Ish-ministri i Brendshëm, Saimi Tahiri, hodhi akuza në drejtim të prokurorisë për akuzat që ka ngritur ndaj tij. Pas daljes nga ambientet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Tahiri tha se akuzat ndaj tij janë njësoj si ato për kreun e bandës së Lushnjes Aldo Bare. Ai tha se në dosjen e prokurorisë kishte gjetur akuza nga më të rëndat, ndërsa organin e akuzës e akuzoi për proces të montuar politik ndaj tij.
“Akuza ishte më e rëndë. Ishte trafik droge, krijim i grupit të strukturuar kriminal, kryerja e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Nuk më vjen njeri në mendje, por pas Aldo Bares jam i dyti me këtë akuzë. Nuk është se kam ndonjë surprizë të madhe. Prokuroria e komanduar siç e nisi e bitisi këtë histori. Pavarësisht nxitjes që kam nga brenda për tu marrë me këtë histori nuk dua të merrem. Dua të respektoj drejtësinë deri në fund. Unë do vazhdoj t’i shkoj drejtësisë deri në fund”, u shpreh Tahiri. Saimir Tahiri ripërsëriti se Prokuroria dhe Gjykata e Katanias e kanë shpallur atë të pafajshëm, ndërsa prokuroria shqiptare, shtoi ai, ka tentuar ta arrestojë. Prokurorët e çështjes Vladimir Mara, Dritan Prençi dhe Arenc Çela mbyllën hetimet duke e marrë ish-ministrin të pandehur, për dy akuza.
Prokuroria për Krime të Rënda akuzon Tahirin për favorizim të grupit kriminal Habilaj në trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Italisë. Bashkë me ish-ministrin të pandehur janë marrë edhe tre ish-zyrtarët e lartë të Policisë së Vlorës, Jaeld Cela, Gjergj Kohila dhe Sokol Bode, të cilët jetojnë në arrati prej më shumë se një viti e gjysmë. Hetimet për Tahirin nisën në tetor të 2017 pas arrestimit në Catania të Moisi Habilajt dhe anëtarëve të grupit të drejtuar prej tij.
Prononcimi i plotë për mediat:
Zoti Tahiri jeni i pari ish-ministër që keni akuza kaq të rënda…
Saimir Tahiri: Akuza ishte më e rëndë se kaq, ishte trafik droge, krijim i grupit të strukturuar kriminal, veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Mendoj se pas Aldo Bares ndoshta jam i dyti me këtë akuzë. Nuk ka ndonjë surprizë të madhe. Prokuroria e komanduar siç e nisi e bitisi këtë histori. Pavarësisht nxitjes që kam nga brenda, nuk dua të merrem. Dua të respektoj drejtësinë. Do vazhdoj t’i shkoj drejtësisë deri në fund edhe duke besuar.
Kur flisni për prokurori të komanduar nga cila anë?
Saimir Tahiri: Kjo historia ime lindi si një proces politik dhe kur them i komanduar kam parasysh politikën, krimin dhe drejtësinë që janë aq bashkë sa ç’është dhe ati, biri dhe shpirti i shenjtë. Nuk janë ndarë ende dhe unë po e shoh.
Cilat ishin provat e reja?
Nuk kam parë asnjë. Do e shoh në vazhdim.
Të gjithë personat e tjerë të akuzuar si ju mbahen në arrest me këtë akuzë. A keni frikë se prokuroria do kërkojë burg për ju?
Nuk më frikëson asgjë veç të vërtetës. Nuk më intereson se ç’bën prokuroria. Më intereson vetëm e vërteta. Di që ky është një proces i turpshëm, politik nga fillimi deri në fund, i komanduar, unë jam mësuar me vështirësi dhe besoj se do ia dal.
Dispononi materiale shantazhuese për zyrtarë të lartë?
Këtij vendi mjaft të vogël i mjafton Baba Taku me çantën e zezë nuk ka nevojë edhe për Saimir Tahiri. Unë kam, vetëm të vërtetën time. Kaq më mjafton për gjithçka.
A keni mbështetjen e kryeministrit i cili tha që t’ju kërkohet falje?
Nuk më duhet fare. Nuk më duhet mbështetja e askujt por e vërteta ime. Nëse ju mendoni se në këtë vend duhet patjetër mbështetja e dikujt apo të jesh tek sqetulla politike e dikujt për mua e keni gabim. Unë ia dal edhe pa këto, me çdo kosto e çmim dhe un do ia dal.
Ok, Tahir per te gjitha por te lutem ke ndonje koment per ata 1 milion euro qe ju kapen shoferit bashke me documentat e tua