Konsorciumi i gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP) mirëpret partnerë nga Greqia dhe Italia, pas përjashtimit të Gazsjellësit ITGI, që kalonte nga këto dy vende, për të sjellë gaz në Europë. Kështu është shprehur menaxheri i TAP për Greqinë, Rikard Scoufias. Në intervistën e dhënë para dy ditësh në Athinë, Scoufias ka deklaruar se gazsjellësi do të hyjë në Greqi nga kufiri me Turqinë, dhe do të kalojë në Shqipëri për të dalë në Itali.
Grupi i udhëhequr nga British Petroleum (BP) po zhvillon fazën e dytë të bisedimeve në fushën e Shah Denizit, ku duhet të përzgjedhë brenda muajit Qershor midis gazsjellësit te Europës Juglindore dhe projektit Nabucco. Në fazën e tretë, fituesit do t’i duhet të konkurrojë me projektin TAP dhe vendimi do të merret nga mesi i vitit 2013. Scoufias është shprehur se vendim final do të merret nga konsorciumi i Shah Denizit, dhe ata tanimë e kanë marrë një vendim pasi janë shprehur në unanimitet se është vendimi final.
Projekti TAP shtrihet në pjesën më të madhe të tij në territorin grek, duke siguruar për vendin tregun më të madh të eksportit të gazit dhe duke e vendosur në qendër të politikave energjetike europiane. Zhbllokimi i të ashtuquajturit “korridor jugor” është një element kyç për strategjinë e Bashkimit Europian mbi sigurinë dhe diversifikimin e energjisë. Greqia do të përfitojë nga projekti TAP rreth 2 miliardë dollarë në investime të huaja direkte, do të hapen mbi 2 mijë vende pune dhe pjesëmarrja e aksionerëve të projektit TAP, si kompania zvicerane EGL, Statoil-i norvegjez dhe kompania EON gjermane, përçojnë një mesazh të fortë përsa i përket besimit të investimeve në Greqi. Krerë të fondacionit grek për Politikat Europiane dhe të Huaja, Thanos Dokos dhe Theodhoris Tsakiris, janë shprehur se tani që u bë përzgjedhja nga konsorciumi i Shah Denizit, qeveria greke duhet të mbështesë menjëherë projektin TAP dhe të thjeshtëzojë procedurat për zbatimin e tij në terren në një kohë sa më të shkurtër.