Mapo Letrare

Të çmendurit e fëmijërisë sime (ese)







Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 13:29 - 12/10/19 |
Mark Simoni

Nga Mark Simoni


Akoma dhe sot e kësaj dite, pas kaq e kaq vitesh, kur tashmë unë jam bërë burrë dhe qyteti im i vjeter nuk është më, (u shemb e u rropos i tëri nga tërmeti i tmërrshëm i prillit ‘79), nëpër rrugët e vjetra me kalldrëm, ashtu dhe në kujtesën time, vazhdojnë të barisin e bredhin të marrët dhe të luajturit mendsh të qytetit të fëmijrisë sime, megjithëse ata kanë vdekur e shkuar prej kohësh.


Njëri prej tyre ka qenë Luma, një plak që mbante lidhur në brez një rreth të madh, në të cilin pati vënë qindra çelësa, të mëdhenj e të vegjël, të ndryshkur e të rinj, të saktë e batalla. Aq çelësa sa nuk i kishte dot i tërë qyteti. Dhe shëtiste me ta gjithë ditën e ditës, dhe i binte vërdallë qytetit qosh e më qosh.



Unë nuk e di nëse nga tërë ajo tufë çelësash ka funksionuar të paktën ndonjëri. Luma qe i mjerë, dhe s’kishte për të hapur kurrë në jetën e tij ndonjë kanavetë teneqeje ku fshihte lekët, ndonjë valixhe letrash e dokumentesh të rëndësishëm, ndonjë arkë teshash të reja, ndonjë kapanxhë a kapak.


Ngaqë jetonte i vetëm, në një kthinë të vogël nën ca shkallë, për çudi dhe dera e vet nuk kishte çelës, mbasi ai e mbyllte vetëm me një gozhdë të madhe. Kurrë nuk mësova se, a hapën ndonjëherë gjë ato çelësa. Por ama për një gjë jam krejt i sigurtë. Ai padyshim e ka kujtuar veten për tjetër njeri, (që patjetër i duhen çelësat), mbase gardian burgu, mbase njeri banke, mbase pronar hani, mbase ruajtës thesaresh.


Se nuk kishte se si ndodhte, që Luma i ruante me aq shpirt çelësat e tij.

Kjo më ka kujtuar shpesh Shopenhaurin, që në prag të vdekjes, i mundur nga çmendimi thoshte: Më duket vetja fatkeq, Kam një pështjellim në kokën time. E kam ngatërruar veten për një tjetër njeri. Herë jam i pandehur në një proces, herë ndihmësi i një perandori, herë një hulok që s’del dot nga shtëpia”.

Dhe kjo më ndihmon të kuptoj budallenjtë e qytetit tim, atje në fëmijëri, ku të marrët janë më shumë interesantë, se sa budallenj, shumë më tepër përsonazhe përrallash dhe trillesh, se sa aq realë sa dukeshin. Njëri bridhte me një hinkë të madhe sa gazepi në dorë, e i binte pash e në pash qytetit, duke dhënë lajmet për luftën në Kamboxhia, Vietnam e Laosi. E thërrisnin Hidri i Milotit. (Mbase pati ardhur aty pikërisht nga Miloti).

Tjetri, Marka Fana thoshte se qe “Mbreti i Arabisë”. Mbante në brez ca thika dhe shpata të ndryshkura, kishte mjekërr dhe rrifte gjoksin e bërtiste me të madhe se, qe mbreti i Arabisë. Dikush më tutje, i veshur me një xhaketë të vjetër polici, (ku dukeshin akoma shenjat ku patën qenë gradat dhe spaletat e dikurshme), drejtonte në mes të pazarit, me një tabelë allosoj, trafikun e atyre pak makinave që iknin rrugës. E kam dhe sot në kujtesë Nuzin e sarikanës, që në një bodrum të errët, nëpër ca kazanë të mëdhenj, mes avujsh e magjishë, ziente lëngje parfumesh, dhe lutej që blerësit të kishin fat në martesë.

Prena e spitalit, që bekonte ujin e përrenjëve ku lante kokën, me ca flokë të gjatë shtrigash. Më kujtohet Ndoc Kadoshi, me kostumin e tij bezhë, dhe këpucët e bardha, me mustaqet spic dhe favoritet si harta e Italisë. Thoshte se kishte qenë aktor i madh filmash, (por filmat i qenë ndaluar), dhe se kishte qenë parashutist në kohë të luftës.

“Më mirë të mos i ishte hapur parashuta, dhe të mos e kishim sot nëpër këmbë, me gjithë këto rrena që na thotë, e të kishte vdekë njëherë e përgjithmonë”, e mallkonte Tina, gruaja për të cilën thuhej se qe e dashura e fshehtë e Ndocit, por që e urrente për vdekje sa herë që ziheshin. Po, a harrohet Nedusha me këpucët me taka që ishin dy numra më të mëdha se këmba, me një buzëkuq të ndezur dhe që e zhgrryente pa kujdes rreth e rrotull buzëve, dhe që kishte merak pikat në fytyrë, që i bënte me laps kopjativ.

Po Neja që i binte dajres së shpuar dhe Qerja hidhte valle, këmbë zbathur, mes pluhurit, në breg të Drinit. Dhe befas, në mes të valles, ia shkrepte të qarit, se i kujtohej që ishte jetime. (Qerja atëherë i kishte kaluar të 70-tat). Po Kurti i dhive, që i binte mes përmes qytetit, me dyqind këmborë dhe këndonte këngë të trishtuara, (në të cilat kishte vdekur vetë ai)?

Të gjithë të fandaksur, të luajtur mendsh, interesantë e artistikë në marritë e tyre, të lafitur e bërë jerm nga halle dhe ndodhi kushedi se çfarë. Të lezetshëm herë herë, e të bezdisshëm herë të tjera, të mallkuar e të bekuar njëkohësisht, që megjithëse ishin ashtu siç ishin, ndjeheshin mirë në fantazinë e realitetit të tyre .

Patjetër që në kokat e tyre ata mendonin se qenë tjerë njerëz nga ajo çfarë ishin vërtetë. Njëri spikër radioje, tjetri polic trafiku, madje dhe ai tjetri që qe mbret i Arabisë.

Kështu ka ndodhur dhe me Xhonatan Suiftin, autori i famshëm i “Udhëtimet e Guliverit” Ai deklaron:

“Jam si ajo pema që fillon të vdesë nga koka”. Po kështu ka ndodhur edhe me Floberin. Eshtë shkruar shumë për delirin, frikën e çmendurisë, marrosjen e Suiftit dhe idenë në kokën e tij se, ishte dikush tjetër, dhe jo vetja e tij, Suifti.

Po të thellohemi në metaletërsi, në çastet kur ndërgjegja dhe koshienca e disa shkrimtarëve ka qene e trazuar dhe e turbullt, ata kanë bërë vërtetë letërsi shumë të mirë. Këtë na e provojnë patologjitë, që herë herë ngërthyen Kafkën, Adgar Allan Poe-n, Buzzatin, Heminguejn, Silvia Platin e plot të tjerë. Sharl Rishe, autor i “Shqisa jonë e gjashtë” thoshte se: kokat e të sëmurve kanë dalldi të përfytyrimeve dhe gjendjeve metaforike. Duke vazhduar logjikën, po hidhemi tek Borhesi që, tek eseja “Sfera e Paskalit” nis me thënien: “Ndoshta historia e letërsisë është histori e disa metaforave” .

Apo të marrim pak ëndrrën, si një spunto, për të shtyrë autorët në vepra të shkëlqyera. Dimë të gjithë se gjumi është një realitet jo koshient. Por historia e letërsisë përmend disa brilante të ardhura nga realiteti i ëndrrave, nga ankthet e gjumit, nga gjendjet depresive të jermit. Lirika e gjatë “Kubla k’han” është parë në ëndërr, krejt e vargëzuar dhe e rimuar nga Coleridge, në një periudhë shëndetligë.

Kompozitori Xhyzepe Tartini pa në ëndërr Djallin, që i binte me violinë një sonate. Dhe u ngrit vrik e hodhi në partiturë “Dridhja e Diallit”. Kemi rastin e bariut Caedmon, rastin e Stevensonit në 1884, e plot të tjerë.

Le të kthehemi edhe një herë tek Luma dhe të çmendurit e tjerë, krejt të marrë, të lehtuar e të bërë brrut. Ne kurrë nuk kemi për të ditur se çfarë rrokte fantasia e tyre, dhe deri ku mund të shkonte ajo. Por ama mendoj se, realiteti mental i tyre është po kaq interesant sa dhe i fantazistëve të letërsisë, i fshehtë po aq sa dhe bota e ezoteristëve, mbase më fiction se letërsia e disave.

Gjithë ato simbole, shenja, frikëra, gjuhë të padeshifrueshme si vetë marrrëzia e tyre, jehona të vjetra të koshiencës së turbulluar që i kanë bërë të marrë e të lehtuar, pa dyshim që janë dhe një materje e jashtëzakonshme situatash e subjektesh, përsonazhesh të çuditshëm që fantazia jonë nuk i formon dot.

Ndaj është shumë interesante të dijmë zemrekun e mënyrës se si proçedonte fantasia e tyre, mrekullia që na bën ne t’i kemi kaq gjatë në kujtesë, madje shumë më tepër se të gjithë njerëzit uniform e të zakonshëm.

(Në foto, unë adolëshent, në klasë të 8, në ato vite kur i njoha këto përsonazhe interesantë e të këndëshëm të qytetit tim, që akoma dhe sot më kujtohen si përsonazhe të mrekullueshëm artistikë).


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas