Aktualitet

Tallja e radhës me mësuesit e atij që shkatërroi arsimin shqiptar














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:56 - 12/10/20 |
Ndriçim Mehmeti

Pak ditë më parë mësuesi i vizatimit për arsimin fillor, që për aksident të historisë qëlloi të bëhet kryeministër i vendit, guxoi të tallet sërish me mësuesit e arsimit parauniversitar. Plot arrogancë, me një zë të çjerrë e të zvarrët, me fytin e tharë prej mallit të marrë pa kriter, deklaroi se do të “rrisë me 40% përqind pagat e punonjësve të sektorit të shëndetësisë dhe me 15% të arsimit parauniversitar”.






Unë prisja që ndonjë prej gazetarëve që iu drejtuan kryeministrit herë me zell, herë me ironi e herë me tërsëllëm, t’i bënin një pyetje shumë të thjeshtë: Si mund të marrin më shumë, ata që mësojnë nga ata që i mësojnë, z. Kryeministër? Kjo pyetje nuk u bë asnjëherë këto ditë dhe nuk është bërë asnjëherë në shumë vite. Pa asnjë dyshim që është e drejtë legjitime, që gjithkush të kërkojë një pagesë të mirë, kushte të mira pune, të jetë i mirëqenë, i vlerësuar, i respektuar me dinjitet dhe motivim për profesionin dhe kontributin që jep.


Por nga ana tjetër, është një kategori që është gjithnjë e gatshme në shërbim të dijes, për dhjetëra e qindra profesione, për edukimin e brezave të tërë, për modelin që ata japin në shoqëri dhe këta janë mësuesit. Askush më shumë se mësuesit nuk ka të drejtën, të ngrihet, të kërkojë një pagesë më të mirë, kushte shumë herë më të mira pune, respekt, dinjitet, integritet profesional.







Mjekët, infermierët, logopedët, punonjësit mbështetës të shërbimit mjekësor, inxhinier etj., kalojnë nga duart e mësuesve dhe pedagogëve, për të dalë më pas në jetë si profesionist dhe si njerëz. Ata mbartin brenda vetes së vet, jo pak virtyte të mësuara, apo të kopjuara prej mirëbërësve më të mëdhenj, pas prindërve në këtë jetë, mësuesve. Ata përpiqen t’u ngjajnë atyre, të vishen si ata, të sillen si ata dhe të bëhen të ditur si ata. Pasi kanë dalë në jetë, ata sigurisht kërkojnë të bëhen të suksesshëm dhe është shumë mirë, të kërkojnë të bëhen edhe më të suksesshëm se ata që i mësuan. Kjo do të thotë të kërkosh sa më shumë nga vetja.




Megjithatë, nëse i pyet, thellë në vetëdijen e tyre, të gjithë mendojnë dhe e thonë jo pak herë “ku i kanë katandisur mësuesit e shkretë”. E sikur të mos mjaftojë kjo keqardhje, që duhet të ishte një klithmë, shumë ulërima, një masivitet njerëzish, që të lëkundnin deri në themele ndërtesën e kryeministrisë, me thirrjet e tyre, tani vjen edhe diskriminimi në pagë, veprim të cilin e merr përsipër kryeministri i vendit. Si mundet z. kryeministër, që të vlerësohet më shumë një mjek, infermier, logoped etj., se mësuesi që e ka përgatitur, është kujdesur, e ka mbështetur në rrugën e dijes, është përpjekur ta bëjë njeri të mirë për shoqërinë?



Mos është ky diskriminim një lëvizje me detyrim përcaktim për shkak të Covid-19?

Ndonëse u përpoq të shitej si e tillë, nuk është. Madje edhe sikur të justifikohej me mbështetjen e personelit mjekësor, si një motivim më shumë në kohë pandemie, përsëri nuk është argument bindës. Kjo për faktin e thjeshtë se z. Rama është personi, të cilit i atribuohet drejtpërdrejt shkatërrimi i arsimit dhe urrejtja që ai ka ndaj dijes dhe mësuesve e pedagogëve, në veçanti.

Kryeministri i vendit është njeriu që prej 2013 e deri më tani, nuk ka dhënë asnjë shpërblim për mësuesit për fundvit. E njëjta gjë edhe me pagat. Rama ka firmosur një rritje të pagës së grupit për mësuesit në 2017 ose e thënë ndryshe një shtesë në rrogë, prej 600-980 lek për çdo mësues, ndërsa sot kujtohet se i ka ardhur radha të kenë një rritje të “qenësishme”, 15%, kundrejt 40% të mjekëve. Kjo duket më shumë si një lëmoshë nga Rama, sesa një rritje e merituar page për mësuesit, si një borxh të pashlyer që shoqëria jonë ka ndaj tyre ndër vite. Madje edhe mënyra sesi Rama e shpalli këtë rritje ishte tejet mospërfillëse, me një përtim të madh, duke mos komentuar më shumë. Ndërkaq që përmbaruesja e tij në Ministrinë e Financave Denaj, na nxori shifra të pagës, që një Zot e di se ku i kishte marrë, apo kush ia kishte servirur këtë mashtrim të madh.

Por le të kthehemi tek argumenti i mësipërm: Përse themi se Rama, i ka diskriminuar mësuesit dhe në tërësi arsimin? Për faktin se ai tmerrohet nga dija. Në rrugëtimin e tij, si kryeministër ai e ka treguar më shumë se një herë, se ka vlerësimin më të ulët për arsimin, angazhimin më të pakët politik për këtë sektor që është shoqëruar dhe me një financim qesharak nga buxheti i shtetit.

Rama zgjodhi për ministre një njeri që nuk ia kishte haberin arsimit dhe me një karrierë mëse modeste, në ato vite që ka punuar në këtë sektor. Lindita Nikolla, në vend që të dëgjonte ata që dinin dhe i dhimbsej arsimi, i dha rëndësi të dorës së parë pamjes së saj të jashtme dhe rikonstruksionit të Ministrisë së Arsimit, duke e kthyer në formën e një pallati, që shndrinte nga jashtë dhe qelbej nga brenda prej paaftësisë dhe tualeteve pa ajrim. Me një të rënë të lapsit, plotësoi të gjitha dëshirat e shefit të saj, Ramës, duke zhbërë çdo arritje në arsim dhe duke vënë në zbatim planin për shkatërrimin me themel të tij. Zysh Lindita, siç kishte qejf ta quante Rama, filloi luftën në dy fronte: Në nëntor 2013, shpalli të hapur ankandin për shkatërrimin e arsimit parauniversitar, duke grupuar këshilltarë, numërues votash të minibashkisë, shokë e shoqe rreth vetes, që spikasnin për paaftësi, ligësi, arrogancë, hipokrizi dhe urrejtje ndaj mësuesve, pedagogëve, dijes dhe shkencës, ndërsa në vitin 2015, u deklarua si viti i rrënimit të arsimit universitar. Me plot vrull, bindje të palëkundur ndaj shefit të saj në krye të qeverisë, Lindita mendoi se do të hynte në histori si ministrja më jetëgjatë e një mazhorance, kreut të së cilës i kishte shërbyer me bindje të verbër ekstreme.

Shefi e hoqi qafe pas 5 vitesh e kusur dhe gjeti një zëvendësuese të po atij kalibri e madje më të keqe se Lindita, Besën. Kjo e fundit ishte shumë më e zellshme ndaj detyrave të lëna nga Rama dhe nuk kurseu asgjë që kishte mbetur, duke nisur e përfunduar atë që la në mes Lindita në dhjetor 2018: Shkatërrimin e plotë të jetës universitarë, përmes “Paktit për Universitetin” dhe zgjedhjeve “model” në kohë të COVID-19 për organet e universitetit. Pasi kryen me shumë sukses detyrat e lëna prej tij, Rama e zëvendësoi edhe Besën, duke u kthyer te të preferuarat e tij, zyshat. Këtë radhë përzgjodhi zysh Kushin, e cila, veç aftësisë për të futur frikën në radhët e nxënësve që nuk mbajnë maskë, ka disa cilësi të përafërta me Linditën: Pasioni për veshje, foto, takime me pleq, të rinj e të reja dhe mbi të gjitha besnikërinë e pakufishme ndaj shefit të saj. Madje zysh Kushi e deklaroi hapur, se në atë post “kishte shkuar për të nderuar kryeministrin” jo se kishte ndonjë detyrim ndaj arsimit.

Nuk duhet harruar se në rrugën e tij drejt shkatërrimit të arsimit Rama, pati si mbështetje dy faktorë shumë të rëndësishëm: Mësuesit dhe prindërit. Të dyja palët me heshtjen, frikën, aprovimin në disa raste, e bënë Ramën edhe më të palëkundur në planin e tij për shkatërrimin e arsimit. Ndaj sot pak kush ka të drejtë të ankohet. Shumica e njerëzve duhet të kërkojnë falje që e lanë një njeri që mund të quhet aksident i më i madh politik në historinë shkurtër të demokracisë, t’i vinte shkelmin në fyt arsimit e t’ia merrte shpirtin pak nga pak. Tani ka vetëm një mundësi: Ta rrëzojë e ta hedhin në koshin e plehrave të historisë siç e ka mëritur prej kohësh ky njeri dhe të ngrenë zërin për çdo kohë, për mësues të mirëpaguar, me dinjitet dhe integritet profesional.

 

1


Etiketa: , ,

Pas