Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka reaguar pas lajmit se, pas sulmit kibernetik disa javë më parë në Shqipëri qëndron regjimi i Teheranit. Ajo thotë se, janë shpenzuar ë dollarë nga buxheti për sigurinë kibernetike, ndërsa shton se rezultatet lënë për të dëshiruar.
“Sulmi kibernetik që goditi vendin gjatë verës është një mesazh i qartë dhe tregues i vulnerabilitetit tonë dhe njëkohësisht vuri në provë sigurinë tonë kombëtare. Ë dollarë janë shpenzuar nga buxheti për sigurinë kibernetike nga AKSH ndërsa rezultatet lënë për të dëshiruar”, shkruan Tabaku.
Sipas Tabakut, provat e reja të bëra publike duhet t’i raportohen Parlamentit dhe veçanërisht Komisionit të Sigurisë.
“Për më tej masat duhet të merren nga qeveria për të rritur sigurinë kibernetike, masa serioze jo të ngjashme me prokurimet që sollën këtë situatë. Në epokën e digjitalizimit një vend i #NATO nuk mund të tolerojë në raste të ngjashme që rrezikojnë sigurinë kombëtare”, vijon më tej Tabaku.
Ajo shprehet se, fatkeqësisht sulme të tilla vijnë edhe si pasojë e një kulture të mbrapshtë që partia/shtet ka instaluar.
“Shqiptarët janë viktima të daljes së të dhënave personale të rrogave, targave të makinës dhe preferencave politike për interesa elektorale. Papërgjegjshmëri të tilla e lehtësojnë punën e hakerave që jo rrallë kanë dhe ndihmën e një qeverie të papërgjegjshme dhe korrupte. Duke na rrezikuar dyfish sigurinë kombëtare që ka mbetur në duart e patronazhistëve!”, përfundon Tabaku.