Aktualitet

Të gjitha ngjyrat e Rubikut





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:00 - 22/02/20 |
Veton Surroi

Nga Veton Surroi


Hapat e parë të Borellit dhe Grenellit që ilustrojnë mungesë ndërveprimi



Pas disa përpjekjeve – jo të shumta, më duhet të pranoj mësova në adoleshencë mësime nga përpjekja për të gjetur zgjidhjen për vendosjen e të gjitha ngjyrave në kubin e Rubikut. Mësimi i parë nuk ka si të jetë më i thjeshtë, por edhe thelbësor, e ai është se vendosja e një ngjyre në njërin prej gjashtë mureve të kubit nuk është zgjidhje. Pra, nëse që në fillim e rregullon njërin mur me të gjitha kubëzat e kuqe, kjo nuk do të mundësojë që ta bësh të njëjtën gjë me ngjyrat e tjera. Përkundrazi, përpjekja për të vendosur murin e kubëzave të verdha, për shembull, do ta prishë atë që sapo ke rregulluar me të kuqe. Diçka e ngjashme më duket se po ndodh në fillet e një procesi të ri për ringjalljen e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë. Para ca javësh, shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borell, u takua me ekspertë të njohur evropianë në Berlin dhe, sipas disa pjesëmarrësve, pyeti se a do të ishte zgjidhje që Serbia ta merrte pjesën veriore të Kosovës, mori përgjigje se kjo nuk do të ishte zgjidhje, por hapje e kutisë së Pandorës dhe atëherë konstatoi: “Po, si të bëhet që Serbia të fitojë diçka?”. Ca ditë më vonë, ambasadori amerikan Grenell, në cilësinë e të dërguarit të presidentit amerikan, ndërmjetësoi nënshkrimin e një letër-synimi mes zyrtarëve kosovarë dhe përfaqësuesit të qeverisë serbe Gjuriq për liberalizimin e transportit hekurudhor mes Kosovës e Serbisë (për Serbinë: liberalizimin e transportit me “krahinën jugore”). Ky ishte nënshkrimi i dytë i një letre synimi, pas asaj të kompanisë ajrore “Eurowings” me autoritetet ajrore në Prishtinë e Beograd. Në kontekstin e kubit të Rubikut, biseda e Borellit dhe letër-synimet e Grenellit nuk janë fare të koordinuara. Janë përpjekje që Borelli të vendosë, për shembull, murin e ngjyrës së kuqe, me një zgjidhje që, të themi, do ta kënaqte Serbinë ndërsa Grenelli murin e ngjyrës së verdhë me zgjidhje pragmatike që ofrojnë përparim ekonomik për të dy vendet, siç thekson ambasadori. Logjika e Rubikut është se cilido që të arrijë sukses në murin e vet do të kuptojë se problemi është më i madh: problemi nuk zgjidhet me të kuqen e koncesioneve territoriale për Serbinë e as me të verdhën e liberalizimit të ndërsjellë të tregjeve të dy vendeve. Madje, përpjekja për një ngjyrë doemos dëmton ngjyrat e tjera. Pse duhet marrë me hekurudha nëse paska zgjidhje me harta? Pse duhet marrë me harta kur zgjidhja është linja ajrore Prishtinë-Beograd?


2.

Prapë në logjikën e Rubikut, Borelli dhe Grenelli kanë gjasa që nëse e çojnë deri në fund të konkluzionit logjik qasjen fillestare të përfundojnë duke u marrë pafundësisht me ngjyrat e murit të tyre, duke mos kuptuar madje fare se ekzistojnë ngjyra të tjera. Pyetja: “E si të kënaqet Serbia?” ka konsekuencë të thellë konceptuale. Në një marrëveshje tregtare, formulimi çka t’i ofrohet palës tjetër si koncesion në mënyrë që ta nënshkruajë kontratën, ka sens. Nëse provizioni i blerësit të mallit zbret nga 25 në 20 për qind për palën tjetër dhe kjo shkakton që pala tjetër ta pranojë marrëveshjen tregtare, atëherë kjo është mirë për palën e cila ka dhënë pesë për qind dhe për atë që ka fituar pesë për qind e në fund për që të dyja, sepse do të bëhet partnere. Por, paqja në një konflikt të papërfunduar mes Kosovës dhe Serbisë nuk bën pjesë konceptuale në një marrëveshje tregtare, nuk ka paqe me zbritje pesë për qind. Paqja e munguar ka të bëjë saktësisht me atë, me marrëveshje për fund të konfliktit dhe arritjen e paqes. Pyetja “e, si të kënaqet Serbia?” nënkupton paragjykimin për epërsinë kosovare në shpërblim. Pra, meqë Kosova është e pavarur ajo duhet ta shpërblejë Serbinë me një pjesë të saj. Konsekuencë logjike është se Serbia dhe jo Kosova, e cila ishte buzë gjenocidit është e dëmtuar. Konsekuencë tjetër logjike është se ekziston fajësia e Kosovës se është e pavarur, ndaj edhe kompensimi i duhur për Serbinë. Konceptualisht, nëse Komisioni i ri Evropian vazhdon me pyetjen e njëjtë që e bëri edhe Mogherini, dhe bëri lëmshin trevjeçar të bisedave mbi harta, do të vazhdojë të përpiqet të kuptojë pse kur e rregullon ngjyrën e kuqe nuk mund t’i rregullosh ngjyrat e tjera. Dhe, në të njëjtën situatë mund ta gjejë veten ambasadori Grenell, me ngjyrën e verdhë të Rubikut. Ai deri më tash ka ndërmjetësuar dy marrëveshje që kanë tri elemente të përbashkëta. Një, janë letra-synimi, pra jo marrëveshje të implementueshme. Dy, detajet për implementim i lënë për më vonë, që nënkupton negociata dhe marrëveshje plotësuese. Dhe tre, janë marrëveshje që duhet të liberalizojnë komunikimin, posaçërisht atë ekonomik. Të themi për një moment se njëra pas tjetrës ambasadori arrin të ndërmjetësojë edhe një numër të konsiderueshëm marrëveshjesh të këtilla, aq sa të krijojë konfidencën se ka ardhur koha për “marrëveshjen e madhe”. Brenda konceptit “nënshkrimi tash, detajet më vonë”, Kosova dhe Serbia do të ftoheshin të nënshkruanin një “letër-synimi” për normalizim marrëdhëniesh. Detajet e këtij normalizimi do të negocioheshin dhe nënshkruheshin më vonë. Kaq. Kjo “marrëveshje e madhe” do të mund ta vendoste ambasadorin Grenell aty ku ishte Catherine Ashton para shtatë vjetësh, me “Marrëveshjen e parë” që u quajt historike dhe që për pak në frymën e plotë të komedive ballkanike bëri Ivica Daçiqin dhe Hashim Thaçin kandidatë për çmimin “Nobel” për paqe.

3.

Pra, i absolvuar mësimi i parë i Rubikut, vijon i dyti, i cili është po aq i thjeshtë: nuk ekziston një zgjidhje e përcaktuar (me hartë hapash, për shembull) që gjen zgjidhjen universale. Çdo kub në momentin kur i duhet zgjidhja ka pozicionim të ndryshëm, pra ka nevojë për qasje vetjake për zgjidhje dhe matematikisht, ekzistojnë mbi 43 kvintilion sish. Të marrim një model që përsëritet gjithnjë si zgjidhje e të gjitha problemeve: tregu i lirë. Pra, Serbia dhe Kosova nëse arrijnë të hapin komunikimin intensiv – me mallra, trena, aeroplanë, njerëz e kapital – doemos do të jetojnë në paqe. Në mendimin e ndërmarrësisë amerikane – të formuluar me parullën se aty ku ka një “McDonalds” ka vetëm progres, nuk ka luftë e kështu me radhë – një sërë masash që hapin definitivisht tregjet e ndërsjella do të jetë ajo lëvizje e kubit të Rubikut që i vendos të gjitha ngjyrat në vend të vetin. Por, faktet janë pak më kokëforta se projeksionet e modeleve: tregu i Kosovës ka qenë i hapur për mallrat e Serbisë prej pasluftës e deri në vendosjen e taksës 100 për qind dhe kjo nuk i ka normalizuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. E ka normalizuar të drejtën e kontestimit të shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë.

4.

Dhe, mësimi i tretë e i fundit. Më duhet të pranoj se nuk e kam zgjidhur ndonjëherë kubin e Rubikut. Me energjinë e adoleshencës nuk pata kërshëri e as durim të mëtejmë për ta gjetur zgjidhjen. Por, qe një zbulim i vërtetë të kuptuarit e procesit të problemit. Pra, në të kuptuar të problemit, procesi zgjidhës është teorikisht i thjeshtë: duhet krijuar lëvizje që gradualisht e pastaj njëkohësisht gjejnë zgjidhje për të gjitha ngjyrat e kubit të Rubikut. Natyrisht, për ta bërë këtë duhet vullnet, durim dhe aftësi për abstraksion. Ndoshta kjo mund t’u shërbejë palëve që tash po përpiqen që Kosova dhe Serbia më në fund të mbërrijnë një marrëveshje dhe neve që jemi vështrues, aktivë a pasivë. Pra, nuk ka zgjidhje të shpejtë dhe nuk ka zgjidhje pa gjetur se ku është problemi. E problemi i kubit kosovar të Rubikut fillon me faktin se, ndonëse jetojmë në paqe, ende nuk ka përfunduar konflikti mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe zgjidhja e kubit kosovar të Rubikut është zgjidhja që Kosova e Serbia të jetojnë në paqe, barazi e respekt të ndërsjellë.

 


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas