Aktualitet

Të kalosh 2020-ën nën pushtetin e rilindjes!








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 13:18 - 04/01/21 |
Armand Maho

Për të gjithë botën viti 2020, nuk ishte një vit i lehtë. Ajo që nisi si një grip në një provincë të Kinës, u shndërrua shumë shpejt në në një pandemi botërore, e cila rrëzoi sistemet shëndetësorë dhe zbrazi rrugët e qyteteve.



Miliona vdiqën, dhe dhjetra miliona të tjerë vazhdojnë e vuajnë dhe sot pasojat. E nëse bota do zhytej në regres, Shqipëria do e përjetonte këtë situatë si një makth. Nëse në Evropë, shtetarët e atjeshëm, menduan si të lehtësonin sadopak barrën e hallit për qytetarët e tyre, në Shqipëri menduan më shumë për performancën mediatike.


Në një vend ku ende nuk janë mbyllur plagët e tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019, në një kohë pandemie ku virusi po ndan tinëzisht gjyshërit nga nipërit, ne vazhdojmë të dëgjojmë histerinë e propagandës rilindase, të cilët kërkojnë të na bëjnë të besojmë se ata qenkan më të mirët, ose se Zoti na paska dashur shumë që na dërgoi Ramën dhe shpurën e tij në këto kohë të errëta. Ta mendosh hollë-hollë nuk kanë zgjidhje tjetër. Dy mandate dështimesh, keqadministrimi të parasë publike dhe pengmarrje të shtetit nuk të lënë rrugë tjetër.



Eshtë e dhimbshme, por e vërtetë. Pushteti i sotëm shfrytëzoi pandeminë për të megapasuruar atë kastë njerëzish që qëndrojnë afër tij. Nuk u ndalën PPP-të, ndërkohë që shqiptarët paguheshin mjerisht me paga lufte. Nuk u ndalën as kullat, varfëria jo e jo. Nuk u ndal propaganda, nuk u ndal vjedhja, nuk u ndal paligjshmëria. E vetmja gjë që u ndal ishte jeta e atyre fatkeqëve që pandemia duket sikur i vodhi. Në një kohë kur Becheti bllokon ato pak asete të Shqipërisë nëpër botë për një kapriçio të kryeministrit, shqiptarët përjetojnë shkretëtirën financiare që lë pas pandemia.



Dikush që ka apo ka pasur një të afërm të prekur nga covid-i di fort mirë kostot e saj. Një pensionist i infektuar në formën më të moderuar duhet të harxhojë pensionin e tre muajve ose rreth 50 mijë lekë të reja për t’u kuruar, ndërsa të prekurit më rëndë atë të një viti. Kompensimi financiar për mjekimin nga koronavirusi mbetet vetëm në letër, i kyçur nëpër qindra artifica ligjore dhe sorrollatje të pafundme.

Lexo edhe :  Basha: Largimi masiv i shqiptarëve, një nga dështimet më të mëdha të Ramës

Rilindja kërkon një mandat të tretë të një Kryeministri që noton mes projekteve 3D, të cilët nuk realizohen kurrë, ndërsa spitalet vazhdojnë të jenë në gjendje skandaloze. Shkon për të njëqindën herë duke inspektuar punimet në Lungomare, një dështim i suksesshëm personal i tij, ndërkohë që njerëzit vazhdojnë të flenë në çadra prej më shumë se një viti nga tërmeti.

E jo vetëm kaq. Ekranet vazhdojnë të mbushen me Elisa, Taulantë dhe Veliajt që tregojnë “gjenialitetin” e tyre dhe lumturinë që na duhet të përjetojmë që i kemi. Shqipëria po përngjan çdo ditë e më shumë me një lloj Koreje të Veriut, ku lideri suprem i bën njerëzit të besojnë se skuadra e tyre ka fituar kampionatin botëror. Sindromë e një autoritarizmi të sëmurë që vështirë ta gjesh të dytë në Evropë.

Në rast se propaganda do ishte kurë për shërimin e plagëve sociale pa dyshim që do ishim nga vendet me standardin më të lartë të jetës. Por gjithkush e di fort mirë, se propaganda nuk të ushqen, nuk të punëson, nuk të shëron, nuk të strehon. Propaganda përgjithësisht është streha e hajdutit që mundohet t’i mbushë mendjen viktimës së tij për të kundërtën.

Nuk ka si bëhet më keq kur jeton në një vend ku vjedhja është e shfrenuar dhe tallja akoma më e shfrenuar. Në këto kushte, rilindja kërkon një mandat të tretë më 25 prill. Eshtë qesharake, por më shumë është e dhimbshme kur mendon për papërgjegjshmërinë që e shoqëron.


Etiketa: , , , ,

Pas