Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka folur pas vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda që e dënoi atë me 3.4 vite burg për “shpërdorim detyre”, ndërkohë që rrëzoi tre akuzat e rënda në adresë të tij. Me rikualifikimin e dënimit, Tahiri dënohet me 3 vite shërbim prove. Ai nuk do të bëjë asnjë ditë burg.
Jashtë dyerve të Gjykatës, Tahiri e konsideroi disa herë si absurd vendimin e dhënë ndaj tij. Ai paralajmëroi se do e apelojë edhe këtë vendim, ndërsa njoftoi se ditën e premte do të japë detaje rreth asaj që ka ndodhur me gjyqin e tij këto dy vite në komunikim me median.
“Më jepni kohë që ta përtyp këtë estradë që ndodhi. Me sa kuptova, nuk jam kriminel, më tha gjykata, nuk jam trafikant, nuk jam pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, por disa kushërinj kanë përdorur emrin tim, unë atëherë kam shpërdoruar detyrën.
As qesh dot, as qaj dot. Nesër po iu ftoj që të ndajmë bashkë ca mendime, por mu duk një gjë e tipit je i pafajshëm por s’kemi këllqe të ta themi. Prisni deri nesër se do komunikoj me mediat. Gjykata thotë nuk je kriminel, nuk je trafikant, nuk ke ndihmuar në trafik droge, por me qënë se kushërinjtë kanë përdorur emrin tim, unë paskësh shpërdoruar detyrën.
Ça t’ju them, zoti ju ruajt edhe ju se e hëngrët. Më la pa fjalë se si gjykata më la mua përgjegjës për shpërdorim detyre se pse kushërinjtë e mi kanë përdorur emrin tim. Duhet të gjej rrugën që të lexoj një vendim të tillë, për mua qesharak. Do ishte shumë më fisnike, ta kishin bërë si burrat, të më kishin dënuar për trafik droge, kështu është edhe qesharake.
Sigurisht që do ta apeloj. Isha më i qartë kur hyra. Është njëlloj si të hysh në një provim, të thotë mësuesja shumë mirë je përgatitur, por do marrësh 5. Si ti’a bëj për të gjithë kushërinjtë idiotë në fis duhet të mbaj përgjegjësi. Ju falenderoj se për dy vite keni ndjekur procesin e shekullit dhe u katandis kokoshi në thelë”, u shpreh Tahiri.
LEXO EDHE:
Bien tri akuzat e rënda, Tahiri dënohet vetëm për shpërdorim detyre