Është dhënë masa e sigurisë ndaj 37-vjeçarit Mariglen Topuzit, i arrestuar për dy sulmet me armë të ndodhura në një hotel në Tushemisht, ku u qëllua me breshëri plumbash duke dëmtuar 7 makina të parkuara dhe xhamat e hotelit.
Mësohet se Gjykata e Pogradecit vendosi arrest me burg 30 ditor për Topuzin.
Avokati kërkoi lirim të menjëhershëm, pasi sipas tij, nuk ka asnjë provë ndaj 37-vjeçarit. Ai deklaroi se ekzistojnë prova dhe pamje filmike që në orët kur ka ndodhur ngjarja, Topuzi ka qenë diku tjetër. Po kështu, avokati kërkoi ekspertimin e pamjeve filmike që disponon mbrojtja.
Shkak i sulmit u bë një grindje e ndodhur një vit më parë mes djalit të pronarit dhe 37-vjeçarit, ndërsa disa karikatorë kallashnikovi u zbrazën në drejtim të parkingut të automjeteve dhe ndërtesës. Por ky nuk ishte atentati i parë i shënuar, pasi në 1 gusht u qëllua me tre plumba në drejtim të po të njëjtit hotel.
Pas ngjarjes së rëndë policia u vu në lëvizje dhe arriti të hedhë dritë mbi ngjarjen duke siguruar si prova 1 mjet motor tip “Suzuki”, pa targë, 2 skafandra të përdorura nga autorët, ku janë fiksuar prova biologjike dhe balistike të tyre, fishekë luftarakë, si edhe pamje filmike të filmuara nga kamerat e sigurisë.
Ditën e sotme, policia njoftoi se përmes një operacioni, në bashkëpunim me RENEA-n u bë i mundur arrestimi i organizatorit, Ilir Berberi dhe 3 bashkëpunëtorëve: Ilir Meçolli, Ardian Xhuti dhe Elvir Haxhia. Ndërkohë Meardi Berberi dhe Brian Syzo janë të shpallur në kërkim.
Ndërsa pas ngjarjes së rëndë pushuesit nxituan të largohen të tmerruar nga ajo çfarë përjetuan.