Aktualitet

Të gjitha rrugët të çojnë te kompromisi





Na ndiqni në Facebook
               Publikuar në : 18:31 - 29/01/20 |
Mapo.al

Zhvillimet politike në vend, pavarësisht kaosit dhe produktit të përditshëm që shkon sa andej këndej, pa një linjë a kohezion, e kanë një fill që i lidh copëzat. Premisat janë që një kompromis politik për zgjidhjen e krizës është në rrugë e sipër dhe terreni për këtë sa vjen e përvijohet.


Dendur, çdo ditë e më shumë flitet në Tiranë se do të ketë zgjedhje të parakohshme në tetor. Ndërkohë, dje është mësuar lajmi se Gjykata Kushtetuese ka nisur shqyrtimin e ligjshmërisë për votimet e 30 qershorit. Zgjedhje këto, me kaq shumë cene e të meta, sa zor se mund të ketë instancë në planet që t’i legjitimojë.



Kemi ndërkohë një fakt real, një gjë që po ndodh, tryeza për reformën elektorale. Një tryezë që i ka ulur njemend palët megjithë antagonizmin e ashpër. Opozita beson se pas ndryshimeve ligjore, do të jenë krijuar të gjitha kushtet për të ftuar popullin të shprehë vullnetin përmes një procesi të lirë e demokratik. Kjo, nisur edhe nga rezoluta e Bundestagut, që kërkon zgjidhje të problemeve zgjedhore, dhe konfirmim të kësaj çështje në realitet.


Por, ajo çka jep më shumë shpresë se këtë vit mund të kemi një dalje nga kriza politike, është pamundësia e Edi Ramës për të vazhduar me këtë gjendje, dhe presioni në rritje ndaj tij.

Eshtë afërmendsh, se asnjë hap s’mund të hidhet drejt BE, dhe zor se do të ketë një çelje të negociatave, në Mars apo në Samitin e Zagrebit në Maj, nëse konflikti politik do të vazhdojë. Sado të përpiqet me propagandën e tij të fajësojë opozitën, si shkaktare të çdo gjeje, në fund, është qeveria që mbahet përgjegjëse për zhvillimet në vend. Edhe nëse opozita çmendet, i takon forcës drejtuese të gjejë zgjidhje.

Rrethanat sa vijnë e rëndohen, dhe vendi nuk mund të mbajë edhe më shumë në këtë ngërç ku çdo gjë ka ngrirë, dhe sidomos ekonomia është në zgrip.

Disa bashki kanë rënë dhe marshimi triumfues i 30 qershorit ka marrë një goditje morale vdekjeprurëse, pasi doli që, megjithëse pa kundërshtarë, sërish rilindja nuk arriti të gjejë dot kandidatë me integritet dhe pa të shkuar kriminale.

Këshillat bashkiake, janë një kor absurd njëngjyrësh, një ligatinë perverse, ku secili aty është për interesin e tij personal, dhe parlamenti i qyteteve nuk ekziston më.

Kuvendi, institucioni më i rëndësishëm në vend, është një surrogato e shëmtuar, dhe të vjen zor të gjendesh para ekranit kur nisin punimet, për shkak se aty nuk ka më asnjë debat, ide, vizion apo mendim, por e gjitha është kthyer thjesht në një aulë ku kryeministri tjerr batuta me Tim Gjuzin.

Qeverisja pothuasje ka rënë, nuk ka asnjë inciativë domethënëse. Kemi vetëm përpjekjet stoike për propagandë, ku opinioni vazhdon të bombardohet çdo ditë me video e fjalime, sikur punët shkojnë mbroth, teksa qytetari i ka kthyer me kohë kurrizin kësaj shfaqje, dhe është në ditë të hallit.

E teksa ja doli të mos kurojë asnjë krizë të krijuar prej asaj vetë, qeveria ende nuk ka prodhuar një zgjidhje për katastrofën humanitare që shkaktoi tërmeti, pasi u bënë tashmë dy muaj që kemi vetëm fjalë e premtime, dhe jo shumë ditë më parë, u shpall edhe më e famshmja gjë, ku u ftuan të prekurit e rraskapitur, me mungesë aksesi kudo, që të rraseshin para kompjuterave, e të aplikonin on line në një portal.

Pra asgjë nuk funksionon.

E vetmja rrugë është kapërximi i krizës politike, kompromisi për zgjedhje të parakohshme. Vetëm një ballafaqim i tillë, në kushtet kur të garantohet vota e lirë dhe e ndershme, do të prodhojë një realitet dhe moral të ri në vend, një shans për të dalë nga ngrirja e përgjithshme e për të patur zhvillim normal dhe ecje përpara të vendit.

Mapo.al

 


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas