Nga Ralf Gjoni
Është e qartë se takimi Trump-Putin sapo ka hedhur themelet e një rendi të rendi të ri botëror, të udhëhequr tërësisht prej interesave pragmatiste të fuqive të mëdha dhe ekzekutuar me mjeshtërinë gangsteriale të një kaubojsi me armë në brez. Eshtë një skenar teatral që i ngjan më tepër filmave western se sa politikës së jashtme. Me politikën e re botërore, jo vetëm Shqipëria, por shqiptarët si komb dalin të humbur e të dobësuar, njëlloj siç dolën prej Konferencës së Jaltës në 1945.
Presidenti Trump është një president anti-konvencional, kontroversial në kulm, i zjarrtë, instiktiv e imponues, i cili me deklaratat e tij spontane e të papritura po tejkalon imagjinatën e shumicës së analistëve të marrëdhënieve ndërkombëtare e po lë me gojë hapur politikanët kryesorë të vendeve të aleancës perëndimore.
Brenda një jave në dheun evropian, Trump provokoi tërmet në samitin e NATO-s duke kërcënuar me tërheqjen e SHBA prej Aleancës më të fortë ushtarake në botë, u shpreh se mes NATO-s Britanisë dhe Rusisë, takimi me Putin mund të ishte më i lehti, ofendoi Kryeministren britanike Tereza May në shtëpinë e saj duke sugjeruar se plani i saj për Brexit nuk do të funksiononte dhe se Sekretari i Jashtëm i sapo-dorëhequr Boris Johnson mund të ishte një Kryeministër shumë i mirë për britanikët, si dhe theu të paktën dy protokolle mbretërore ndaj Mbretëreshës Elizabeth II. E më pas, një ditë përpara takimit me Presidentin rus Putin, e quan Bashkimin Evropian një armik publik të Shteteve të Bashkuara.
Për të mos u futur në detaje të tjera të bëmave globale të Presidentit amerikan, është e qartë se Trump ndjehet më rehat me Kim Jong-un dhe Putin se sa me politikanët përfaqësues të Kanadasë, Gjermanisë, Francës, Britanisë dhe teknokratët e Brukselit, të cilët, ne në këtë katundin tonë shqiptar i duam kaq fort.
Trump e luan politikën sikur të ishte një arenë boksi biznesi, ku nuk ka partnerë por vetëm konkurrentë, ku të drejtat e njeriut apo vlerat demokratike perëndimore janë vetëm fabula librash, e për rrjedhojë si bishë e fortë biznesi, Presidenti i ri amerikan nuk beson tek aleancat por tek lufta e ashpër për terren e fitim të një-anshëm. Për hir të vërtetës, Trump i ka qëndruar besnik sloganit të tij të sinqertë të fushatës elektorale “America First”, ku interesat e pastra komerciale amerikane prevalojnë mbi çdo të drejtë ndërkombëtare apo komb tjetër.
Në këtë kontekst, rendi botëror i pasluftës, një krijim thellësisht amerikan, ndërtuar mbi aleancën e kombeve perëndimore dhe mbi përhapjen e vlerave demokratike në botë si standard qeverisës – ka rënë!
Dhe kjo për amerikanët apo për vetë rrethin komercial e politik të familjes Trump nuk është aspak negative. Trump me të drejtë po i shërben maksimalisht dhe pamëshirshmërisht interesave pragmatike e strategjike të Shteteve të Bashkuara, duke e pozicionuar vendin e tij jo më si një fuqi demokratike me barrën për të nxitur demokracinë e mirëqenien në botë, por si më të fortin e lagjes, si një gangster me të cilin as nuk duhet të të shkojë ndër mend të përballesh.
Ndaj dhe popullariteti i tij në SHBA ka arritur maja historike, sepse votuesit amerikanë, pavarësisht rolit të padiskutueshëm global të vendit të tyre gjatë këtyre 70 viteve, nuk e njohin botën dhe as të mirat që ajo i sjell ekonomisë amerikane.
Në këtë kontekst, Trump beson se shkundja e themeleve të OKB, e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s e pozicionojnë Washingtonin në avantazh me vendet e tjera, ndërkohë që rrisin popullaritetin e tij brenda territorit amerikan. Dhe këtu ka të drejtë, sepse vepron me logjikën e një afaristi të egër që mendon vetëm për fitimin dhe aspak për produktin që tregton.
Në këto terma u zhvillua edhe samiti mes Presidentëve Trump dhe Putin, si dy të fortë të lagjeve respektive të cilët i dhanë dorën njëri-tjetrit për të mbrojtur interesat e tyre komerciale. Ky takim që më tepër i shërbeu Rusisë se sa SHBA, ka tërbuar shumë kongresmenë e senatorë në Washington, të cilët e kanë cilësuar samitin si të turpshëm e tradhti kombëtare.
Në fakt përmbajtja e takimit dhe ‘dashuria’ e re Trump-Putin sugjeron se ky takim i ngjan më tepër një Jalte të dytë, pas të cilit fshihet rendi i ri botëror që do vulosë fatet e shumë kombeve për një periudhë të konsiderueshme kohore.
Konferenca për shtyp Trump-Putin rikonfirmoi vullnetin e të dy vendeve për të negociuar pragmatikisht e mbi baza komerciale, si dy konkurrentë të denjë globalë e si dy fuqi të padiskutueshme bërthamore në botë.
Në mes të këtyre negociatave komerciale e bërthamore, dhe njëlloj si Jalta e parë (e cila si për ironi të historisë ndodhet në Krime), Shqipëria e shqiptarët si komb do marxhinalizohen e do injorohen gjithnjë e më tej, nëse ata vetë nuk bëjnë diçka për veten e tyre.
Është më se e qartë se SHBA ka vite që e ka humbur interesin ndaj Ballkanit duke ia deleguar ndjekjen e aferave politike e diplomatike të vendeve si Shqipëria apo Kosova, nivelit ambasadorial. Përqasja amerikane ndaj Shqipërisë filloi të ndryshojë pas Presidencës së Bush Junior ku Shqipëria në sirtarët e Departamentit të Shtetit ndryshoi statusin nga një aleat strategjik i amerikanëve në rajon, në një vend kandidat për BE. Prioriteti i ri i politikës së jashtme amerikane gjatë presidencës Obama ishte mbështetja e integrimit evropian të Shqipërisë, që de-fakto do të thoshte shkëputje graduale të SHBA nga rajoni.
E pra takimi Trump-Putin i cili vjen pas një antagonizmi të ashpër të Washingtonit ndaj Bashkimit Evropian, është lajm i keq për Shqipërinë, për Kosovën e për të gjithë shqiptarët të cilët duan të integrohen në një entitet problematik për Washingtonin, siç është BE.
Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, shkëmbimet politike e komerciale mes Trumpit dhe Putinit, ku të dy do japin diçka që të marrin diçka tjetër, mund të rezultojnë në një largim definitiv të SHBA nga rajoni i Ballkanit, i cili as që nuk hyn në interesat ekonomike apo strategjike të të dy vendeve, pavarësisht fabulave ballkanike që ne i tregojmë njëri-tjetrit.
Ndaj dhe në këtë kontekst të ri, Shqiptarët, si një popull demografikisht në rënie e provincial në çdo kuptim të termit, duhet të mendojnë për interesat e tyre pragmatike ekonomike për të ridefinuar aleancat e së ardhmes.
Tashmë që BE na e tha qartazi se nuk na e kanë ngenë, e pas skandaleve të njëpasnjëshme të teknokratëve pijanecë e qeflinj evropianë, politika e jashtme shqiptare duhet të fillojë të ndërtojë aleanca specifike me natyrë bilaterale, për t’iu përgjigjur nevojave imediate investuese në vend, sepse potencialet nuk mungojnë. Serbia ka vite që po e aplikon këtë strategji, dhe me shumë sukses.
Ndaj dhe sfida kryesore e politikës së jashtme shqiptare sot mbetet largimi prej përrallave me integrim e aleanca strategjike, dhe orientimi i interesave tona kombëtare thellësisht drejt interesave investuese që gjenerojnë punësim e mirëqenie për ata pak milionë që do mbesin këndej nga anët tona. Thënë shkurt me fjalët e Bill Klintonit, “It’s the Economy Stupid”.
Ndryshe kombi shqiptar do vetëmbytet mes eposit ballkanik ose do përfundojë duke i ndërruar pelenat ndonjë plaku gjerman…
Shkrim spekulativ. Paralelja me Jaltën mund t’i biente ndër mend vetëm një injoranti. E vetmja paralele që mund të tërhiqet në lidhje me këtë shkrim është ai me shkrimet në tabloidet e Beogradit.
O ZEQIR ti dukesh tamam si pjelle e Erdoganit me ate emer qe ke. Pse ca do presim te na hedhi ndonje kocke ai pijaneci Junker me kurvat evropiane? Ka te drejte shkrimi dhe eshte nga te rrallet qe flet te verteten.