“Lokali është qëlluar 25 herë.” Kështu ka deklaruar për mediat vëllai i efektivit të Shqiponjave, Albert Pjetri, biznesi i të cilit u bë dje shënjestër i një sulmi me armë zjarri.
Sipas Vlash Pjetrit, lokali ishte mbyllur prej 1 ore kur dëgjoi zhurmë dhe doli jashtë me familjen për të parë se ç’po ndodhte.
“Dëgjuam krisma dhe dolëm jashtë, kur pamë lokalin që ishte dëmtuar. Pasi erdhi grupi hetimor, konstatuam që ishte automjeti i vëllait, Alfredi, që punon me “Shqiponjat”….Mjeti ishte në oborr i parkuar. Nuk kemi konflikte me askënd. Përveç detyrës së vëllait, i cili punon me “Shqiponjat”. Në lokal është qëlluar 25 herë”, – u shpreh Pjetri.
Risjellim në vëmendje se ngjarja ndodhi dje në orën 21:30, në afërsi të rrethrrotullimit të “5 Heronjve të Vigut”, në fshatin Dobraç, Shkodër.
Efektivi Albert Pjetri ka treguar për kolegët e tij të Policisë një episod me shtetasin Rivaldo Planaj, i cili ka tentuar të mos i bindet urdhrit të ndalimit, duke provokuar debat.
Megjithatë, Pjetri nuk e ka akuzuar drejtpërdrejtë si autor të ngjarjes. Për këtë ngjarje janë shpallur në kërkim krahas Rivaldo Planajt, Orlando Planaj, Bardhok Planaj dhe Mirsad Shpellzaj.