Dështimi për të gjashtën herë i projektligjit për rimëkëmbje ekonomike tregon për krizën e thellë të mosbesimit mes partive në pushtet dhe atyre në opozitë. Ky mosbesim nuk po tejkalohet as përballë një krize të rëndë ekonomike, siç nuk e ka përjetuar Kosova që nga lufta e fundit. Në muajt e ardhshëm kriza do të ashpërsohet edhe më shumë. Këtu s’do të bëjnë punë as milionat e dërguara nga diaspora, sivjet më të larta se në vitin 2019.
Qeveria thotë se është stabile, por shihet ashiqare që nuk ka shumicë në Kuvend. Një pjesë e opozitës (VV), e zemëruar me mënyrën si u zgjodh qeveria e re në fillim të qershorit, ka kaluar në modusin e bllokadës totale. PDK po pret hyrjen në qeveri për t’u bërë “konstruktive”. LDK po synon që këtë “konstruktivitet” ta blejë duke i ofruar PDK-së postin e presidentit. Shpresa e LDK-së është se PDK do t’ia kthejë këtë “të mirë”, duke e përkrahur qeverinë e udhëhequr nga LDK.
Në 12 muajt e fundit besimi në të dy këto parti (LDK dhe PDK) ka rënë në mënyrë dramatike. Rrugëdalja e vetme logjike janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Por duke e ditur se mund të pësojnë disfatë (të rëndë) në zgjedhje, LDK dhe PDK do të përpiqen të mbajnë njëra-tjetrën në pushtet – aq sa është e mundur.
Testi në javët apo muajt e ardhshëm do të jetë zgjedhja e presidentit. Pa një pajtim me opozitën, por edhe me AAK-në dhe Nismën (në pushtet), LDK dhe PDK do ta kenë të vështirë të imponojnë një kandidat apo kandidate për postin e presidentit. Opozita e bashkuar mund të bojkotojë seancën dhe kështu zgjedhja të dështojë në start për shkak se për të filluar procesi i zgjedhjes së kryetarit të shtetit duhet të sigurohet kuorumi prej 80 deputetëve të pranishëm në sallë.
Tani për tani një shumicë të tillë LDK dhe PDK duket se nuk e kanë – madje edhe nëse atyre u ndihmon bujarisht Aleksandar Vuçiçi me Listën e tij serbe. Opozita (VV) dhe AAK si parti në pushtet nuk kanë interes t’i bëjnë amin një kandidati për president të nxjerrë nga kapelja e cirkut politik mes LDK-së dhe PDK-së. Interesi i VV-së dhe AAK-së është që të dështojë zgjedhja e presidentit dhe kështu të provokohen zgjedhjet parlamentare. Cili është interesi i Kosovës? Ky duket se nuk është prioritet i partive politike.
E logjikshme dhe gjithsesi më demokratike do të ishte që presidenti të zgjidhej nga një Kuvend i ri, i cili buron nga verdikti i ri popullor. Por çka ka qenë logjike në politikën e Kosovës në dekadat e fundit? Improvizimet, intrigat, lojërat do të vazhdojnë. Në nenin 1 të ligjit për presidentin e Kosovës thuhet: “Presidenti është kreu i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit të Republikës së Kosovës”. Ky nen nuk është marrë parasysh gati asnjëherë në zgjedhjen e presidentit dhe me gjasë nuk do të merret as tani parasysh nga LDK dhe PDK.
Zgjedhja e presidentit për këto parti është mbi të gjitha përpjekje për të ruajtur pushtetin se sa angazhim i sinqertë për të zgjedhur një president që kalon kornizat e ngushta partiake dhe rrjedhimisht është i pranuar për opinionin e gjerë. Gjasat që një tryezë e përbashkët e partive politike të gjejë një kandidat apo kandidate që sadopak përfaqëson unitetin e popullit, duken të vogla. Arti i kompromisit qëmoti është zëvendësuar nga agjendat afatshkurtra të partive politike. Rrjedhimisht, Kosova edhe në muajt në vijim rrezikon të mbetet peng i polarizimit të thellë dhe bllokadave politike. Çmimin do ta paguajnë qytetarët e vendit.
Kosova gjendet para disa vështirësive. Dialogu me Beogradin ka mbetur në qorrsokak. As BE, as SHBA-të nuk kanë një përfytyrim të qartë se si të vazhdojnë më tutje. Vullneti i Perëndimit për t’i bërë presion Serbisë për ta pranuar Kosovën nuk është i madh, madje nganjëherë fitohet përshtypja sikur ky vullnet nuk ekziston fare. Dialogu po ecën me autopilot dhe me pritjen sidomos të Brukselit që “palët të merren vesh”. SHBA-të gjenden në fushatë elektorale dhe është e paqartë nëse do të dihet rezultati i zgjedhjeve kur bota të zgjohet nga gjumi më 4 nëntor.
Ekziston rreziku që drama e numërimit, rinumërimit dhe kontestimit të rezultatit elektoral nga presidenti aktual të zgjasë disa ditë ose javë. Presidenti i ri i SHBA-ve do të marrë postin tek më 20 janar. Deri atëherë s’mund të pritet ndonjë nismë e re serioze nga Washingtoni. Veprimet e Gjykatës Speciale mund të kenë efekte disruptive në skenën politike të Kosovës. Kriza e shkaktuar nga korona po ashtu. Por të gjitha këto duket se nuk i bëjnë përshtypje gati askujt në arenën politike të Kosovës.