumë mbrapa me sigurimin e vaksinës duke ngecur vetëm në sigurimin e 975 dozave, por kryeministri Edi Rama ka gjetur menjëherë “armikun” e radhës për të drejtuar vëmendjen e publikut, madje duke guxuar dhe të vihet kundër BE-së.
Ai sulmoi Bashkimin Europian dhe veçanërisht Francën se nuk e kanë ndihmuar Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit me sigurimin e vaksinave, ndërkohë që i mbajnë stok. “S’kemi nevojë për paratë e BE sepse kemi parapaguar. Mbase më ka keqkuptuar, ambasadori Soreca, por nuk i heq asnjë presje kritikave që kam bërë ndaj Bashkimit Europian.
Soreca është përfaqësuesi i KE dhe unë kritikat ua bërë disa vendeve të BE që egoizmin e kanë kthyer në sistem. Nuk i kushtonte asgjë. Franca ka bërë pak mijëra, ndërkohë që ka shumë më tepër. Ç’kuptim ka të kesh stok dhe të mos u thuash këtyre 6 vendeve të Ballkanit që merrni dhe ju. Ça i kushtonte? Asgjë. Kjo ka qenë kritika ime”.
Kjo ka qenë deklarata e Ramës të premten në “Open”, e cila ka sjellë dhe reagimin e francezëve. Më parë Ramës i ishte përgjigjur dhe ambasadori i BE-në në Tiranë Luigi Soreca, i cili bëri të ditur se Shqipëria nuk kishte akoma një plan vaksinimi, ndërsa BE i kishte ofruar ndihmë konkrete. “Ne jemi gati t’i japim ndihmë Shqipërisë. Dje Shqipëria nisi vaksinimin, dhe ne jemi gati t’i japim ndihmën tonë Shqipërisë.
Unë jam takuar me Ministren e Shëndetësisë, do të takoj edhe ambasadorët e Shteteve Anëtare, për të punuar të gjithë së bashku, për t’u siguruar që javët e ardhshme të ketë më shumë vaksina të disponueshme për qytetarët shqiptarë. Por duhet të kuptojmë se Shqipëria duhet të përgatisë një plan vaksinimi për t’i mundësuar BE-së të ndërhyjë, por edhe Covax-it, më vonë gjatë vitit, që të vazhdojë vaksinimin.
Ky nuk është një moment i vetëm, plani i vaksinimit do të kërkojë muaj, me qëllim që të mbulojë gjithë komunitetin këtu. Kështu që Bashkimi Europian është këtu, siç ka qenë pranë shqiptarëve gjatë gjithë kohës”, bëri të qartë Soreca duke nënkuptuar qartë se Shqipëria duhet të kishte kapacitetet për të pranuar ndihmë evropiane, nuk mjaftonte vetëm ta kërkonte atë.
Meta: Ne gjithmonë fajësojmë të tjerët, se nuk marrim përgjegjësi
Presidenti Ilir Meta komentoi deklaratat e kryeministrit Edi Rama kundër Bashkimit Europian, që nuk ndihmuan vendet e Ballkanit Perëndimor me vaksinat anti-Covid.
Kreu i Shtetit u shpreh se BE ka bërë përpjekje për vendin tonë, ashtu si dhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, por sipas Metës, Shqipëria është vendi i fundit për mbështetjen që i ka ofruar sistemit të saj shëndetësor dhe ekonomisë, gjatë muajve të pandemisë.
Lidhur me këtë, Meta tha “Është njëlloj si të fajësojmë Bashkimin Europian, për mos çeljen e negociatave! Kur Bashkimi Europian na ka thënë prej kohësh se, cilat janë kushtet. Ne, gjithmonë do ia vëmë fajin dikujt, se nuk marrim asnjëherë përgjegjësi”.
Duke folur për menaxhimin e pandemisë Meta kritikoi qeverinë. “Po të shohim të gjitha statistikat dhe të dhënat e institucioneve ndërkombëtare, të gjithë treguesit e thonë qartë se Shqipëria, është vendi i fundit që ka mbështetur sektorin e shëndetësisë gjatë pandemisë. Ne jemi vendi i fundit që, ka mbështetur biznesin dhe sipërmarrjen. Shikoni sa paketa ekonomike kanë bërë vendet fqinje me ne, shikoni sa paketa ka bërë Kosova, se nuk po flas për vende të tjera.
Ndërkohë shikoni dhe buxhetin e fundit të shtetit, që unë e ktheva, me qëllim, për t’i dhënë mundësi qeverisë që të reflektonte mbi këto prioritete: Për të mbështetur më fortë sektorin e shëndetësisë dhe biznesin, që po pëson kosto të jashtëzakonshme. Kjo gjë nuk ndodhi. Ndërsa për sa i takon Bashkimit Europian, mendoj se ata, kanë bërë përpjekjet e tyre, si për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Por, cilat kanë qenë përpjekjet tona kjo është një çështje tjetër” – u shpreh ai.