Teknologji

Taksim gjigantëve të internetit






               Publikuar në : 20:30 - 09/06/19 |
mapo.al

Ekonomitë më të mëdha të botës kërkojnë që gjigantët e internetit si Google apo Facebook të paguajnë një barrë më të drejtë fiskale.


Të mbledhur të shtunën në Japoni, si pjesë e grupimit G20, ministrat e financave të SHBA-së, Kinës, Francës dhe Britanisë së Madhe deklaruan njëzëri se kompanitë shumëkombëshe të botës virtuale po shfrytëzojnë të metat e sistemeve financiare për të shmangur taksat.

Në panel u shtrua problematika e kompanive të internetit që i zhvendosin veprimet financiare në vendet me regjime të ulëta fiskale, si Irlanda apo Luksemburgu.

Të pranishmit e cilësuan këtë praktikë të padrejtë dhe theksuan nevojën urgjente për një reformë globale.

Ministri amerikan i Financave, Stivën Mnaçin, kërkoi të gjendet një baraspeshë mes taksimit të kompanive digjitale dhe atyre tradicionale.

Homologët e tij francez dhe britanikë thanë se masat e reja merren edhe në interes të qytetarëve, të cilët me të drejtë pyesin se pse duhet të paguajnë taksa kur kompanitë vetë përdorin skema evazive.

Aktualisht po shihet varianti i taksimit të kompanive teknologjike sipas vendit ku shesin ose ofrojnë shërbimet, dhe jo ku kanë selinë e tyre.

Nëse vijohet me shfrytëzimin e parajsave fiskale për qëllime fitimi, atëherë për këto firma do të propozohet një taksë minimale në rang botëror.


Etiketa: , , ,

Pas