Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim dhe kreu i delegacionit të BE në Tiranë, Luigi Soreca kanë mbërritur në zyrën e kryetarit të KQZ, Ilirjan Celibashi, pasditen e sotme.
Në përfundim të takimit, Kim u shpreh për mediat se në fokus të bisedës ka qenë procesi zgjedhor i ditës së dielë. Ajo tha se me rëndësi është që zgjedhjet e 25 prillit të jenë të qeta. Yuri Kim tha se ajo do të jetë pjesë e ekipeve që do të vëzhgojnë procesin në terren.
Duke iu referuar përplasjes së djeshme në Elbasan, ambasadorja e SHBA kërkoi hetimin e ngjarjes dhe u shpreh se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin.
Ndërsa kreu i delegacionit të BE, Luigi Soreca bëri thirrje për shmangie të dhunës dhe të gjuhës së urrejtjes. Sipas tij, zgjedhjet do të vëzhgohen nga Europa dhe Shqipëria duhet të tregojë pjekurinë e duhur.
Prononcimet
Yuri Kim: Kemi ardhur këtu për të falenderuar komisionerin Celibashi dhe grupin e tij. U informuam për zgjedhjet e 25 prillit. Është e rëndësishme që të jetë një proces i qetë zgjedhor. Ka një proces trandparent që tashmë është krijuar. Miqtë tuaj nga bashkësia kombëtare janë gjithashtu për t’u siguruar për këtë proces. Gjithashtu duhet theksuar fakti se ODIHR dhe ekspertët janë tashmë në vend. Unë do të jem pjesë e njërit prej ekipeve që kanë ardhur këtu për të vëzhguar zgjedhjet. Ndërkombëtarët janë këtu për të monitoruar të gjithë procesin. Të gjithë jemi të shqetësuar pas lajmeve të asaj që ka ndodhur dje. Është e rëndësishme që të kapen të gjithë shkelësit, nuk ka trajtime të veçanta për askënd. Askush nuk është mbi ligjin.
Ilirjan Celibashi: Folëm për përgatitjen e procesit zgjedhor. Shkon e gjitha në interes të votuesve shqiptarë dhe të mbarëvajtjes së këtij procesi.
Luigi Soreca: Folëm për zgjedhjet e 25 prillit. Pikërisht komisioneri na tregoi për situatën deri më tash për gjithçka që duhet bërë për zgjedhjet. Na foli për votimin elektronik dhe për numërimin elektronik. Gjërat janë kuptuar tashmë dhe komisioneri ka besim se gjithçka do të jetë gati për ditën e zgjedhjeve. Një aspekt shumë i rëndësishëm ka qenë në fakt edhe ndikimi i zgjedhësve për punën aq të mirë të komisionerëve. Ne kemi dhënë mbështetjen tonë dhe do të vazhdojmë sepse mendojmë se edukimi I zgjedhësve është një çësthje shumë e rëndësishme. Europa po vëzhgon gjithë procesin. E rëndësishme është ajo që do të ndodhë ditën e dielë në Shqipëri. E rëndësishme është të shmanget dhuna. Thirrja jonë është për vetëpërmbajtje, që të shmanget gjuha e urrejtjes, gjuha e dhunës.