Kryeministri Avdullah Hoti, pas kthimit nga vizita zyrtare në Bruksel konfirmoi se aktakuza ndaj presidentit, Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli u bënë shkak për dështimin e takimit në Uashington që ishte parashikuar për sot (e shtunë).
Në një konferencë me gazetarët, kryeministri i Kosovës tha se pas komunikimeve të vazhdueshme me emisarin e SHBA, Richrad Grenell është rënë dakord për një datë tjetër së shpejti dhe se do të udhëheqë kryesimin e dialogut me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë.
“Është në interes të Kosovës që ky proces të përmbyllet sa më shpejtë. Për shkak të zhvillimeve që kanë ndodhur ditëve të fundit ne e kemi shtyrë vizitën në Uashington. Ne mbetemi të përkushtuar për dialogun. Besojmë thellë që dialogu nuk ka alternativë tjetër. Këtë qëndrim e kam prezantuar edhe në BE.
Kam pasur komunikim intensiv me ambasadorin Grenell. Pas diskutimit që kemi pasur më të, kemi rënë dakord që ta shtyjmë takimin për një datë tjetër, që do të caktohet së shpejti. Agjenda e takimit mbetet e njëjtë, për t’i dhënë shtysë dialogut përmes zhvillimit ekonomik, pra takimi do të mbahet së shpejti i kryesuar nga kryeministri”, u shpreh Hoti.
Kryeministri i Kosovës sqaroi se në dialogun me Serbinë nuk do të bisedohet për integritetin territorial dhe se ka koordinim të ngushtë ndërmjet Uashingtonit dhe qendrave evropiane, ndryshe nga ç’është komentuar deri tani.
“Sa i përket vizave është me interes që ka një mirëkuptim nga ana e komisionit dhe parlamentit se ne i kemi plotësuar kushtet. Janë tri vende që janë më skeptike por ne do të punojmë me to. Unë nuk do të jap datë për vizat sepse kjo nuk varet prej nesh.
Në publik duken si takime te ndara. Nuk janë të ndara. Ka koordinim të ngushtë dhe të plotë ndërmjet Uashingtonit dhe qendrave evropiane. Nuk bisedojmë për integritetin territorial dhe sistemin unitar”, u shpreh Hoti.