Nga Adriatike LAMI
Poezi
Tango në Prill
Kërce me mua, ma merr dorën,
Nën hijen e hënës më vërej gjatë.
Kërleshi këmbët si nëpër pe dëshire,
Zjarr bulëzo, ndiz me bashkën e artë.
Kërce me mua, ashtu trup më trup,
Ngjitur sa hapi të bëhet njësh unik,
Të shoh në sy ,më drejton thellë syri yt,
Ai është tamam muzikë e kthjellët, muzikë.
Po ç’është ky vallëzim i panjohur më parë,
Që qenia e pranon ashtu krejt rrëmbimthi!?
Më tremb epiqendra e saj e bardhë, e rrallë,
Më çmend sharmi i beftë, pasoja si stuhi dimri.
Kërce thjesht me mua, besoi hapit tim shpirt,
Aty bashkohen lumenj gjaku, mendje, zemre,
E ti i dashur, që ke vozitur lundra joshjesh pafund,
Po hutohesh pakëz nga ky përrua i vërtetë jete!
Është tango mahnitëse ky kompozim prilli,
E re, si re bore me shkulm rrënues pranvere,
Sa shumë e duan ta mësojnë ritmin nga ne,
Ata, që mëkojnë sinkron dashuri të përjetshme.
Unë jam French-i yt
Unë jam puthja e jetës për ty i dashur,
Kulpër mbrëmjeje mbjellë në kraharorin tënd!
Largoji kohët nga njëra –tjetra, ndale atë tren.
Ëndërro vetëm me mua, jo më me kërkënd.
Oh, sa më pëlqen të jem puthja e artë, i dashur
Të përskuq si lulëkuqe çdo përfytyrim mbi zjarre,
Kur mëngjesi të vijë me mua, zgjeroje atë shtrat,
Kujtesë të mos ketë më, por vetëm të ardhme.
Sërish t’ia nisim, sërish me një puthje franceze magji.
Ashtu le të ndihet natyrshëm, e veçanta jonë, art në baltë.
Çdo gjë që ke dashur e ke përpara, i dashur mbaje në gji,
Vështromë ti mua, pas një malli, le të shpiket një mall i ri.
Vendet ku pi vetëm
Të kam thënë i dashur,
Që kam ca vende të vogla, të qeta,
Ku pi pa u dehur vetëm,
Në ditë, ku reflektimi bëhet farë.
Të kam thënë i dashur,
Që ekzistojnë shtëpitë e diellit,
Ku më ruhet dashuria,
Ndërsa është në udhëtim.
Çfarë dëshiron të dish më shumë!?
Ato vende nuk t’i rrëfeva;
Sepse nuk dua të vijë ndarja,
Dhe askurrë herët vdekja…
I dashuri im, dëgjomi lutjet,
Vendet ku surb vetëm,
Janë mbretëritë e mia,
Që tashmë dua t’i ndaj aq shumë me ty!
Lumi gjarpëron si zemër burri në vlim
Po ndjek sot në gjarpërim rrjedhën e lumit,
Edhe në cektinë të tij ka vrull deri në tërbim.
Eh, ky është së gjalli vendi i shenjtë i qytetit tim.
Thonë që rrjedh mbi trupin e një gruaje,
Kur secila prej tyre shtrin kurmin, i josh shtratin,
Ndonëse sapo ka shkuar nga një burrë.
Kërcënon lumi, sapo rreket të kalojë anën tjetër,
Rrëshket këmba në gurë të bardhë, të egër.
Myshk ka fundi, si dhuratë dashurie të shkuar,
Diku papritur ndesh vazat, si oaze të praruar.
E çuditshme se si lumi ka formë, aromë dhe shije burri.
Dorë si e tij, trup e bindje të paqtë, sy të kalitur,
Më pas zemër të çarë deri në pabesi,
I frikshëm në derdhje, si fjalë e dalë nga grykë nxitimi,
I qartë në rrjedhë, si shpirt burri, kur shfaq huti.
Kërko i dashur të jesh pjesë nga e tëra e tij.
Nëse tani te buzët e lumit të shkon mendja,
Zbulo se unë sot këmbët dhe trupin preh në ato ujëra.
Kaq ndryshe nga hapësirat e paana të detit,
Që mua më ngjan me shije gruaje në amësim,
Shumë më ndryshe nga liqeni me pjalm kripe,
Dhe udhë të gënjeshtërta drite.
I pakrahasueshëm me pellgjet që flenë pa jetë,
Duke ngrënë në një stinë, stinën e vet.
Dhe përrenjtë si fëmijë të prapë,
Që rriten në kërkim të atit.
Ka pak ndryshim në gjërat që kërkojmë;
Në det, përrua, pellg, liqen, lumë.
Pranë lumit s’ka relike, as hapësira,
Se prek horizontin dot me sy;
Nuk i ndalet pranë njeri, vetëm ecin,
Edhe pemët janë të përkulura gati për krisje,
Perëndimi dhe lindja kanë një pikënisje.
Por në shtratin e lumit, duken aq vlagë dashurie.
Ka jetë që rrjedh si në deje njerëzore,
E një grua fiton aq shumë siguri…
Si pranë të dashurit, që fal për herë të parë kufij.
Ndaj erdha sot, buzë lumit të shtrirë të qytetit tim
Të përfytyroj edhe njëherë fytyrën e atij burri..
E vjetër sa bota e dashurisë kujtesa jote
Kujtesa në mua po thyhet butë nga ti,
Si çati shtëpie me tjegulla të krisura,
Por sa më pëlqen, mrekulli kjo skenë,
Që s’kam hatërmbetje të shpallura.
Kujtesa e burrit, po zgjohet prej harrimit,
Si reliket e zbuluara nga arkeologë të zotë.
Me vraja në trup ndjenjë e burrit,
Më lër t’i prek, t’i shëroj plagë të një luani,
Ti je gjallë , nuk je baltinë jargavani.
Eh, mos m’i fshih pamjet e rralla të syrit,
Kur gënjeshtrën nuk do ta lërë mbi qerpikë,
Kështu janë ëndrrat e dashurisë, të vetmuara,
Zbukuruar prej dhimbjeve të gjata, mjegullnaja,
Po ne i dashur ia hoqëm kurorat, e thjeshtuam pamjen,
Për të luftuar në vatra të ndezura, jo vetëm nga flaka.
Dëgjomë sonte, për çdo këngë, varg, besë, hap lirie;
S’ka si e jona kudo ndaloftë kjo sagë dashurie.
Ishujt mbi liqen janë ëndrra për ty
Ishujt mbi liqen janë ëndrra për ty,
Kitarat e Lorkës janë reminishencat tona,
Të zvargura me shkumë të bardhë si dallga,
Duart tona kryqëzohen shpesh para aktit final,
Zhurmë bëjnë si llavë vale, që stepet në breg,
Varkat janë fjalë të ngecura në fyt nga dëshira,
Dhe drita larg në anën tjetër është pritja ime,
A po vjen, mik i zemrës?
E thekur do të të pres deri në mëngjes,
Kaq është koha, që varka të fluturojë matanë,
Bloja ime e fatit…
Mos bluaj më dashurinë tonë!
Prite mëngjesin buzë detit,
Që liqeni dhe unë të të kujtohemi.
Shihi ishujt mbi det,
Ngjajnë aq pak me ishujt mbi liqen;
Se të parët janë fare, që nuk i arrijmë,
E të dytët, ëndrra jonë që dhemb.
24 orë nga mungesa e burrit që dua
Pak kohë nga ndarja, shkel në fusha të pambjella,
Sikur vite na ndajnë, unë e pandryshuar brenda,
Njësoj si ardhja, njohje e vjetër nga një jetë ndryshe,
Çfarë dashurie, me forcë të vërtetë mallkimi;
Qetësia, shkulmi dhe dielli në lojë dominimi.
E dëgjon zilen, si muzikë është në sfond etja,
Fiks në datën, sekondën, kur ndodhin parathënat,
Honi është i thellë, sa sende mori e pabindur era,
I hodhi thellësisë së tij, furia mblodhi në fund bëmat.
Unë nuk po njoh më kufirin që ndan këtë orë,
Nga çdo orë tjetër në lëvizje, koha është pushtuese.
Kjo ditë e parë është si varri i bukurosheve të fjetura,
Ku uria shuhet me kujtime, njëra më e bukur se tjetra,
Ku asnjëri nuk ka faj, për lugjet që duken të vdekura.
Ndize dritën e asaj prite, të ndritë udhën e shpirtit,
Shihe! Po lind ëndrra, dëshirë prej lartësisë së zgjimit,
Ndërsa ajo vjen në jetë, ti shkon, i mbrojtur nga një re;
Shi të derdh mbi kokë, shi që përbetohet për atë ç’ka le.
Je kthyer kaq shpejt në hije të hijes sime, kësaj stine,
Kur unë mbush qenien me shije burri të plotë;
Ah, odë më odë aroma jote shëtit, s’do të ikë kurrë,
Dhe ti do mbrohesh në tenda, ku rrezet janë shosh.
Ajo që s’do shoh kurrë është, se si do mundesh,
Këtej e tutje, ndërsa më njohe, pa mua të jetosh!?
Ndërsa bota është kaq e vogël, sa rrotullohet në 24 orë.
Ne kemi historitë tona
Të pafjetura janë historitë tona të gdhendura,
Zgjohen sa herë i gërricim lehtë me thumb fjale,
Unë plagë i bëj e pastaj i lëpij t’i shëroj shpejt,
Ti hap gropa, gropa dhe pastaj bën male, male…
Ngacmuese janë historitë e secilit prej nesh,
Dashurisë i rrinë në prag gati, ashtu si pabesitë,
Unë anohem nga njëra prej tyre përkohësisht,
Sa, përveç meje, ty tjetërkënd mos të t’shohin sytë.
Historitë tona si e vërteta gjithmonë më dy pamje,
Monedhë e mbytur nga plasja e brishtë e dashurisë,
Unë iki, kur dëgjoj zhurmë circes së pabesa, mjerane;
Ti mbërthyer prej tyre, mesnatën time zotëron, ndrit.