Mapo Letrare

 Të flasësh për Gjon Karmën





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 16:24 - 15/03/20 |
Nga Xhahid Bushati

(Aktori model dhe studiuesi i artit paraprofesionist skenik)


 Ese nga Xhahid Bushati



Gjon Karma lindi më 18 mars 1915 në një familje me traditë në kulturën shkodrane, në Shkodër. Më teatrin ishte lidhur që i vogël, kur ndiqte shfaqjet e shoqërive amatore teatrore në qytetin e tij të lindjes.


Në vitin 1924 filloi shkollën në Kolegjin Françeskan, por e ndërpreu pas tre vjetësh, në vitin 1927. Pas braktisjes së shkollës, pati mundësinë më lirshëm që të ndiqte më nga afër shfaqjet e shoqërisë kulturore “Bogdani”. Nga viti 1932, ishte pjesëtar i Bandës së Bashkisë në Shkodër. Në vitin 1934, në 1 prill, Gjon Karma u ngjit në skenë në një komedi, ku interpretoi me një humor të këndshëm rolin e tij të parë, atë të një akshiu, që quhej Nush Lezeti. Ishte ky rol që i hapi udhën për t’u aktivizuar edhe në shoqëritë e tjera teatrore, krahas aktorëve veteran e me përvoje skenike, si: Luigj Mjeda, Kolë Mirashi, Zef Hilgega, etj.

I hyri aq me pasion teatrit, sa që shpesh herë luante edhe dy role, dhe me sukses.

Ishte ndër të parët aktorë që u dallua për talentin e tij nga lëvizja amatore. Për talentin e tij, ai u bë anëtar i formimit të bërthamës së Teatrit Popullor, në maj të vitit 1945.   

Roli i tij i parë në teatër ishte në pjesën “Gjido”, ku luan rolin e Pjetrushit. Po në këtë vit luan edhe në tri premiera, si në “Deputeti”, “Mbrëmja e madhe”, “Martesë me përdhuni”.

Krahas profesionit të aktorit në Teatrit Popullor, Gjon Karma ndërmori edhe detyrën e dramaturgut, duke dhënë ndihmesën e tij modeste, duke plotësuar nevojat e teatrit me pjesë kombëtare me një akt. Kujtojmë, këtu, pjesën e tij më të mirë “Qypi me florinj.”

Gjon Karma luajti role të një fizionomije të caktuar, por e tregoi veten si aktor shumëplanësh. Ai është një nga aktorët më të plotë e më të shquar të roleve episodikë. Madje ai ishte i prerë për “role të vegjël”. Jo më kot, për të është thënë: “Aktor i madh i roleve të vegjël!”. Ndër realizimet e tij më të suksesshme, mund të përmendim: Prefektin (“Karnavalet e Korçës”), Vurko (“Pas vdekjes”), Asllan beu (“Halili dhe Hajrija”), Gjergj Bardhi (“Toka jonë”), Kola (“Cuca e maleve”), Vehipi (“Tri ditët e kiametit”), Zeqo (“Fytyra e dytë”); por pa harruar edhe rolet e tij nga dramaturgjia botërore, si: Apolloni (“Hamleti”), Falstafin (“Gratë gazmore të Windsorit”), Bobçinskin (“Revizori”), Orgonin (“Tartufi”) e shumë role të tjera.

Gjon Karma dha ndihmesë edhe në Radio Tirana në përgatitjen e “Orës gazmore” përkrah mjeshtrit Pjetër Gjini. Në këtë serial gazmor që zgjati për disa vjet rresht, shumë pjesë i shkruante vetë dhe i interpretonte drejtpërsëdrejti. Në radio interpretoi shumë role në radiodramatizimet e ndryshme që transmetoheshin për fëmijë e të rritur.

Krahas teatrit, kontributit në radio; Gjoni interpretoi edhe në disa filma artistikë, që nga “Skënderbeu” (princi dibran), “Tana”, “Debatik”, “Toka jonë”, “Koncert në vitin 1936”, “Vendimi”, etj. Janë rreth 15 role në filmat artistikë.

Pas një jete të gjatë në skenë, më 15.03.1976 doli në pension. Edhe pse u pensionua, përsëri, nuk iu nda teatrit. Sërish interpretoi… Kjo zgjati deri në vitin 1982.

Gjoni kontribuoi edhe në pasurimin e arkivit të Teatrit Kombëtar për më shumë se 15 vjet. Shpesh, rrugëtonte drejt qytetit të lindjes për t’u takuar me arkivistin e talentuar Paulin Lacaj, për të zbuluar “të fshetat” e mëtejshme të jetëgjatësisë së një arkivi. Ndonëse ai, vetë, ishte një arkiv i gjallë me një kujtesë fenomenale. Shkrimet e tij për shoqëritë teatrore të Shkodrës, shquhen për informacion të pasur historik, gjuhë profesionale dhe kujtimeve të vyera. Gjithashtu, portretet për kolegët, të cilët i kishte njohur në rrugëtimin e tij artistik, janë të shkruara plot frymëzim e dashuri, të shoqëruara me plot fakte jetësore e realizëm bindës.

Artisti i Merituar, Gjon Karma u nda nga jeta në moshën 79-vjeçare, më 13.01.1994.

Disa nga rolet që interpretoi aktori, Artisti i Merituar Gjon Karma:

-1945, “Gjido”, “Deputeti”, “Mbrëmja e madhe”, “Martesë me përdhuni”.; -1946, “Lufta botërore”, “Qypi me florinj”, etj.; -1947, “Cani hoxhë”, “Skutarevski”, “Tartufi”, “Çështja ruse”.; -1948, “Gishti para hundës”, “Për ata që janë në det”, “Prefekti”.; -1949, “Rrënjët e thella”, “Gubernatori i Provincës”.; -1950, “Vreshta e Arsenit”, “Komploti i të dënuarëve”, “Pas vdekjes”, “Halili dhe Hajria”.; -1951, “Janë plagë që flasin”, “Zëri i Amerikës”, “Njerëz me vullnet të mirë”, “Heronjtë”.; -1952, “Revizori”, “Martesa me prikë”.; -1953, “Otello”, “Përmbysja”.; -1954, “Toka jonë”.; -1955, “Dasma e madhe”, “Vajza e thinjur”, “Në kopshtin me jargavanë”, “Përleshja”, “Shërbëtori i dy zotnive”.; -1956, “Qingji i tërbuar”, “Armiqtë”.; -1957, “Intrigë dhe dashuri”, “Orët e Kremlinit”.; -1958, “Shtatë shaljanët”, “Syleshi”, “Të rinjtë”.; -1959, “Gratë gazmore të Windsorit”, “Një letër e humbur”, “Në tufan”.; -1960, “Hamleti”, “Dragoi i Dragobisë”.; -1961, “Njeriu me pushkë”, “Shokë të një klase”, “Trimi i mirë me shokë shumë”, “Ambicje”.; -1962, “Mbi gërmadha”.; -1963, “Borgjezi fisnik”, “Shtrëngata”, “Morali i zonjës Dulska”.; -1964, “Karnavalet e Korçës”, “Tri ditët e kiametit”, “Xhaxha Vanja”.; -1965, “Roje nën llampat neon”.; -1966, “Muri i madh dhe i pakapërcyeshëm”, “Pas vdekjes”, “Qielli i kuq”, “Tri të shtëna pushke”, “Përkolgjinajt”.; -1967, “Cuca e maleve”, “Shembja”, “Tokë e zjarrtë”.; -1968, “Fytyra e dytë”.; -1969, “Drita”, “Mbas dy ditësh”, “20 ditë”.; -1970, “I pazëvendsueshmi”.; -1971, “Arturo Ui”, Një nuse për Stasin”, “Viiti ‘61”.; -1972, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.; -1973, “Votra e huaj”.; -1974, “Bashkë me agimin”.; -1975, “Duke gdhirë viti 1945”, “Lumi i vdekur”, “Lezja”.; -1976, “Lulet e shegës”, “Karavidhet”, “Shënomëni dhe mua”.; -1977, “Gjermani i atij dimri”, “Përmbytja e madhe”.; -1978, “Besa e madhe”, “Doktori pacient”.; -1979, “Tragjedia e fundit e Deas”, “Gryka e nëmur”, “Furrnalta”.; -1980, “Lenini dhe fëmijët”, “Nga errësira në dritë”, “Epoka para gjyqit”.; -1981, “Komunistët”.; -1982, “Pas provimit të fundit”, Udha e flamurit”.

Disa nga rolet në filma:

-1953, “Skënderbeu”.; -1958, “Tana”.; -1961, “Debatik”.; -1963, “Detyrë e posaçme”.; -1964, “Toka jonë”.; -1969, “Përse bie kjo daulle?”.; -1972, “Ndërgjegjja”.; -1978, “Koncert në vitin 1936”.; -1978, “Vajzat me kordele të kuqe”.; -1979, “Çeta e vogël”.; -1981, “Një natë pa dritë”.; -1983, “Fundi i një gjakmarrjeje”.; -“Vendimi”.; 1985, -“Ura pranë kështjellës”.; -“Të paftuarit”.


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas