Të hënën, Parlamenti nis sesionin e zakonshëm të punës. Në axhendën e seancës plenare të ditës së hënë, janë vendosur dy dekretet e Presidentit Meta, shkarkimi i ministrit të Europës dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati dhe dekreti për emërimin në këtë detyrë të kryeministrit Edi Rama, të dy propozime të shefit të qeverisë.
Të enjten Presidenti Ilir Meta dekretoi Ramën në postin e Bushatit, pasi më herët kishte refuzuar emrin e zv. ministrit Gent Cakaj, si shef i diplomacisë së Shqipërisë.
Opozita ende nuk ka bërë të ditur nëse do rikthehet në Kuvend, pas largimit nga sesioni i jashtëzakonshëm i të mërkurës, me argumentin se nuk iu dha e drejta e fjalës. PD e LSI kanë shpallur vendimin për nisjen e protestave popullore, deri në largimin e kryeministrit Rama.
Ndryshimet e fundit në qeveri kanë lënë 5 vende bosh në drejtimin e komisioneve parlamentare. Burimet i thanë Report TV se për një pjesë të këtyre vendeve do të “rehabilitojnë” një pjesë të ministrave të shkarkuar.
Qysh kur Erjon Brace u zgjodh zëvendëskryeministër, karrigia e tij si kryetar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave ngeli bosh. PS pritet të propozojë për këtë pozicion ish-ministrin Arben Ahmetaj.
Bërja e Bledar Çuçit ministër bujqësie ka prodhuar dy vakanca: një në bashkëkryesimin e reformës zgjedhore dhe një si nënkryetar i Komisionit të Integrimit. Për këtë të fundit, PS nuk ka marrë ende një vendim dhe pse emrat më të përfolur për të qenë nënkryetarë të këtij komisioni janë ish-ministri i jashtëm Ditmir Bushati ose deputeti Ervin Bushati.
Ndërkohë, si bashkëkryetare të Reformës Zgjedhore PS pritet të propozojë Blerina Gjylametin.
Ministri i ri për Mbrojtjen e Sipërmarrjes do të zëvendësohet nga Niko Peleshi. Ish ministri i bujqësisë do të propozohet si kryetar i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese.
Ministrja e re e Marrëdhënies me Parlamentin Elisa Spiropali ka lënë bosh karrigen e nënkryetares së Komisionit të Shëndetësisë. PS pritet të propozojë në këtë pozicion deputeten e Durrësit, Klodiana Spahiu.