Mediat italiane vazhdojnë t’i bëjnë jehonë vrasjes së trefishtë në Elbasan. Ngjarja e rëndë u regjistrua në fund të dhjetorit pranë rrethrrotullimit të Bradasheshit.
Për pasojë në atentat humbën jetën Endrit Alibej, 34-vjeç dhe Arben Dylgjeri, 56 vjeç, xhaxha e nip, të dy nga Elbasani si dhe shtetasi Erdal Duranay, 51 vjeç nga Turqia. Burime konfidenciale nga policia thanë se makina Range Rover ka marrë 18 plumba në krahun ku ndodhej 34-vjeçari dhe 7 në sediljen e pasme ku gjendej turku.
Objektivi ishte Endrit Alibej.
Gazeta italiane ‘La Stampa’ shkruan se krimi mund të jetë një larje hesapesh e mundshme mes klaneve rivale. Rasti lidhet edhe me prokurorinë e Astit sepse Alibej në vitin 2013 ishte në qendër të një hetimi maksimal nga ana e karabinierëve, të koordinuar nga prokurori publik Maria Vittoria Chiavazza, për trafikimin e kokainës midis Holandës dhe zonës së Astit.
Siaps gazetës, Endriti, i lindur në Elbasan më 17 tetor 1984, njihej me nofkën “Tarzani” kurse herë pas here përdorte mbiemrin e nënës, Dylgjeri. Por ai gjithashtu kishte emra tjera, të tilla si ai i shtetasit rumun Gabriel Manu ose grek Dimitrios Kriporis. Një kriminel i dyshuar ndërkombëtar që i përkiste një rrjeti evropian droge, për të cilin heqja e kufijve kishte qenë elementi vendimtar për të bërë biznes, shkruan gazeta.
Ai ishte shpërngulur shumë i ri në Asti dhe deri në vitin 2012 jetonte me të dashurën e tij në një apartament në zonën ‘Corso Casale’. Ai kishte një apartament “të pastër” me qira. Në shkurt të vitit 2012 policia hyri në banesën e tij duke fotografuar drogën dhe fletoren me llogaritë e organizatës kriminale.
Hetuesit peshuan drogën, të fshehur në një kuti me uiski, duke e lënë sërish në dhomë në mënyrë që të mos rrezikonin hetimin. Në qershor të vitit 2013 nisi operacioni “Cocash” që solli arrestime të shumta. Endriti nuk u gjet. Në vitin 2014 ai u dënua në mungesë nga gjyqtari Giacomo Marson me 5 vjet dhe 4 muaj burgim dhe 30 mijë euro gjobë.