Mapo Letrare

 Të dehur nga frymëzimi






               Publikuar në : 17:45 - 06/07/19 |
mapo.al

Nga Mark Simoni


Ese mbi librin “Dritë n’sy t’verbër” të Justin Dedjes, botim i MUZGU-t

Piktori i famshëm Cloud Monet thotë se, ai hyri në botën e pikturës, duke kaluar nga shtegu ndjesor që kishte për lulet dhe ngjyrat e tyre. “Para se të bëhesha piktor isha një bahçevan i luleve. Ngjyrat magjike të tyre më bënë të kap penelin dhe të mos e lëshoj asnjëherë”. E tëra kjo, më kujton jetët e disa autorëve, që erdhën në botën e krijimit, nga frymëzime të tjera.
Sot kam në dorë një libër interesant me poezi të veçanta të një 19 vjeçari. Quhet Justin Dedja, dhe vjen në artin e vargut nga edukimi në shkencën e kulinarisë. Poezinë dhe kulinarinë i përngjason raporti dhe harmonia e përzierjeve, tek e para fjalët dhe idetë, tek e dyta ingredientët dhe shijet. Akimike të dyja, ndoshta më shumë se sa shumëçka tjetër.
Kulinaria vetë është shumë artistike. Nëpër vite kam hasur fakte interesante nëpër libra që e bëjnë këtë fushë shumë kreative. Nuk ka historian të vjetër italian që nuk e përmend faktin se debatet politike në Romën e lashtë bëheshin në Senat, të vërtetat e politikës thuheshin bash në bankete. Fenikasit janë të parët që sollën dy gjëra në Europë, edhe erëzat, edhe gërmat për gjuhët europiane. Pikërisht ato pararëndëset e arteve që zotëron Justin Dedja, edhe ingredientët e kuzhinës, edhe “ingredientët” e poezive.
Kur shkruajmë poezi patjetër që të gjithë jemi në një realitet ndrysh nga i zakonshmi, jemi disi të dehur nga frymëzimi, jemi pra pak çakërqejfë. Këtë gjendje dehje të butë, ku çdo gjë para syve na përndritet, italianët e quajnë “brillo”. Këtë frymë kanë tejpërtej poezitë e Justinit, sepse pikërisht ky poet e ka në koshiencën krijuese regjistrin e të ndriquarit të gjërave dhe realiteteve, sepse dhe realitetet e zymta ai i vesh me një tis iluminant, i përndez pak për t’i hijeshuar,
Eshtë e çuditëshme se në të gjithë autorët që e kanë shkuar jetën pranë detit, ndjehet hapsira e ujrave në poezitë e tyre. Ndoshta ato nuk përmendin as limane, as varka, as guacka, as kandilë deti, as dallgë dhe shkumë, por prap ato s’mund të ikin dot nga deti. Po të veshtrosh me kujdes, në mes rreshtave të tyre ndjehen dallgët, aromat e kripës, peshqit shumëngjyrësha, yjet e vegjël të dalë në breg. Të marrësh në dorë librin “Dritë n’sy t’verbër” ndjenë jehona ujrash, taman ashtu si zbuluesit antikë, që, duke i vënë veshin tokës, ndjeni lumenjtë e nëndheshëm që rendnin diku thellë, poshtë këmbëve të tyre.
Nëpër libër ka poezi të sendeve, që i japin këti krijimi një dimension krejt të hijshëm. Patjetër që në këtë rast ne nuk harrojmë se sendet jo vetëm sillen nëpër jetën tonë, por ato janë kujtimet e pafund, janë të bëra prej nesh, janë shpesh më jetëgjata se vetë ne krijuesit e tyre, janë metafora e mjaft historive tona, janë shija që ne vështrojmë, janë pjesë e dëshirave dhe misioneve tona të përditëshme, janë piktura që na rrethon, janë fizika e botës që na mbështjell, janë pjesë e makros dhe e mikros së jetëve tona. Sendet ia harlisin dimensionin lexuesve të këtij libri të shkruar me shumë nerv e dashuri njëkohësisht. Argumenti i sendeve na bën të kujtojmë fëmijritë tona, dhe njëkohësisht rikonfirmojmë faktin se përherë brenda çdo poeti është dhe fëmijëria e tij, me përfytyrimin dhe naivitetin e saj.
Para ca kohësh kam takuar në Padova (Itali) një student shumë interesant nga Mongolia. Ishte nga kryeqyteti mongol Ulan Bator, dhe quhej Unka. Studionte kulinari, qe një kuzhinier i shkëlqyer, që nxirrte nga duart e tij, (edhe me pak harxhe), gatime interesante dhe të shijshme. Dhe me italishten nuk qe dhe aq mirë, dinte jo shumë fjalë. Por ashtu si në rastet kur kishte jo shumë harxhe e ingredientë dhe bënte mrekullira të shijes, edhe me atë grusht fjalësh që dinte bënte kombinime fantastike dhe artikulonte mendime shumë të qarta. E kam kujtuar shpesh atë njeri që magjia e kuzhinës dhe harmonia e gjërave e bënte të kishte dhe harmoninë e fjalëve që dinte, për të qenë krejt artist në ato që thoshte. Këto ditë pikërisht ky libër ma kujtoi Unkën. Justin Dedja bën ca kombinime fjalësh dhe ideshë, ca ndërthurje figurash dhe narrativash poetike shumë të ccuditëshme dhe harmonike, pikërisht nga e njëjta filozofi magjike që ka kulinaria dhe kuzhina. Poezi që të japin një shije të mirë leximi, që të krijojnë kënaqësi, art ku ndjehesh mirë.
Pavarësisht se asnjë subjekt poetik në këtë libër nuk ka argument dhe target babain e poetit, autori këtë vepër ia dedikon pikërisht të atit, (që nuk është më), por që në libër ndjehet si frymë, si dashni, si raport respekti dhe fetishi, si një aks që e lidh botën toksore të birit, me botën e epërme të të atit.
Priteni, po vjen nje djale i talentuar.


Etiketa: ,

Pas