Vlorë- Menaxheri i një supermarketi është sulmuar nga një person i maskuar dhe me armë, ndërsa transportonte paratë nga dyqani drejt bankës rreth 200 metra më tutje, dje në mesditë në zonën e Skelës në Vlorë. Ka qenë ora 10.20 kur 24-vjeçari Admir Levanaj është grabitur nën kërcënimin e armës. Policia tha se ka shoqëruar disa persona, ndërsa drejtori i sapoemëruar ka drejtuar operacionin e kontrollit në kërkim të grabitësit, i cili sipas burimeve ka marrë 59 milionë lekë të vjetra dhe është larguar në këmbë në rrugicat e zonës.
Ngjarja
Menaxheri i supermarketit pasi ka dalë nga dera e pasme e dyqanit, i cili ndodhet në zonën e Skelës, ka dashur të shkojë në këmbë për të depozituar xhiron e ditës në bankën e cila ndodhej jo më larg se 200 m nga dyqani. Pasi ka dalë nga dera e pasme e marketit, i riu, që lekët i kishte në një qese plastike, ka ecur në një rrugicë e cila të çonte shkurt për në bankë. Gjatë rrugicës e cila të nxirrte në rrugën kryesore në bulevardin Vlorë-Skelë, përballë stadiumit ‘Flamurtari’, menaxheri ka parë se nga pas kishte një person me një maskë të zezë, e cila, siç ka treguar ai, nuk ia mbulonte të gjithë fytyrën, por vetëm pjesën poshtë hundës. Menaxheri i ka thënë policisë se i maskuari i ka treguar armën tip kallashnikov me qytë metalikë të shkurtër, të cilën e kishte poshtë xhupit dhe e ka kërcënuar të linte paratë ose do ta vriste. I riu ka parë se personi që e ndiqte ishte dhe i armatosur dhe ka vrapuar drejt bankës, por frika se mos qëllohej nga grabitësi, ka bërë që ai ta lërë qesen me para, të futet në një dyqan rrobash pas godinës ku ndodhet banka. Grabitësi pasi ka marrë paratë në shesh, të cilat rezultuan në një shumë prej 5 milion e 900 mijë lekë të reja, është larguar me vrap në zonë pas pallateve për të mos u kapur.
Hetimet
Policia e cila ka mbërritur në vendngjarje pak minuta më vonë, ka gjetur menaxherin e supermarketit të shtrirë përtokë në dyqanin e rrobave. Ai sipas punonjësve të policisë nuk e kishte marrë veten akoma dhe ndodhej në gjendje shoku në momentin që është kontaktuar nga policia. Pasi ka qëndruar për më shumë se 20 minuta në ambientet e dyqanit të rrobave, ku është marrë dhe në pyetje nga policia, i riu është shoqëruar për në komisariatin e Vlorës, për të deponuar rreth asaj që i ndodhi. Policia e cila ka mbërritur me forca të shumta në vendngjarje e drejtuar nga vetë drejtori i ri i policisë së Vlorës, Artan Cuku, ka bërë krehjen e të gjithë zonës. Pasi ka kontrolluar të gjitha hyrjet e pallatit, në të cilat nuk është gjetur asnjë shenjë e grabitësit, policia e Vlorës ka nisur dhe kërkimet në pjesë të ndryshme të kësaj lagjeje, ku deri në mbrëmje nuk është bërë e mundur identifikimi dhe kapja e autorit të grabitjes. Pak ditë më parë po në Vlorë u sulmua një argjendar, por grabitësit dështuan të merrnin paratë.