Aktualitet

Të gjithë në sheshin më të madh, 30 vjet nga mitingu i parë i PD-së në Berat














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:33 - 11/01/21 |
Namir Lapardhaja

Meditim mbi një foto…






Metamorfoza e sheshit më të madh të qytetit të Beratit, sheshi “Tomori”, sheshi përpara stadiumit “Tomori”. Është po ai shesh, por është dhe i ndryshuar…. 


Ja! Fasada e stadiumit ku shkruhet stadiumi “Tomori”, por tej fasadës me emrin Tomori, në sfond shtrihet Tomori i vërtetë, ai masiv bazalti i thinjur nga retë dhe borërat. 







Në mes, në qendër të fasadës, një pankartë, e gjatë dhe e qartë: 




“RROFTË PARTIA DEMOKRATIKE!”



Këtu është zhvilluar mitingu i parë i Partisë Demokratike. 

Ka qenë e mërkurë atë ditë, e mërkurë 9 janar 1991. 

Ja fotografia e mitingut, foto që edhe flet, edhe hesht. 

Fotografia flet: Sheshi më i madh i qytetit është mbushur me qytetarë, që duken të ngjeshur njëri pranë tjetrit, sikur një dallgë e stërmadhe deti i ka sjellë… Është dallga e madhe e lirisë që ka buçitur, është hovi i demokracisë që ka shpërthyer…Qytetarë të qytetit mijëravjeçar. Gjyshërit e tyre kanë bërë mitingje të mëdha lirie e demokracie në vitet ’20 të shek. XX… Erdhi radha e nipërve… Fotoja flet…

Foto bardhezi…bardhezi…lihet pas një regjim zi e zi…

Janë qytetarë beratas aty, janë të ardhur edhe nga Kuçova, Poliçani, Skrapari, Shpiragu, Tërpani, Tomori…

…Te ky shesh demokracia erdhi me emrin e Partisë Demokratike në gojë.

Sot ky shesh është i larmishëm në ngjyra, ritme, muzikë…Një lëndinë e tregut të lirë dhe e zhurmës së makinave…Shesh i lulëzuar. Duket togfjalësh i çuditshëm?! Mjedisi të rrethon me shijen e ngjyrës në sy… Mbresëlënës…Dikur…i betontë…i bitumtë…Sot ndjesi lëndine…Fryn fllad… Një shesh i gjallë, energjik, gjallëri, lëvizje, ritëm… Ky ritëm iu ngjitet ndërtesave, godinave, pallateve përreth…

Në cilën godinë, në cilin ballkon ka qenë fotografi DhimitërTopi kur ka shkrepur këtë, të vetmen fotografi?

***

Por fotoja edhe hesht. Si u organizua ky miting? Cilët kanë qenë organizatorët? Ç’mbresa, ç’kujtime mbartin ata? Si mbërritën teky miting?

Ka disa persona, ka disa personazhe që kanë luajtur rolin e tyre ndihmues dhe kontribuues në celuloidin e kësaj fotografie, por midis tyre kanë spikatur dy nismëtar të Partisë Demokratike në Berat, Simon Vrusho dhe Fehmi Telegrafi. Të dy të larguar nga kjo jetë. Vite më parë, në bazë të dëshmive të tyre, botova një shkrim, fragmente prej të cilit po sjell më poshtë. 

***

Simoni thoshte se janari ’91 nuk mund të kuptohet pa dhjetorin ‘90…

 ….Rruga për te mitingu është e shtruar me takime, biseda, impenjime, sqarime, duke shpërndarë autorizime për të drejtën e propagandimit hapur të PD-së… Shtohen mbështetësit, përkrahësit, aderuesit, derisa krijohet një bërthamë individësh më konsistentë e me kurajo që vendosin datën 9 janar 1991 si datë të mitingut të parë… Mitingu ka qenë sa masiv, aq dhe i ligjshëm, sa i zjarrtë aq dhe i rregullt, sa i vrullshëm, aq dhe korrekt….Asnjë xham i thyer, asnjë gjethe ligustre e këputur, asnjë gërvishtje në mure…Një miting i madh i pastër, një pagëzim i bardhë i demokracisë…

– Ne kemi punuar jashtëzakonisht shumë, – vijonte z. FehmiTelegrafi, kryetar i Komisionit Nismëtar të PD-së,- non stop, paradite, pasdite, gjatë mbrëmjeve. Nuk ishte ndërmarrje e thjeshtë organizimi i atij mitingu. Ne nuk kishim në fillimet e PD-së asnjë mjedis të mjaftueshëm e të përshtatshëm, kështu që si zyrë në ato fillime është përdorur zyra ime te poligoni. Atje takoheshim pasditeve, por, sidoqoftë, mjediset tona të para kanë qenë kryesisht kafenetë e qytetit. Mbaj mend se më 5 janar1991, bashkë Simon Vrushon dhe Niko Fanin vendosëm që mitingun ta zhvillonim më 9 janar. Ndamë detyrat për datën 6 janar: Simoni ka shkuar në Tiranë për të marrë autorizimin për mitingun te selia e PD-së dhe nga Komisioni Nismëtar i PD-së u autorizuan Fehmi Telegrafi dhe Simon Vrusho si organizatorë të mitingut të parë në Berat, unë do të njoftoja personat që do të përbënin grupin e organizatorëve të mitingut që do të kontaktonim policinë, ku bënin pjesë: F. Telegrafi, S. Vrusho, N. Fani, N. Ibro, Th. Prifti, grup që ka dorëzuar zyrtarisht më 7 janar 1991 njoftimin në polici për mitingun. Ndërkohë, ne kemi organizuar dhe mbledhjen e një aktivi me nismëtarët për të zgjedhur Komisionin Nismëtar të Degës së PD-së Berat, që do të hartonte programin e mitingut etj. Më 8 janar 1991 janë mbledhur gjithsej 26 veta te zyra ime te poligoni, ku u zgjodhKomisioni Nismëtar i Degës së PD-së Berat, i përbërë prej 9 vetash: Komisioni Nismëtar i Degës së Partisë Demokratike Berat – 8 Janar 1991: Fehmi Telegrafi – kryetar, Simon Vrusho sekretar, dhe anëtarë: Bardhyl Sheme, Dhimitër Papa, Nuri Ibro,Piro Leka, Agron Musaraj, Pëllumb Nako, Ylli Kapallani. Mitingu i 9 Janarit 1991 i PD-së në Berat ishte një sukses, një triumf i plotë i aspiratës së Beratit për liri e demokraci.

***

Në Berat nuk ka asnjë pllakë përkujtimore me një mbishkrim për këtë miting, asnjë pllakë bronzi, asnjë pllakë mermeri, asnjë pllakë guri…Mitingu i parë i pastër i madh… Kujtesa… Edhe ajo kërkon të drejtën e saj, kujdesin e saj…

***

Në tribunën e mitingut: Azem Hajdari, Gramoz Pashko, EduardSelami, Fehmi Telegrafi, Simon Vrusho, Gjalliç Sino, Gjergji Hotova etj.

 

1


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas