Nga Fisnik Biba
Pas një viti e gjysëm hetimi prokuroria shqiptare nuk arriti të sjellë prova të mjaftueshme për ta bindur gjykatën, në procesin kundër Tahirit, për fajësinë e tij. Akuzat, që veç t’i përmendësh të bëjnë të zësh kryet me duar – si trafik ndërkombëtar droge – nuk ishin të shoqëruara me prova bindëse. Ato barra prove që të gjithë ne i dimë, i kemi parë, dhe është fort e vështirë të jenë ndryshe nga ç’kanë përcjellur shqisat me erën trullosëse të këtyre viteve, prokuroria shqiptare, nga e cila ndikohet drejtpërdrejtë shoqëria jonë, nuk qe e aftë t’i korrë.
Tahiri u shpall i fajshëm vetëm për shpërdorim detyre. Një dënim ky sa i kotë, po aq edhe qesharak. Kjo për dy arsye: së parë, ky është një motiv për t’i hapur dyert e qelive gjysmës së administratës publike në këto vite; së dyti, ky është një dënim që ta mat hurin te kryet e të gjuan në këmbë.
Por as këmbët e Tahirit nuk do ndjejnë dhimbje. Ai nuk do ketë asnjë ditë të vetme heqje lirie, sepse gjykata, akoma më e mangët se prokuroria, vendosi që ky dënim të kalojë me paraqitje e shërbim pune. Pra, në pak fjalë, nga pluhuri e stuhia e një ngjarje madhore, nga një ditë që mund të ndante njëherë e mirë mosndëshkimin në radhën e zyrtarëve të lartë, u kthyem dëshpërimisht në një qiell të qetë dhe në ditën zero. Mbjellja e vendit me cannabis sativa në 2016 mbeti fillikat, pa bijtë e saj. Vetëm ca kushërinj.
– Dhe ja, – komentoi në Twitter, kryeministri pak minuta para vendimit, – një shfaqje unikale në Shkodër!
Mesazhet e kryqëzuara nuk janë të vështira të kapen nga kushdo. Ja një shfaqje unikale: një masë dënimi që nuk i prish punë askujt; një mënyrë për të mos lëshuar asnjë nga ishbashkëpunuesit e ngushtë; një vendim për t’i mbyllur gojën e për t’i lënë të gjithë pamend. (Siç përsëriti dhe Tahiri disa herë në dalje: S’di ç’të them! Me të vërtetë, s’di ç’të them!)
Dhe këtu po shtoj një vështrim tjetër të komentit. Gjyqi më i rëndësishëm i viteve të fundit, kthehet në një shfaqje të pashoqe në Shkodër. Një kryeministër që nuk lë pa komentuar as një mizë kali që ulen në vithet e një mushke në Divjakë – duke na përcjell momentet e natyrës së virgjër në Shqipëri – hyn në proces me fjalët: Shfaqje unikale në Shkodër.
Kur pyesni pse ka aq shumë zemërim ndër njerëz kur zbresin në protestë, kur ikin nga sytë këmbët nga ky vend pa kthyer kokën mbrapa, kur shfryejnë se nuk bëhet ky vend, përgjigja është pikërisht kjo tallje, kjo shpotí e egër prej sunduesi që edhe të shkel edhe të vjedh edhe të lë pa fjalë. Dhe prap zgjohet nesër me të njëjtin motiv në buzë, si një fishkëllimë tallëse për drejtësisë sonë të stërvdekur.
/Mapo.al