Nga ora 12:00 e ditës së sotme ka nisur testimi i aplikimit të taksës për të kaluar në Rrugën e Kombit, që do të aplikohet pas dhënies së saj me koncesion nga ana e qeverisë.
Testimi pritet të zgjasë rreth dy javë, ndërsa qarkullimi me pagesë pritet të fillojë rreth datës 15 prill. Tarifat e miratuara janë 5 euro për çdo kalim, për veturat e vogla dhe 10 euro për autobusët dhe kamionët.
Taksa do të aplikohet në 4 sportele të ndryshme, nga dy për çdo kah të lëvizjes, ndërsa synimi është që nëpërmjet saj të sigurohet mirëmbajtja e këtij aksi rrugor.
Ky vendim ka hasur në kundërshti të shumta sidomos nga ana e banorëve të Kukësit dhe zonave përreth, të cilët e përdorin më shpesh rrugën.
Nëse autostrada realizon minimumin e trafikut për një aks të këtij niveli, 7 mijë makina në ditë, siguron një të ardhur vjetore minimumi 13 milionë euro pa llogaritur tarifat më të larta që pritet të vihen ndaj automjeteve të rënda (furgonëve, autobusëve dhe kamionëve).
Kjo shumë prej 13 milionë eurosh do të paguhet nga përdoruesit e rrugës që janë kryesisht qytetarë të zonës veriore dhe verilindore të vendit, kosovarëve dhe bizneseve që tranzitojnë dhe eksportojnë mallra nga kjo rrugë.
Ndërkohë që kostoja e mirëmbajtjes së aksit është vlerësuar nga Ministria e Transportit me 8 milionë euro.
Mirëpo kjo pagesë është e treta që qytetarët po bëjnë për Rrugën e Kombit.
Së pari, taksa e qarkullimit mbi karburantin me 27 lekë për litër, që kryesisht ka funksion të gjenerojë fondet për mirëmbajtjen, paguhet nga të gjithë përdoruesit e automjeteve kur konsumojnë naftën. Kështu vetëm nga taksa e qarkullimit, buxheti i shtetit vjel 19 miliardë lekë ose afërisht 150 milionë euro, shumë kjo e mjaftueshme për mirëmbajtjen e rrugëve.
Ndërsa pagesa e tretë që qytetarët e Shqipërisë po bëjnë për Rrugën e Kombit janë interesat që paguhen në mënyrë indirekte nga taksat për të shlyer huan mbi 300 milionë euro që u mor në vitin 2008 për ndërtimin e saj.
Shoqata e Hidrokarbureve i ka bërë thirrje qeverisë që në momentin që do vihet taksa e koncesionit mbi Rrugën e Kombit duhet të ulet taksa e qarkullimit mbi naftën, pasi do të ishte jashtë logjike që qytetarët të paguajnë më shumë se dy herë për një shërbim.