Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka ankimuar zgjatjen e hetimeve ndaj tij me 3 muaj të tjerë dhe kërkon që dosja të shkojë në gjykatë në mënyrë qe të jepet verdikti final i drejtësisë.
Kërkesa për pezullimin e hetimeve, të cilat pak ditë më parë u zgjatën edhe me tre muaj të tjerë, është dorëzuar sot.
Në padinë e ish-ministrit shkruhet se në zgjatjen 5 herë të afatit të hetimeve Prokuroria nuk ka marrë në konsideratë katër pika të rëndësishme.
Ato janë: rëndësia dhe vlera provuese e përgjigjeve që pritet nga letërporositë; lidhjen e përgjigjeve me ndonjë fakt penal; mundësinë që këto përgjigje mund të ishin marrë më përpasra nëpërmjet letërporosive qoftë nëpërmejt veprimeve të tjera hetimore dhe mundësinë se këto prova e përgjigje merren me afat më të shkurtër sesa afati 3 mujor i kërkuar nga Prokuroria për zgjatjen e hetimeve.
Në padi, ish-ministri shkruan se i kërkon Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda që të përfundojë hetimet për të.
Shkak për shtyrjen e hetimeve, sipas Prokurorisë vjen për disa veprime të tjera hetimore. Prokuroria deklaron se pritet përgjigjja për ndihmë juridike nga Mali i Zi dhe përkthimi i akteve të marra nga Italia.
Hetimet ndaj ish-ministrit nisën në tetor të vitit të kaluar, ndërsa Prokuroria e Krimeve të Rënda ka zgjatur disa herë afat e hetimet, pasi nuk ka mundur të sigurojë të gjitha provat që implikojnë Tahirin në trafikun e drogës me Habilajt.