Sulmuesi, i cili la të vdekur 51 persona në Zelandën e Re më 2019 është duke kërkuar rishikim të kushteve të burgimit dhe të statusit si “entitet terrorist”
Supremacisti i bardhë Brenton Tarrant, është dënuar në muajin gusht me burgim të përjetshëm, pa mundësi të lirimit me kusht, për vrasje të 51 personave dhe tentim-vrasje të 40 të tjerëve, në dy xhami në Kristçërç, më 15 mars të vitit 2019.
Ky njëherësh është konsideruar sulmi më i rëndë me të shtëna në historinë e këtij shteti. Tarrant, me kombësi australiane, është personi i vetëm në Zelandën e Re që ka marrë statustin e terroristit.
Procesi i rishikimit gjyqësor do të mbahet në Gjykatën Supreme të enjten, për të qartësuar çështjet që dëshiron të trajtojë Tarrant, kanë thënë autoritetet e gjykatës në Zelandën e Re.
Të dhënat e ofruara nga gjykata tregojnë se Tarrant do ta përfaqësojë veten në këtë proces gjyqësor.