Të dielën, Partia Demokratike mbledh Kuvendin Kombëtar. Delegatët janë bërë gati dhe draft-statuti po ashtu.
Në këtë Kuvend nuk pritet ndonjë zhvillim i ri. Pyetja e vetme është nëse janë ftuar të dielën edhe kritikët e Bashës apo jo.
Jozefina Topalli tha dy ditë më parë se ajo nuk ishte delegate dhe se nuk do merrte pjesë. Ndërsa Majlinda Bregu tregon mënyrën se si është ftuar.
Ish-ministrja e Integrimit, e ftuar në studion e ABC News, është pyetur nëse ka një ftesë nga PD për të marrë pjesë në Kuvendin Kombëtar, i cili mbahet me 29 prill.
“Kam marrë dje një telefonatë nga ora 18:00 e pasdites nga një vajzë e organizimit në PD, e cila mesa duket e kishte listën e gjatë për të telefonuar dhe foli aq shpejt… Edhe ftesat e dasmave nuk bëhen të tilla, janë më zyrtare. Ftesa ishte e tipit ‘më ka çu nana me la gojë’”- u shpreh Bregu.