Nga Eli Kanina
Në fëmijërinë time autorët e librave që lexoja, ishin ata që unë fantazoja, sipas personazheve apo ngjarjeve të përshkruar prej tyre. Duke u rritur kam pësuar zhgënjim, për mirë dhe për keq, mes përfytyrimit tim dhe realitetit të tyre. Sot, më ndodh rrallë, të lexoj, pa një informacion paraprak për autorin.
Me Markun, mikun tim ndodhi ndyshe. E njoha, pastaj e lexova. Marku nuk ishte autori i fëmijërisë time, nuk ishte në bibliotekën time asnjë libër i tij, derisa ia lexova emrin në një lajmërim virtual interesant. Si drejtues i shtëpisë botuese MUZGU, ai kishte filluar të botonte një kolanë antologjish, me nga një temë të ndryshme për secilën, ku unë mora pjesë e ngazëllyer. Njëkohësisht në gazetën Muzgu botoheshin cikle poezish të autorëve të përzgjedhur.
Një cikël me poezi nga unë u botua në një nga numrat e gazetës. Fillova të ëndërroj për një përmbledhje të gjithë sa kisha shkruar ndër vite, në një libër. Ndërdyshas t’i dërgoja poezitë e mia për botim apo jo, sepse më dukej se do m’i bënin çorap, pas botimit dhe pëlqimit të ciklit me poezi, nisa të krekosesha. Nuk isha më një vjershëtare apo nxënëse hartimesh, si dikur, por tashmë një krijuese, pjesmarrëse e disa librave të përbashkët.
Kështu një ditë mblodha gjithë fletoret e dalldive të mia, për të botuar një libër me emrin tim. Botuesi Mark Simoni, qëlloi një shkrimtar dhe dashamirës i krijuesve, që jo vetëm e mbështeti dëshirën time për një libër, por edhe më inkurajoi vazhdimin si “një tingull i veçantë në letërsi”. Unë u rrita dhe mora gardhin nga lëvdatat, sa zura t’i qaj hallin botuesit se si do bënte me treqindë poezitë e mija perla, që i kisha çuar në studio Muzgu. E përfytyroja si do të ngallosej e shtangej nga bukuria e tyre kur t’i lexonte. Nuk do guxonte apo mundej të hiqte dot asnjë. Një pas një, ishin të gjitha xhevahire shpirti.
Kur shkova në Studio, botuesi Mark Simoni më tha se zgjodhi vetëm 100 poezi. I kujdesshëm, për dyqind të tjerat, ai më tha se mund të redaktoheshin dhe botoheshin në një libër të dytë. Ky bashkëpunim dhe kjo përkujdesje, që vazhdon të përsëritet për të gjashtën herë, tregoi se vlejti jo pak, dhe ndikoi në promovimin e letërsinë time.
Bashkëpjesmarrës në aktivitete letrare me mikun tim Markun, në udhëtime, në kafetë e mëngjesit, kemi ndarë biseda, opinione, debate dhe eksperienca për libra e autorë, që i kanë dhënë takimeve tona edhe vlerën e bukur të miqësisë. Një miqësi që më dha mundësinë t’i lexoj një pjesë të mirë të librave të Markut shkrimtar.
Kështu e lexova dhe e njoha Mark Simonin si shkrimtar, pasi e kisha njohur si botues të librit tim. Miqësia me të, më kuriozoi për atë që ai shkruan dhe përfaqëson në letërsi, por edhe më kushtëzoi leximin në një regjistër ndryshe të romanit të tij “Qyteti me një sy”.
Ndërsa lexoja romanin e mikut tim, nën presionin për të gjetur lidhjen mes asaj që shkruhej dhe atij që njihja, fillova të ngatërrohem. Mendoja se e njihja mjaftueshëm, si bashkëkohës dhe mik, dhe zbulova një autor që me penën e tij, e humb këtë nocion.
Në roman autori nuk mban lidhje me kohën, dhe nuk mban qëndrim ndaj atyre që tregon, çka nuk përcakton nëse i pëlqen ato që ndodhin, apo i gjykon. Pra isha unë përballë librit, e lirë për ta lexuar sipas këndvështrimit tim. U gjenda në një befasi kaotike “mungesash” në përcaktimet e ngjarjeve të romanit:
1.Përcaktimi i kohës. Aty nuk gjeta as data ngjarjesh, apo periudhash kur ndodhin ato, as kufizime kohore apo përcaktime për ta identifikuar në kohë, fabulën e librit sa reale aq edhe sureale. Ky dimension në kohë, i jep mundësinë romanit, të interpretohet prej shumë brezash si i kohës së vet…
2.Përcaktimi i vendit. Vendosja e ngjarjeve në një qytet pranë bregdetit, pa e emëruar, është një truk tjetër që Marku si autor ka përdorur, për ta përfaqësuar ngjarjen, në çdo qytet pranë detit, qoftë në Shqipëri, qoftë në Athinë, në Spanjë, Azi apo Amerikë. Sepse nuk ka asnjë element jetësor që të quhet vetëm shqiptar, në shpjegimin e gjërave dhe dukurive të ndodhura në përditshmërinë e personazheve dhe jetës së qytetit. Po kështu edhe zhdukja e qyteteve, përmbysja e sistemeve, ndryshimi i epokave ndodh njësoj në çdo vend të botës …
3.Përcaktimi i emrave. Përveç Mortit, të gjithë personazhët janë pa emra, por të skalitur mjeshtërisht për tu mbajtur mend, përmes karakterit dhe veçorive të tyre fizike të jashtme si psh: shtrigu, e zonja e bujtinës, fallxhorja, gjuetarët, burri me violinë, gruaja e këpucëve me zile, plaka e papafingos, karrocieri i karrocës së postës, orëndreqësi me monoklin në sy, avokati me pardesynë e bardhë pa profesion, tufa e magjypëve, blerësi i ditarëve, njeriu i shishes, vajza e kabinave të plazhit etj
“Qyteti më një sy” është një roman sa bahkëkohor aq edhe futurist.
I papërcaktuar në kohë, sepse kohët përsëriten, mesazhet e tij mbeten universalë..
I papërcaktuar në gjeografi, sepse historia njerëzore përngjan në të gjitha vendet. Pavarsisht ngjyrës së lëkurës, nivelit ekonomik, përthyerjes së relievit të Tokës, historia e një populli diku më herët e diku më vonë, është vetë historia e shoqërisë njerëzore. Është zhvillimi në faza të ndryshme, ai që bën diferencën mes tyre, duke forcuar disa shtete dhe duke lodhur, zvogëluar, shpërbërë apo zhdukur disa të tjerë.
Edhe pa përcaktimin në kohë dhe pozitë gjeografike, gjithçka që përshkruhet në roman, të bëhet kaq e njohur dhe e jetuar, sepse zgjuarsia e autorit është jo ta identifikojë, por ta mbajë lexuesin në libër, me stilin dhe detajet që përdor. Të duket teksa lexon nëpër faqe, se ka ndodhur diku në lagjen tënde, dhe të gjithë personazhet e fëmijërisë tënde i gjen aty, sa mund t’i identifikosh edhe me emra realë.
Fabula e librit, e thjeshtë në dukje, është po aq edhe tragjike me atë që na kumton. Me përmbysjen e një sistemi apo regjimi, me qytete e vende që zhduken sikur s’kanë ekzistuar kurrë, pa kurrfarë arsye. Apo për shkaqe si lufta, sëmundjet e epidemitë, dukuri natyrore etj, është po kaq tronditëse shfarosja e një shoqërie apo qyteti. Është koinçiduese dhe me realitetin që jetojmë. Kjo përqasje dhe konfigurim, me çdo njeri dhe gjeneratë, jepet me mënyrat që Marku si autor, përdor për ta skalitur romanin në memorien tonë:
a-Pikturimi që miku im i bën qytetit nëpërmjet ngjarjeve, si me leksikun e përdorur (fjalë të vjetra dialektore ) por edhe me përshkrimet me detaje të rrugicave, të lagjeve, dyqaneve, të përafron me një qytet tipik ku jetohet rëndom, një mëhallë që e gjen kudo. Fillon të gjesh ca detaje më pas, që bëjnë diferencën me atë lagje të zakonshme, që përfytyron fillimisht. Befasohesh me vendosjen e disa piketave interesante, objekte apo adresa që të shtojnë kuriozitetin, nëse ekzistojnë. Por edhe të ngacmon ta dish ku bie, të shkosh ta shohësh. Duket sikur je duke parë film, apo lidhen me një film, ato që je duke lexuar…kjo letërsi e imazhit, që duket se autori e ka për zemër dhe veçanësi të penës, e bëjnë librin të bukur dhe një skenar të gatshëm filmi.
b- Një gjetje e veçantë është edhe struktura e librit në 157 paragrafe, ku secila mund të qëndrojë si esse, skicë, tregim apo përshkrim më vete, me mesazhin e vet, të pacunguar nga e përgjithshmja.Të mbledhura bashkë, dhe të servirura nga Morti si në një short fatesh, duke i nxjerrë nga shishet e mbledhura nga deti, si një mallkim për të por edhe për qytetin. Nëpërmjet atyre shisheve, zbulohen historitë e jetës së njerëzve të qytetit: “pleqësitë, historitë e vjetra, martesat dhe llafet, zënkat, lindjet e fëmijëve, festat dhe krushqitë, jeta e atyre njerëzve të rrugicave të mëhallës së vjetër apo në lagjet e ngushta, të atyre njerëzve të lindur e të vdekur aty brez pas brezi …”
c- Morti që është personazh, por edhe fati i parathënë i qytetit, duket se mbart këtë emër pikërisht për këtë mesazh (e marrtë morti !- thotë një shprehje popullore, si mallkim). Dhe në fund mesazhi që jepet me rrënimin e qytetit (pavarësisht shkakut: tërmeti, uji apo zjarri). Autori nuk mbetet tek shkaku i rrënimit, por tek pasoja që vjen prej tij. Mallkimi më i madh nuk është thjeshtë humbja e qytetit, por humbja e kujtesës :
Kjo po, që është humbje! Humbja e kujtesës!
Ky është mallkimi më i madh i njerëzimit, i të gjitha kohrave!
Ndoshta ky është thelbi i romanit, mesazhi që na vjen prej tij në formën e alarmit. Syri, i përzgjedhur për autorin, është kujtesë, është histori!
Qyteti që jeton me një sy, të zakonshëm, të përditshëm, të pavëmendshëm, është i destinuar të zhduket, të harrohet. Mungesa e atij syrit vëzhgues e fiksues, memorizues por edhe largpamës, të bën kollaj të shfarosesh sikur s’ke qenë kurrë.
Sa luftra janë bërë prej popullit shqiptar ndër kohëra për të mbrojtur ekzistencën e tij? Sa herë historia na ka fshikulluar e ndëshkuar pikërisht për atë mungesë apo neglizhencë të atij syrit të vëmendshëm e largpamës? Nëse do të kishim qenë çdo herë me të dy sytë, duke parë larg, hisoria nuk do të na përsëritej si pësim e me pasoja.
“Ku i kishe sytë? I ke sytë në ballë? E ke parë me sytë e tu? Hapi sytë mirë, bëji katër!” Jo rastësisht janë përdorur në numrin shumës “sytë” në këto shprehje, që theksojnë rëndësinë e syrit, jo vetëm si organ por edhe si funksion. Syri sheh, ruan në kujtesë, përbën fakt të pakontestueshëm. Një sy- është metafora e autorit për qytetin, një sy që e ruan pamjaftueshëm, e zbulon gjithandej dhe e fundos. Një sy duket se përcakton fatin e qytetit me një sy. Dhe sy të pafund lexuesish të romanit “Qyteti me një sy” vazhdojnë të vlerësojnë dhe të kërkojnë ribotimin e librit të mikut tim. Interesant dhe i mistershëm deri në provokimin dhe debateve në kritikën letrare, romani është mirpritur si risi nga lexuesit dashamirës që duan të bukurën, duan të shohin më qartë dhe më larg.
Duke e mbyllur po citoj një paragraf në faqen 151, ku përshkrimi i Mortit, në një gjendje zjarrmie duket se përshkruan një përbindësh apo, pjesën e errët, mistike të çdonjërit prej nesh, në një gjendje të rënduar psiko-emocionale:
”I pushtuar i gjithi prej simbolesh, i burgosur prej mallkimesh, tronditur prej jehonash e shpirtrash që silleshin padukshëm kudo, i sëmurë prej vdekjes dhe prej jetës njëkohësisht, plagosur prej kujtimesh dhe mallit. E kuptonte se njeriu e ka një shqisë, si antenë të fshehtë, që i mblidhte jehonat e përtej jetës. Ato e pushtonin njeriun, tamam si fantazmat që pushtojnë shtëpitë e braktisura. Ato kishin kohë, që patën zënë vend në skutat e errëta të kokës së tij dhe nuk i shqiteshin dot, ashtu siç nuk dalin prej shpellash bishat e verbuara.”
Kjo lloj gjuhe e autorit, që të fton të futesh në vorbullat e shpirtit dhe të mendimeve pa cak, duket se më shumë se romanin do lexoni veten nëpër faqet dhe personazhet e tij. Lutem ta lexoni romanin e mikut tim Mark Simoni, përpara se të dyshoni për këtë që shkrova.