Ministri i Brendshëm i Italisë, Mateo Salvini bëri një koment që u përhap me shpejtësi edhe në median shqiptare. Teksa sulmoi sërish miliarderin Xhorxh Soros, ai tha se duhet ta mposhtim atë si Skënderbeu turqit.
“Kur isha në Romë, fola për një nga heronjtë e popullit shqiptar, Gjergj Kastriotin e shekullit të 15-të, i cili i rezistoi rrethimit, madje edhe dhjetra rrethimeve islamike. Islamike! Sepse historia përsëritet,” tha Salvini.
Por çfarë fshihet pas kësaj përplasje?
Për ironi, politika e dyerve të hapura që ka sponsorizuar Soros ka sjellë shtimin e politikanëve populistë, që janë armiq të hapur të Soros.
“Soros kërkon ta mbushë Italinë me skllevër emigrantë,” pati deklaruar Salvini para një viti.
Megjithatë, këto ditë po konsumohet një tjetër dramë në politikën italiane, pasi janë hedhur akuza se Kremlini po tenton të sponsorizojë Ligën, partinë e Salvinit.
Por ndërsa Salvini i ka mohuar akuzat duke i quajtur fantazi, para një viti ishte vetë Soros që tha se Liga merr fonde nga Rusia. Salvini e ka quajtur Sorosin një spekulator dhe mashtrues.
Përplasja e tyre pritet të vijë të shtohet pasi Europa po shkon drejt zgjedhjeve të majit. Soros ka paralajmëruar se forcat anti-BE mund të fitojnë terren duke i dhënë fund unionit.