Mapo Letrare

Të jesh e të mbetesh grua në sytë e Cvajgut





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 21:05 - 27/01/20 |
Nga Eli Kanina

Novelat e Stefan Cvajg


“Të desha ty dhe për çdo ditë, një letër shkruaja plot me mall, por jo asnjë prej tyre, në duar ty jo nuk të ra…” Ka qenë një moshë që anonim i mbetëm dashurisë. Sa kemi dashur! Sa të marrë! E duke kënduar me Afërdita Zonjën, përpiqeshim të qetësonim tallazet e asaj moshe pranverore, që aty ku fillonin edhe mbaronin, në gjokset tona që sapo kishin lidhur sythë.



Po kush më mirë se “Letrat e një të panjohure” të Stefan Cvajgut do të na ndihmonin në ëndrrat tona vajzërore, për të nxjerrë perlat e shpirtit në letrat e para të dashurisë? Ndërsa shkruaja dikur “E panjohura e Cvajgut jam unë”, në mendjen time nuk shfaqej qartë një djalë që doja, veç Cvajgu ishte gjithë kohën aty me mua, për të ma bërë më të thjeshtë ndjenjën që më brente aq bukur.


Pavarsisht fabulave të ndryshme në vazhdim, përjetimi vajzëror fillonte njësoj tek të gjitha, me atë përpëlitjen, pasigurinë  dhe zhvlerësimin e vetes, me hyjnizimin e tjetrit, që na bënte të humbnim shumë, e të shijonim pak. Derisa me kohë na rritej vetbesimi dhe përpiqeshim ta tregonim se vlenim, e mbaheshim aq me të madh, aq sa të rrëzoheshim hundëbuzë, në pësime të tjera edhe më të  vuajtshme, që veç mësime nuk bëheshin.

Si vera e stazhionuar, eksperiencat e rritin njeriun në vlera, por tani pas vitesh na duken marrëzi foshnjarake ato përjetime…marrëzi, por të domosdoshme! Tashmë na bëjnë nostalgjikë strukur sirtareve, nëpër blloqet e citateve, kartolinat dhe shkrimet e mbetura pa grisur, të mbijetuara e nënkuptuara si letërsi epistolare, pa turpin e dikurshëm të sekreteve, madje edhe qeshim me naivitetin tonë.

Por Cvajgu vazhdon të konfirmojë e të na qetësojë edhe dilemat e paragjykimet e jetës bashkëshortore sipas një psikoanalize të thellë të botës femërore, me delikatesën dhe saktësinë e një kirurgu në tryezën operative. Kush nga gratë nuk është ndjerë ndonjëherë në ankth si zonja Irenë, apo të rrëmbehet në aventurë si zonja Hanrietë, të ketë magjinë dhe pushtetin e missis K, të joshë e të joshet si e ëma e Edgarit, përjetimin e  zonjës Sporshil, fatin e Kreshencës etj. Cila grua e lexoi dhe nuk u përfshi emocionalisht në novelën Amoku, Njëzet e katër orë nga jeta e një gruaje, Ankthi, E fshehta përvëluese, Letrat e një të panjohure, Leporela etj.

Një mbresë nga leximi i dikurshëm i Cvajgut dhe që më vjen kaq qartazi nga fëmijëria, lidhet me dërrasën e shahut në shtëpinë tonë. Loja e shahut ka qenë bashkëudhëtare e jetës time. Ajo vononte vaktet e ngrënies, na prishte gjumin, anullonte xhirot apo vizitat familjare, ndryshonte pushimet sipas humorit që babi kish pas lojës së shahut me shokët, me xhaxhallarët sa herë vinin tek ne, dhe këdo që i gjendej pranë …me ne fëmijët luante dam, sepse nuk kish durim me ngathtësinë tonë si fillestarë në shah. Edhe në xhirot buzë detit në plazh, mund të harronte termusin e ujit, apo lekët për akullore e aranxhata, por dërrasën e shahut e kish gjithmonë nën sqetull se, nuk i  dihej…

Edhe tani im atë vazhdon të luajë duke i ndarë e respektuar pensionistët në lagje, në ata që i ka miq se dinë të luajnë shah, ata që të zënë mat zgjuarsisht e bukur, ata që bëjnë me hile, ata që luajnë për të shfryrë kohën apo ata që nuk dinë nga shahu pra janë gdhë fare. Më bënte kaq nervoze dhe të nënvleftësuar ky pasion i babait aq sa e paragjykoja se më dukej sikur luante lojën e jetës. Kaq i dhënë pas atij shahu të shkrehtë sa na harronte edhe ne, se veten po se po! Sipas Stephen Littleword “Në lojën e madhe të jetës, fiton ai i cili nuk humb zemrën”. Ironia ishte se babi fitonte gjithmonë, duke humbur vetëm mendjen në lojra pafund. Dhe çdo herë betohej se nuk do të luante më prej kokëdhembjes që i shkaktonte( jo shahu por kundërshtarët e dobët), dhe ngrihej të nesërmen me dërrasën e shahut në dorë, i freskët për sfidën e rradhës. E kam palestrën e trurit – shfaqësohej e justifikohej çdo herë.

Pas leximit të novelës së  Cvajgut “Loja e shahut” unë e mirkuptova pasionin e babit dhe magjinë e kësaj loje, që qëndron mes artit dhe shkencës, diçka mekanike që zhvillohet nga fantazia, brenda 64 katrorëve bardhë e zi të dërrasës së shahut. Loja e Shahut apo e Mbretit sipas persëve, u takon të gjithë moshave,  thotë Cvajg ndërsa e sjell në një formë interesante si ballafaqim ndërmjet dy personazheve që e luajnë në mënyra të ndryshme. Kampioni botëror i shahut, Centoviçi është fshatari që luante shahun si gomari i Bileamit, pa imagjinatë, por kjo e metë nuk e pengonte të fitonte paratë e të dilte kampion bote.

Ndërkohë që Doktor B, i shfaqur rastësisht gjatë ndeshjes në kuvertën e anijes, zbulon talentin e tij për këtë lojë duke na mbajtur pezull me historinë e tij të lojës së shahut. E mësuar dhe luajtur me imagjinatë, pa ndihmën e dërrasës dhe gurëve të shahut, si një mjet që në një moment izolimi e torturash naziste, i ka shpëtuar mendjen dhe jetën. Mesazhi që shkrimtari na jep me historinë e Doktorit që e ka luajtur shahun muaj me rradhë në mendjen e tij, pa një kundërshtar dhe pa dërrasën e shahut para, është befasues kur e mendon që loja e shahut luhet dyshe. “Të luash shah kundër vetes, të duket sikur kërkon të kapërcesh hijen tënde”. Kjo është e veçanta e novelës, duke bërë të jashtzakonshëm edhe rrëfimin e Zvajgut kur e përcjell tek lexuesit, fitorja aty ku të duket e pamundur.

Fitorja e përvojës, talentit, vlerës, kulturës e imagjinatës, njerëzore, është sa figurativ aq edhe historik, për kohën kur Cvajgu shkroi novelat e tij. E veçanta e penës së Zvajgut, është sjellja e të jashtzakonshmes, jo përmes përshkrimit të ngjarjeve por nga përjetimet e personazheve. Nëpërmjet kujtesës së tyre, përjetimeve ankthioze, rrëfimeve shpirtërore, krizave psikike e reagimeve befasuese në rrethana të caktuara, ai sjell vëzhgimet psikologjike nga përvojat e tij, që bëhen universale ndërsa interferojnë me ato të lexuesve.

Pothuajse të gjitha novelat kanë në thelb marrëzinë e personazheve si një nyjë që zgjidhet nga drama psikologjike e zbërthyer mjeshtërisht nga autori. Cvajgu nuk shkruan drejtpërdrejt historinë e dy luftrave botërore, mes të cilave jetoi e shkroi letërsinë e tij. Fundi i perandorisë së Hasburgëve , fitorja e nazizmit dhe Lufta e dytë botërore, nuk janë pikësynim i penës së Cvajgut, edhe pse është i pashmangshëm pasqyrimi i tyre në novela.

Ai anashkalon politikën, nuk merret me realitetin, por përqëndrohet tek bota e brendshme e personazheve, tek krizat morale dhe dramat që vijnë prej tyre. Vetëm nga përshkrimi i detajeve të jetës së personazheve, përmes gjendjes së tyre mendore, intelektuale, psikosociale, niveleve kulturore e ekonomike, ne arrijmë të kuptojmë e formëzojmë historinë e kohës, që u rri në sfond novelave të Cvajgut. Primar për Cvajgun nuk është realiteti por personazhi, shpirti si labirinth me misteret që vijnë çdo herë bukur, pa rënë në zhargone sentimentale. Kjo elegancë e të sjellit, e bën edhe personazhin më vulnerabël, të duket interesant dhe i veçantë.

Origjinalitetin e pesonazheve të Cvajgut që nuk të zhgënjen asnjëherë, mund ta diferencosh edhe aty ku nuk ta pret mendja se mund ta ndeshësh. Këtë e provova
në ditët e parakrishtlindjeve kur vajza ime niset për një udhëtim disa ditësh në Budapest. Pas gjithë porosive prej nëne, nuk harroj ta porosis për fotot që të mi postojë edhe mua, sapo të gjejë mundësinë:

– Të ndiej edhe unë pak aromë Budapesti- i them llastueshëm ndërsa vazhdoj -leqë  paska menduar Zoti edhe për mua, sepse edhe nga këtu, unë mund të kem pak Budapest- dhe kështu e mbyll me vajzën, ndërsa shoh që në tvsh po fillonte filmi “Grand Hotel Budapest”. Ishte kaq përthithës që në krye, sa nuk shkëputesha dot as edhe për një gotë ujë, deri në aneks. Trajtimi i filmit nëpërmjet rrëfimit të historisë nga një shërbëtor i dikurshëm i hollit të hotelit, luksi i ambjenteve të hotelit, individualizimi i personazheve, lidhja e konfliktit me përcjelljen e një konteshe të moshuar fillimisht nga hoteli dhe më pas për në botën tjetër, futja në lojë e pikturës  “Djali me mollë” përmes testamentit për drejtuesin e hotelit dhe jo për trashëgimtarët e ligjshëm të familjes, fillimi i luftës nga pushtimi nazist dhe racizmi ndaj çifutëve që bëhet shkak konflikti në tren dhe i përndjek personazhet përgjatë ngjarjeve në vazhdim, të mbajnë lidhur me dinamikën e shfaqjes dhe më dukeshin të njohura sikur më kujtonin skena të përngjashme, me ato të lexuara nga librat.

I vura bast vetes që skenaristi i këtij filmi duhet të ishte ndonjë shkrimtar shumë i njohur, ose unë duhet ta kisha lexuar këtë ngjarje në një libër që nuk kish këtë titull. Ndërsa filmi po shkonte drejt fundit, vajza më nis një set fotosh plot borë nga Budapesti. I shkruaj se kam Budapestin tim, duke i treguar për filmin që ndoqa, ndërsa në ekran shfaqen titrat.

– Ah, sa inat që nuk jam aty ta shoh! -më thotë ime bijë- Ky ka qenë kandidat për Oskar para nja dy vjetësh, është fantastik si çdo film i regjizorit Wes Anderson, është shumë i bukur se e kam parë njëherë dhe prapë dua ta shoh, kurrë nuk më mërzitet ai film… Ka një mënyrë të vetën ky regjizor, një stil origjinal, sa filmat e tij janë gjithmonë të nominuar e vlerësuar me çmime.

-Po po ai është Wes Anderson – i konfirmoj  vajzës emrin e regjizorit që sapo lexova dhe vazhdoj të ndjek titrat- por ditka edhe të përzgjedhë ky regjizor…ah qenka Cvajgu, qenka skenar i Cvajgut ky film! Dukej që nuk ish dosido- gati sa nuk thirra nga triumfi që ndjeva teksa lexova emrin e tij, si autori mbi të cilin ishin bazuar për skenarin. Epo kur bëhen bashkë dy emra të talentuar, ky është suksesi i dyfishtë e i garantuar, ku spikat origjinaliteti dhe madhështia e tyre!

– Pse ulërin sikur është Cvajgu yt, aq i famshëm sa është, domosdo që njihet botërisht dhe përzgjidhet edhe për filma të bukur- ma preu hovin ime bijë.

– Mos harro të bësh foto me bustin e Autorit, tek Grand Hotel Budapest, meqë je andej dhe e ke shansin- e mbyll unë duke bërë bashkë mamin e merakosur, lexuesen e apasionuar dhe shikuesen e ngazëllyer.

Emocione që flejnë e zgjohen brenda nesh, të mahnisin mendjen dhe të përdëllejnë trupin e shpirtin, sa herë e lexon- ky është Stefan Cvajg!


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas