Ashtu si tregtarët me pakicë të para pushtimit kripën, aktorët politikë dhe mediatikë, vënë në peshore çdo vizitë dinjitarësh të lartë të huaj, sidomos të amerikanëve. Ky ritual u bë pjesë e jetës edhe të dielën e të hënën. Ndoshta sot, që është dita e tretë e ngjarjes, merr edhe fund, sipas parabolës së vjetër të çudisë që zgjat tri ditë.
Nuk mund të thuhet se gramatura e cilit shtrëngim dore, mjalti apo pelini i cilës fjalë apo togfjalësh peshoi, lëndoi apo hidhëroi më shumë, por shenjat apo simbolika e vizitës, duke kaluar në ‘paradë’ të gjitha takimet e Sekretarit të Shtetit, John Kerry, mund të kalohen edhe njëherë në peun që bëhet gjerdan dhe pasqyron mozaikun me të gjitha ngjyrat.
Së pari, takimi te shkallët e avionit i Presidentit Nishani me Sekretarin e Shtetit, ngjau i stisur dhe duket sot e do të duket mot, i tepruar, i panevojshëm dhe i pavend. Dikush duhet t’ia kishte këshilluar Presidentit tonë shmangien e një butaforie që e bënte zyrën e tij të dukej edhe më e vogël, edhe më ceremoniale, edhe më out of place.
Së dyti, takimi i munguar, Kerry-Meta, mund të përligjet në fakt me mospërputhjen e zyrave të të dy përfaqësuesve të shteteve. Megjithatë, nuk mund të mos bjerë në sy mungesa e një fjalimi në parlament, traditë e ndjekur nga paraardhësit e Kerry-t, gjatë vizitave në Shqipëri. Kjo do të përfshinte Metën dhe parlamentin, dhe do të linte ndoshta jashtë minutazhin që iu dha fëmijës, në Bulevardin që ndan dhe bashkon pothuajse të gjitha institucionet e shtetit.
Së treti, ky kontakt i munguar me parlamentin, (për të cilin opozita e Bashës ka ndërmarrë, që para një vitit e gjysmë, atë aksion apo reformë që ka hyrë në fjalorin politik nën zërin dekriminalizim) dhe takimi me shefin e PD-së, njëherësh aksioner dhe autor i kësaj platforme dekriminalizuese, flet pa fjalë për gjëra që nuk janë thënë.
Simbolika e takimit Kerry-Basha, është një xhaketë që mund të vishet duke e kthyer në të dy krahët: Fillimisht ai njeh kontributin legjislativ të opozitës në kuadër të ligjit të dekriminalizimit, duke pranuar gjithashtu partneritetin Basha-Lu (lexo opozitë shqiptare-Departament i Shtetit). Në anën tjetër, takimi dhe vizita e Kerry-t u bë, të paktën në rrafsh simbolik, me rastin e 25-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve mes dy vendeve. Edhe pse leximi i simbolikës mund të shkojë më larg se aftësitë e saj, sërish duhet theksuar se shefi i opozitës, si asnjë tjetër që nga takimi i para 25 viteve Berisha-Baker, mori një trajtim ekskluziv. Basha-Kerry, përveç minutazhit të respektueshëm, që barabitej me atë të kryeministrit, u krye edhe nën protokoll të hekurosur. Ishte takim me delegacione të plota të të dyja palëve, me minuta të mbajtura, dhe jo një përshëndoshje incognito.
Së katërti, dhe meqë jemi te simbolika, të paktën në këtë rrafsh nuk mund të mos kreditohet kryeministri Rama për ‘mikpritjen estetike’ që shumë e nënçmojnë, por që në fakt, kur dita ngryset dhe Shqipëria mbetet, bëhet PR dinjitoz për vendin.
Por, z. Rama, nëse ka vend për teprime, nuk do të ngurrojë e ta teprojë, siç bëri, më pak vetë e më shumë nëpërmjet zëdhënësve mediatikë, kur frazën e Kerry-t ‘në drejtimin e duhur’, e futi në uzinën e amplifikimit. Por, në një raportim të pak mëvonshëm të Top Channel, i papërgënjeshtruar nga Ambasada Amerikane, në takimin me delegacionin opozitar, Sekretari Kerry kish folur për shqetësimin e korrupsionit dhe për atë se ‘Shqipëria nuk duhej lejuar të bëhej si Nigeria’. (Dhe, asnjë ‘drejtim i duhur’ nuk e çon Shqipërinë në brigjet e lumit Niger.)
Kryeministri duhet t’i lexojë, interpretojë e pasqyrojë në qëndrimet e tij të ardhshme, jo vetëm ato çka u thanë në takimet e tij me Sekretarin amerikan të Shtetit, por të pyesë edhe për çka u bisedua në tryezën Basha-Kerry. Demokracia nuk është kurrë një rrugë njëkahëshe.
Një sinjal të asaj që u bisedua, e dha vetë shefi i opozitës në intervistën për Sokol Ballën, pak pas takimit. ‘Konsensus’, qe mesazhi më i përsëritur i tij dhe kjo fjalë kyçe nuk kish se si të ish diçka tjetër përveçse pasqyrim në të nxehtë, i asaj që ishte dhënë e marrë në takimin me përfaqësuesin e Amerikës.
Burime nga Ambasada Amerikane, i thanë Mapo-s se zgjedhjet e ndershme e të rregullta ishin pjesë e bisedës Kerry-Basha, dhe se Sekretari i Shtetit e porositi drejtpërdrejt zëvendësen Victoria Nuland, që ta konsideronte si prioritet në ‘axhendën shqiptare’ të saj, këtë shqetësim që ka të bëjë me fibrën e demokracisë.
Së pesti, ngjyra më amerikane e vizitës së z. Kerry, ishte ndoshta takimi me the lovely eight (për kontrast ky term, nëse, për konvencion të përgjithshëm, i konsiderojmë politikanët e takuar prej tij, me gjuhë tarantiniane, si the hateful eight). Tetë përfaqësues të asaj që u quajt ‘shoqëri civile’, përbërë nga të rinj që kanë përfituar nga programet e ambasadës duke u shkolluar apo specializuar në Amerikë, morën nga Kerry po aq kohë sa shefi i qeverisë dhe opozitës. Ndoshta këtu duhet lexuar kuptimi i fjalisë së Kerry-t ‘në fund vendimet i merrni vetë’. Si vendime të shoqërisë, të përfaqësuar, edhe pse në formë laboratorike, nga ata tetë individë.