Aktualitet

Takimi – Mes kritikave, Rama merr mbështetjen e Merkel në Tiranë














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:26 - 15/09/21 |
mapo.al

Në takimin e fundit me Angela Merkel si Kancelare e Gjermanisë, duket se Edi Rama ka marrë mbështetje dhe konfirmim për qëndrimet dhe kurset e tij, si Open Balkan, dhe Integrimi Europian. Sigurisht se në një takim lamtumire, në fund të mandatit, pritej që Merkel të ishte më e butë. Dhe kjo ka ndodhur dje, kur ajo i qëndroi Ramës në disa prej pikave më të debatueshme e për të cilat kryeministri ynë është kritikuar jo pak. Nga ana tjetër, Rama nuk është kursyer në lavde dhe superlativa për kancelaren. Por, Albin Kurti insiston: Nuk i harrojmë krimet e Serbisë, Open Balkan na largon nga Shqipëria






Përtej ceremonialit, dekorit dhe asaj çka duket, për të cilat nuk ka dyshim se Edi Rama dhe qeveria e tij dinë të organizohen e të marrin maksimumin, ngjan se edhe në thelb, Kryeministri ka korrur një mbështetje të madhe nga Angela Merkel, gjatë qëndrimit të saj dje në Tiranë. Kancelarja e kishte parashikuar vizitën në kryeqytetin tonë, për t’i dhënë një nxitje të fundit procesit të Berlinit, përpara se të largohet nga detyra si drejtuesja e shtetit më të fuqishëm në Europë, në 4 mandate. Por një pjesë të mirë të kohës e mori biseda me Ramën dhe konferenca e shtypit me të, përveç eventit ku ishin edhe kryeministrat e Ballkanit Perëndimor.


Kancelarja Merkel i ka dhënë mbështetjen Edi Ramës në një prej pikave ku ai është kritikuar më shumë kohët e fundit, dhe akuzuar edhe për tradhëti, siç është Open Balkan. Merkel tha se ishte në favor të kësaj nisme, pasi sipas saj, çdo bashkëpunim dhe forcim i shkëmbimeve rajonal, ndihmon në synimin e procesit të Berlinit, dhe në integrimin europian të vendit. Nga ana tjetër, Merkel, deklaroi se Shqipëria, ashtu sikurse Maqedonia e Veriut i ka plotësuar kushtet për nisjen e bisedimeve për anëtarësim, dhe se BE nuk duhet të shtojë kushte të reja. Rama është kritikuar jo pak për qendrimet që ka mbajtur ndaj BE-së, ku ka ngritur tonet kritike dhe sulmet sa herë që bisedimet janë shtyrë. Dy teza këto, dy çështje mjaft delikate dhe terren i vështirë për Edi Ramën në gjithë këto vite. Nuk ka dyshim se në vizitë e lamtumirës, Merkel do të ishte më inkurajuese, më nxitëse, dhe më pak kritike. Por Edi Rama ia ka dalë t’i marrë udhëheqëses më të rëndësishme të BE-së, një përkrahje të plotë e pa rezerva. Sigurisht, nuk kanë munguar lavdet dhe superlativat e Edi Ramës ndaj Merkel, një gjuhë jo shumë e njohur e kryeministrit tonë, që mesa duket e përdor para njerëzve me pushtet. “Ka shumë mundësi të bashkëpunimit rajonal.







Mbështes projektin e tregut të përbashkët rajonal, 4 marrëveshjet. Disa nuk janë bashkuar ende, sot kemi rënë dakord që sa më shumë të bashkëpunojmë në këtë kontekst aq më i fuqishëm do jetë procesi i Berlinit. Ky proces nuk e zëvendëson anëtarësimin në BE”, tha Merkel duke ju referuar, nismës Open Balkan, të firmosur nga Rama, Vuçiç e Zaev. “Shumëçka ka ndryshuar mes vendeve dhe popujve. Kryetarët e qeverive takohen në mënyrë të vazhdueshme dhe normale me njeri-tjetrin që nuk ka qenë kështu. I tërë bashkëpunimi në disa dimensione është konsoliduar”, shtoi Merkel. Sa i takon integrimit europian, kancelarja e Gjermanisë, tha: “Në fakt BE, shtet anëtare do të duhej të thonë kriteret, kushtet për t’u bërë pjesë. Në rastin e Shqipërisë e kemi thënë qartësisht se çfarë duhet të ndryshoni në sistemin e drejtësisë, apo sektorë të tjerë. Dhe në momentin që këto kushte plotësohen do të duhej që BE të mbante fjalën e vet dhe jo të nxirrte kushte te reja, sepse për shkaqe të politikës së brendshme në vende të caktuara kjo nuk është e mundur. Kjo sjell zhgënjim, e unë kam mirëkuptoj për zhgënjimin këtej” u shpreh Merkel.

Lexo edhe :  Cilat janë arritjet e Kancelares Angela Merkel?


Rama
Për kryeministri Edi Rama, “Open Balkan” nuk është gjë tjetër vetëm se një mekanizëm I cili përshpejton Procesin e Berlinit. Me anë të tij e të garantohet liria e lëvizjes, kapitaleve dhe investimeve. “Kjo është e thjeshtë kancelarja me të drejtë i mëshon nevojës që 6 vendet te nënshkruajnë marrëveshjet për tregun e përbashkët rajonal. Është një proces i ngatërruar, shpesh kemi parë që një vend apo një tjetër bëhet shkak për ngecje. Open Balkan është krijuar për të mos u varuar nga vetot e njëri, dhe teoritë e konspiracionit të tjetrit, jo për të përjashtuar njeri. Procesi i Berlinit dy gjëra ka, lirinë e lëvizjes së njerëzve, kapitaleve dhe investimet. Një nga pengesat ka qënë që Serbia nuk e pranonte lëvizjen e njerëzve, sepse kishte paragjykimin se ajo mes Kosovës dhe Shqipërisë do të ishte e garantuar. Traseja është e shtruar, Procesi i Berlinit do të vazhdojë, Open Balkan është një mekanizëm për ta përshpejtuar” –u shpreh Rama.



Kurti: Nuk i harrojmë krimet e Serbisë, ‘Open Balkan’ na largon me Shqipërinë
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është shprehur se asnjëherë Kosova nuk do t’i harrojë krimet e kryera nga Serbia. Në një prononcim për mediat pas takimit me kancelaren Merkel ai tha se asnjëherë nuk do të ndalemi së kërkuar drejtësi. “Ne jemi për marrëdhënie të mira fqinjësore por nuk mund ta kompensojmë me territor Serbinë për humbjet si shtet që ia ka shkaktuar Millosheviç. Ritheksoj që krimet e kryera gjatë luftës janë një gjë që nuk do ta harrojmë kurrë dhe nuk do të ndalemi asnjëherë për të kërkuar drejtësi. Presidenti i Serbisë e mohoi masakrën e Reçakut”- u shpreh ai.

Ai ka mohuar se kancelarja Merkel i ka kërkuar të bashkohet në nismën e Ballkanit të Hapur. Ai tha se bëjnë gabim ata njerëz që ushtrojnë trysni mbi Kosovën në lidhje me këtë çështje pasi trysnia duhet të jetë mbi Serbinë si detyrë e çdo shqiptari. “Ne shpjeguam qëndrimin tonë dhe ajo u interesua për mbarëvajtjen e dialogut që po bëhet ne Bruksel. Në dialog ka mospajtime të thella. Kur ka kërkesa të serbëve të Kosovës unë jam i gatshëm t’i dëgjoj mirëpo ankesave të Serbisë për humbjet që ajo i ka pësuar si shtet i padrejtë gjatë kohës që ka okupuar Kosovën nuk bëj dot gjë. Gjatë takimit unë falenderova Merkel për rolin dhe mbështetjen e saj. Merkel nuk më kërkoi që Kosova të përfshihet në Open Balkan. Ne nuk e konsiderojmë në interes të Kosovës të bëhemi bashkë në këtë nismë. Për raporte normale në Ballkan nuk duhet të ndryshojë Kosova, por Serbia. Bëjnë gabim ata që ndërtojnë trysni mbi Kosovën. Trysnia duhet të jetë mbi Serbinë që mohon krimet. Kjo është detyrë e çdo shqiptari”- tha Kurti.

Ai tha se së shpejti do të ketë një takim me kryeministrin Rama ndërkohë që tha se pas 3 ditësh do të jetë në Shkup për një takim mes dy qeverive. “Procesi i Berlinit është i nevojshëm edhe i mjaftueshëm për rrugëtimin Europian. Ballkani jo vetëm nuk është 3 shtete por nuk është as 6 shtete. Pasnesër do të kemi një takim me qeverinë e Shkupit, por iniciativa të tilla nuk duhet të bëhen pa BE-në brenda. Kosova është një shtet i pavarur për të cili ne duhet të angazhohemi të kërkojmë njohjen e saj dhe jo të shprehim mirëkuptim ndaj Serbisë. Në takim theksova se çdo mirëkuptim i tillë i kushton Kosovës. Ne do të kemi një takim edhe me qeverinë e Shqipërisë. Sa të formohet qeveria ne do të fillojmë iniciativën për takimin. Ne kemi shumë gjëra që na largojnë dhe afrojnë por kjo gjë na ndan”-tha Kurti.

38


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas