Ambsadorja Yuri Kim, në një deklaratë pas takimit me kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla dhe nënkryetarin Agron Gjekmarkajn foli për vendimin e qeverisë shqiptare për të ndërprerë marrëdhëniet me Iranin, pasi ky shtet qëndron pas sulmeve kibernetike të disa javëve më parë.
Në deklaratën për mediat, Kim tha se, “si unë si pararendësit e kemi bërë traditë të takohemi me kryetarët e kuvendit në fillim të sesionit. Dhe gjithashtu është e rëndësishme për ne të angazhohemi në mënyrë që theksojnë rëndësinë e ligjeve, mbajtjen e rregullave dhe forcimin e institucioneve demokratike. Do vazhdojmë të takohemi me ato liderë që janë zgjedhur në mënyrë legjitime. Më lejoni të ndalem te veprimi i sotëm, ndaj sulmit kibernetik. Kemi parë deklaratën e bërë nga Rama dhe Shtëpia e Bardhë është përgjigjur menjëherë dhe me forcë. Duhet të jetë e qartë dhe kur miku ynë dhe aleati, Shqipëria është nën sulm, SHBA do ndërmarrin veprime”.
SHBA-të e dënuan sulmin kibernetik të Iranit kundër Shqipërisë.
“Shtetet e Bashkuara dënojnë fuqishëm sulmin kibernetik të Iranit kundër aleatit tonë të NATO-s, Shqipërisë. Ne i bashkohemi thirrjes së kryeministrit Rama që Irani të mbajë përgjegjësi për këtë incident të paprecedentë kibernetik. Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin veprime të mëtejshme për ta mbajtur Iranin përgjegjës për veprimet që kërcënojnë sigurinë e një aleati të SHBA-së dhe që krijojnë një precedent shqetësues për hapësirën kibernetike”, thuhej në reagimin e SHBA-ve.
Kujtojmë se, kryeministri Edi Rama në një deklaratë për mediat i kërkoi ambasadës së Iranit që të largojë të gjithë stafin. Ai u la afat vetëm 24 orë.