Mapo Letrare

Të krijosh ballë Pasqyrës, me një Sfinks në sfond…




Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 11:33 - 12/01/20 |
mapo.al

Intervistë me shkrimtarin e njohur Petraq Risto


Bashkëbisedoi: Mark Simoni


Gjithnjë ka pasur një fillim dhe një adoleshencë krijuese, si “erdhi” ajo tek ju?



Poezia ka ardhur herët, kur isha nëntë vjeç; ka ardhur me ndroje, si një vajzë e thjeshtë që ngre pakëz fustanin që të mos i laget nga dallgët e bregut dhe ti, me naivitet e drithërimë, e fton të uleni e të ndërtoni kështjella rëre. Them se ka ardhur nga deti, sepse që i vogël unë rrija shumë buzëdetit, veçanërisht në stinën e verës në plazhin e Golemit, mes pishave të egra e të buta, me ato muzgjet piktoreske ku jo rrallë peshkoja me babain e ku larg notonte e këndonte dikush me zë të thellë Posejdoni, që me sa mbaj mend duhej të ishte rojtari i pyllit apo i kampit të pushimit të fëmijve. Që në atë moshë lexoja shumë. U bëra anëtar i bibliotekës së qytetit të Durrësit. U rrita duke lexuar. Shkruaja vazhdimisht. Krijoja me zë. Në shtëpinë e vjetër dilja para pasqyrës, recitoja dhe pastaj ulesha dhe i hidhja vargjet në letër. Shkruaja dhe që nga pasqyra më shikonte një bandë apo sixhade e vogël vendosur në mur, nga ku ngrihej Sfinksi me tre piramidat në sfond dhe silueta e një gamileje. Çuditërisht Sfinksi kishte ngjashmëri me fytyrën e gjyshe Vitës, e cila për disa vjet do rrinte në kuzhinën matanë dhomës ku unë adoleshenti shkruaja. Nëna ime e mirë bëhej merak për djalin e saj poet, për pagjumësinë time, por edhe u gëzohej botimeve të mia të para, krenohej me mua. Lumturohesha kur honoraret e botimeve ia jepja nënës, që veç meje, djalit të madh, kishte dhe dy djem e dy vajza më të vogla, vëllezërit dhe motrat e mia të dashura. Mbase dhe ai Sfinks tepër familjar më ka ndihmuar, ma ka kuptuar thelbin, ndjeshmërinë, të ardhshmen dhe fatin tim.


Në vitet e adoleshencës krijova poezinë time që nuk ngjante me poezinë e kohës dhe pse në fund të viteve gjashtëdhjetë e fillim të viteve shtatëdhjetë ne kishim poetë tanë modernë. Gjithashtu, ishin përkthyer dhe botuar disa poetë të njohur si Uitman, Ricos, Majakovski, Neruda, Esenin, Gilen,… tragjedianët grekë, tragjeditë e Shekspirit. Shoqëria letrare me Ilia Deden, (i cili u nda nga jeta para pak ditësh), me Bashkim Hoxhën, Thanas Mustaqin, Bardhyl Agasin, Kozeta Mamaqin e pak më vonë me Moikom Zeqon, Hasan Ulqinin, Met Gjergjin e shumë krijues të tjerë durrsakë, më ndiznin më shumë zellin krijues. Pastaj erdhën çaste të tjera: të recitosh para klasës, të fitosh konkurse, të njihesh me poetë e kritikë të njohur, të botosh në gazeta e revista, të mendosh për librin e parë… Dhe atje, ballë pasqyrës, me Sfinksin në sfond të krijosh poezi të reja me motive e metafora të guximshme si “Duel me heshtjen”, “Radiografia e vjeshtës”, “Vajza e foklorit”, “Takim imagjinar me negren e dashur”, “Dy stinë”, etj. disa prej të cilave u botuan te “Zëri i rinisë”, “Adriatiku”, “Drita”, “Nëntori” dhe më 1976 në librin tim të parë “Zjarre që rriten”.


 Nuk kishit frikë nga censura e kohës? Ai Sfinksi në sfond nuk u egërsua asnjëherë, nuk ju bëri pyetje të vështira, mospërgjigjet e të cilave mund t’ju dënonin?!

Në vitet 1971-1973 kur unë isha studentë në degën e Gazetarisë, ishte koha e liberalizmit, them se ishte një kohë gati e artë, për të cilën duhet një analizë e thellë, jo vetëm për të kuptuar thelbin e kohës, por për të kuptur edhe pse lulëzuan talente, pse u shkruan dhe u vunë në skenë drama të fuqishme, si “Njollat e murrme” të Minush Jeros, pse patëm një festival fantastik të këngës siç ishte Festivali i 11, pse Kadareja shkruante “Dimri i vetmisë së madhe”, dhe shumë e shumë “Pse” të tjera… Mes këtyre “pse-ve” ishin dhe “9 poezi të Petraq Ristos” botuar te “Zëri i Rinisë” gati në një faqe të plotë, kur redaktore ishte Emine Sadiku dhe, kryeredaktor, i famshmi Miço Verli. Natyrisht, pas pak muajsh të gjitha “Pse-të?” kthehen me kokë poshtë, pikëpyetjet ??? bëhen çengelë dhe një ferexhe kthehet në perden e dramës absurde…PSE???!!! Mbase unë isha më i riu që kritikohesha në analizën reflektuese të Plenumit në mbledhjen e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve për një nga 9 poezitë, e cila “ishte ekzistencialiste”. Atëherë, mbase ngaqë isha student shpëtova dhe “e kapërceva” dënimin, por sidoqoftë reagimi i mëvonshëm ishte sa i ndërgjegjshëm aq dhe instiktiv, gradualisht autocensura nisi të veproj dhe kërkesat e redaksive ishin “me detyrim e përcaktim”. Dhe nuk qe e lehtë të botoje një libër. Sidoqoftë, libri që kisha gati me titullin “Lotët e adoleshencës” mbeti dy-tre vjet në sirtar dhe duhej të pasurohej me motive të tjera më afër kohës. Botimi i vëllimit “Zjarre që rriten” u prit shumë mirë. Mbaj mend që u organizua promovimi në sallën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe diskutuan disa krijues, mes të cilëve poeti i madh Fatos Arapi, redaktori i librit Ramazan Vozga, etj. Megjithatë mendoj se ai Sfinksi im mbeti dashamirës.

Me kaq libra të botuar, në shqip dhe gjuhë të huaj, a mendoni se ndjeheni i plotësuar si krijues profesionist?

Eshtë vështirë ta them, veçanërisht tani që jam mbase në kulmin e energjive krijuese. Ka kohë që për krijimtarinë time janë shprehur shumë personalitete, madje disa me superlativa si: “Nga të paktët emra që u afrohet majave”, “Individualitet i spikatur, novator”, “kalorës i metaforës”, “ka lëvizur poezinë shqipe nga pika e vdekjes”, “afër poezisë së madhe botërore”, “poet i madh”,  etj. por kur këto nuk sinkronizohen me institucionet shtetërore, me katedrat universitare, me hartuesit e disa antologjive, me juritë e çmimeve, ka diçka apo disa gjëra që nuk shkojnë. Pra, ose këto nuk janë të vërteta, ose janë të vërteta, por është vështirë të institucionalizohen, sepse realiteti letrar në Shqipëri është, gjithashtu, ‘në tranzicion’. Besoj se në raste të tilla autori mund të bëhet insitucion më vete. Përshembull, Kasëm Trebeshina. Jam i bindur që tani, pas vdekjes, ai do të kthehet në një institucion, me të do të merren seriozisht, me të mirat dhe të këqiat dhe grafiku i vlerave të tij do ngjitet e do të shkojë në pikën e lartë që i takon. Përshembull, Frederik Reshpja, një lirik i mrekullueshëm! Sapo u nda nga jeta nisi të marrë vlerën që i takon dhe, ai, poeti, që nga Parajsa, jam i bindur që tallet me botën e poshtme, dhe pse në Parajsë tallja ndalohet me ligj!

Nga sa kuptoj ajo Pasqyra e fëmijërisë dhe Sfinksi dashamirës ju ka ndjekur dhe më vonë në periudhën e pjekurisë. Po në ShBA a e ndjeni praninë e tyre?

Tani nuk është deti, por është oqeani. Mungon nëna ime e mirë me merakun e saj proverbial. Mungon babai. Mungojnë shumë të afërm, miq e shokë. Por janë kujtimet. Eshtë familja, gruaja, dy vajzat, Sidorela dhe Haidi dhe djali, Juliani. Tani mjetet e komunikimit të lidhin në çast me motrat, vëllezërit, miqtë dhe shokët… Tani Pasqyra dhe Sfinksit janë brenda meje…

“Vetëm buzë Oqeanit: I panjohur për të

vij nga një det i vogël me dallgët: zarfa malli…”

Pra, mendoni se ndërrimi i klimës krijuese e ka ndihmuar letërsinë tuaj?

Në fillim të janarit 2019, pra një vit më parë, bëra betimin si qytetar amerikan. Nuk e di nëse kjo datë do të jetë e rëndësishme vetëm për mua, nuk e di nëse kjo qytetari, lidhja më e thellë dhe më e fortë me jetën dhe tokën amerikane do të ndikoj më tej në veprat e mia të ardhshme. Sipas studiuesve, kritikëve, miqve të mi krijues, apo dhe lexues të kualifikuar, ndikimi i botës amerikane në krijimtarinë time ka qenë i dukshëm, mbase dhe një shtytje e fuqishme për një hop të ri cilësor, duke filluar me librin “Lojë shahu në shekullin XXI” (2004), shkruar pesëmbëdhjetë më parë, pak kohë pasi shkela në Botën e Re, e duke vazhduar me vëllimet poetike “Engjëlli me virus H5N1”, “Hallelulja”, “Apo-ka-lypsi”, “Lexuesi i buzëve: ar+sy+eja”, “Miq të dyshimit”, “Udhëtar me pluhur ferri”, “Unë quhem Dje”, “Para-j-sa?!” e deri te libri poetik i gatshëm për botim të titulluar “Ankimi i Luciferrit”. Në mes këtyre librave poetikë të botuar në Shqipëri dhe ShBA, janë dhe librat me poezi të përkthyera të botuara në Francë, Meksikë, ShBA, Rumani, apo poezi të veçanta të publikuar në antologji e në revista të ndryshme në ShBA, Europë, Amerikë latine, Australi.

Çfarë keni humbur dhe çfarë keni fituar ju si shkrimtar dhe krijimtaria juaj, duke u shpërngulur nga Shqipëria në SHBA? A mendoni se iu ka ndodhur e njëjta gjë dhe shkrimtarëve të tjerë?

Kam “humbur” mjedisin shqiptar, shtëpinë time, kopshtin tim, takimet dhe gëzimet e shpeshta me njerëzit e gjakut, miqësinë time të përditshme, sallën e Bibliotekës Kombëtare ku ulesha dhe punoja thuajse çdo ditë, birraritë me tym që më njihnin mirë, kam “humbur” rrugët e Tiranës apo Durrësit, rrugët ku eci thuajse gjithë kohën me dorën lart duke përshëndetur miqtë, shokët… dhe këto nuk janë pak për një njeri, aq më tepër për një poet me një natyrë tepër shoqërore. Këtu, në Nju Xhersi, ku jetoj, kam një miqësi tepër të kufizuar. Por lëviz shumë. Shpesh me lap top në krah shkoj me trena në Nju Jork. Shpesh herë shkoj te Biblioteka Publike e Newark-ut, ku ka punuar shumë në rininë e tij shkrimtari i madh Filip Roth. Punoj në Nutley dhe në Clifton. Në kushtet e reja teknologjike ke mundësinë ta ndjekësh jetën njëkohësisht në dy kontinente, për ti parë realitetet nga dy këndvështrime…, Shqipërinë nga jashtë dhe Amerikën nga brenda, Amerikën zemërmadhe me njerëz të mrekullueshëm, me thesare të mahnitshme kulturore, artistike, Amerikën e poetëve dhe shkrimtarëve të mëdhenj. Bashkë me vajzën e madhe, Sidorelën, kemi qenë disa herë pjesëmarrës në veprimtaritë e klubit letrar “William Carlos Williams” në Rutherford, mes poetëve amerikanë si Arthur Russell, John Barrale, John J. Trause, me origjinë arbëreshe, Jim Kleit, etj.; apo në Clifton ku takohem me poetët e njohur Laura Boss, Jim Gwyn, etj., ku, gjithashtu, recitojmë poezitë, apo dhe përfshihemi në diskutimet krijuese. Besoj se dhe krijuesit e tjerë emigrantë përpiqen të organizohen në komunitetet e tyre, por shumë pak në shoqata e grupime me autorë amerikanë.

 Letërsia e një autori kalon nëpër disa mosha që s’kanë fare lidhje me moshën e vetë shkrimtarit, por me pjekurinë dhe maturimin e tij. Në ç’stad e fazë është krijimtaria juaj, duke e mbështetur përgjigjen tuaj në veprat që keni bërë dhe planet letrare për të ardhmen.

Mosha krijuese është tepër specifike dhe dallon nga një autor te tjetri, kjo mvaret nga bërthama që mbart autori dhe forca e energjisë që çliron kjo bërthamë. Mendoj se krijimtaria ime është në fazën e vet kulmore. Kështu, nga viti 2013 e deri më sot, te libri i ri “Ankimi i Luciferrit”, janë katër vëllime poetike me rreth 1400 faqe, të gjitha krijuar në harkun e tetë viteve! Paralelisht kam punuar në prozën e gjatë, veçanërisht me dy romanet që i kam nisur prej vitesh dhe për arsye të ndryshme “janë shtyrë” dhe besoj fort se do të botohen brenda vitit. Prej kohësh kam vënë një bast me veten, por edhe me disa nga miqtë se “kalaja letrare merret nga jashtë” dhe unë po përpiqem ‘ta marrë kalanë’. Natyrisht kjo është një metaforë nxitëse në kushtet e një krijuesi aktiv në pozicionin e emigrantit, të një krijuesi që lufton thuajse i vetmuar, pa mbështetjen e askujt, përveç punës dhe talentit. Besoj se botimi i dy romaneve “Magjistari i rrugës 77” dhe “Salla me hije prej letre” do të shënojnë pikën e kthesës, apo atë kapërcimin e shkallëve hierakike që të çojnë te “kalaja letrare”. Këto ditë është duke u shtypur në Nantë të Francës vëllimi im poetik “Njeriu me dritare në krahë”, botim i “Editions du Petit Véhicule” drejtuar nga Luc Vidal, gjithashtu poet, përkthyer në frëngjisht nga Solange D’Angely, Luan Rama dhe Luan Canaj, shoqëruar me disa nga tablotë e piktorit të shquar shqiptar Artur Muharremi, i cili jeton në Paris. Po këto ditë kam filluar përpjekjet për botimin e librit poetik në Argjentinë, përkthyer nga Peter Tase, Xhevdet Bajraj dhe Ricardo Romero Vallejo, si dhe i një libri të plotë me poezi në anglisht titulluar “The King of Shadows” (Mbreti i hijeve), me përkthyesë time bijë, Sidorela Riston dhe mikun tim, shkrimtarin Granit Zela, vëllim që synoj ta botoj këtu në SHBA. 

Çfarë elementësh letrarë duhet të përdorë letërsia jonë për të qenë e veçantë në botë, interesante dhe e këndshme për tu lexuar?

Kam mendimin se letërsinë e bën të veçantë talenti i veçantë. Sidoqoftë, letërsia ballkanike i ka korifejtë e vet prej kohësh dhe ata janë bërë interesantë nga që kanë përcjellë me sukses mjedisin ballkanas, historinë e trazuar të saj deri në ditët e sotme, shpirtin e nxehtë ballkanik, dhembjen dhe dashurinë e lules në rrëpirë. Talenti i veçantë punon në një laborator origjinal e të pakonsumuar

Letërsia jonë e kultivuar e traditës, a ka luajtur rol në krijimin e një klime frymëzuese për shkrimtarët e sotëm?

Natyrisht, gjithnjë letërsia e traditës bëhet një shkallë mbështetjeje e ngjitjeje për pasardhësit, deri në çastin kur këta apo ky pasardhës ka krijuar profilin e vet origjinal dhe bëhet shkallë emancipimi për gjeneratën më të re.

 Cilat janë rrugët teknike, detajet, etapat, mundësitë, që një vepër shqiptare t’ia dalë të botohet në Amerikë? Le të jetë përgjigja juaj dhe njëfarë manuali i thjeshtë dhe orientues për këdo autor shqiptar, për të plotësuar ëndrrën dhe dëshirën e tij të botimit atje.

Kjo pyetje mund t’i bëhet ndonjë autori tjetër që i ka shkelur këto rrugë dhe ka arritur konkretisht diku. Unë jam mbase emigranti më i ri krijues dhe përvoja është shumë e pakët. Por ngaqë kam ndjekur rrugët private për botimin e poezive në disa revista amerikane, mund të them që është tepër e vështirë.

Cilat janë shijet tuaja dhe preferencat letrare që keni, (ju dhe autorët e tjerë shqiptar që shkruajnë atje), kur dihet që ShBA është një vend i formuar nga popullsi dhe kultura të ndryshme dhe alternative, shkolla, rryma e tendenca të shumta letrare. A keni ju shkrimtarët tuaj të preferuar, (nuk flas këtu për idole dhe idhuj), por që u referoheni, i keni për zemër, për model, etj, kur dijmë që Amerika nxjerr autorë të dëgjuar e të mëdhenj herë pas here?

Nga sa di unë autorët seriozë shqiptarë që jetojnë në Amerikë përgjithësisht shkruajnë në shqip, mes tyre edhe unë. Dhe kjo është një mangësi, kur mendon se për dritëbotimin e një libri në anglisht duhet përkthyesi, duhet agjenti letrar, duhet edhe fati. Ka shumë shkrimtarë amerikanë që më pëlqejnë si Filip Roth, Paul Auster, apo poetë si Ammons, Stivens, Jori Graham, Ginsberg, etj. Vë re, të paktën në këto mjedise e mbrëmje letrare ku marrë pjesë, shoqëruar nga ime bijë, Sidorela, se shumica e poetëve janë tepër konkretë në poezitë e tyre, në motivet gati anekdotike për jetën e përditshme, një folkpoetik, nëse mund të shprehem me këtë term. Sidoqoftë, ne që erdhëm këtu vonë jemi disi të justifikuar; brezi i krijuesve të rinj shqiptaro – amerikanë, që u shkolluan këtu, si Sidorela, përshembull, shkruajnë dhe krijojnë lehtësisht në anglisht. Ndikimi në moshën e pjekurisë është vështirë të ndihet te krijuesi i cili ka dekada që ka ngritur laboratorin e tij me instrumentet dhe kimikatet e duhura.

Po tani a i keni kushtet për të krijuar? A i ruani “huqet” e adoleshencës apo rinisë së hershme?

Nuk jam shumë i ngarkuar. Natyrisht kujdesem për dy mbesat, vajzat e Sidorelës, Sayurin dhe Amelinë, i çoj dhe i marrë nga shkolla, u shërbejë drekën, i vë të bëjnë detyrat. Gëzohem që mbesat i duan librat dhe aktivizohen në veprimtari artistike jashtëshkollore. Gjatë kohës që mbesat janë në shkollë, unë punoj në studion time modeste, lexoj, shkruaj. Shpesh dalë në Parkun pranë shtëpisë, një park i madh, i bukur, kryesisht i mbjellë me qershi dekorativë e ku çdo vit në pranverë organizohet Festivali i Qershive në Lulëzim. Shpesh në fundjavë shkoj në Nju Jork, zakonisht te klubi i shqiptarëve në Kuins ku takoj miq e shokë si Vaid Hyzotin, Veri Talushllarin, Gëzim Gjyrezin, Xhelë Haxhirajn, Arben Dautin, etj. Dhe këtu në Nju Xhersi herë pas here takohemi me miq të komunitetit shqiptar si me piktorin e njohur Dashamir Gurabardhi, me Adrian Dizdarin, e të tjerë. Përpiqem të jem aktiv, të lëvizë shumë. Sepse unë krijoj duke lëvizur. Zakon i vjetër. Po të shihni datimet në fund të poezive në të gjithë librat e mi, do të vini re se më shumë se gjysma e tyre, pra me qindra faqe janë krijuar në biblioteka, librari, parqe, trena, avionë, apo kafene. Që më 2003, kur shkela për herë të parë në tokën amerikane, fillova të krijoj steriotipin e ri: të punoja në librarinë Barnes & Noble, në 86 Street, jo në librarinë e re, por në atë të vjetrën, që ngrihej menjëherë pas kinemasë. Ime bijë, e cila atëherë ishte studente për letërsinë amerikane në Hunter Colege në 68 Street, më linte në kafenenë Starbucks të librarisë, ku unë punoja deri sa ajo dilte nga shkolla dhe vinte të më merrte për tu kthyer në shtëpi, diku në Bruklin. Tani, pas kaq vjetësh, ndjehem shumë komod kur punoj te Barnes & Noble, madje në disa librari, në Nju Jork apo Nju Xhersi, ata të banakut, sapo hyjë, marrin filxhanin prej porcelani për porosinë time: “double espresso!”.

Natyrisht duke qenë poet në një vend të madh demokratik, jam përpjekur të gjej sekretin e njeriut bashkëkohës, të kuptoj thelbin e shoqërisë amerikane, përparësitë dhe mungesat e saj.  Jetojmë në një epokë ndryshimesh të mëdha. Një zhvillim marramendës teknologjik, shkencëtarë që dyshonin te Zoti dhe që tani mendojnë se edhe Zoti mund të ekzistojë, dyshohej te prania e alienëve dhe tani arrihet në përfundime të pabesueshme se Piramidat e Egjiptit, (bashkë me Sfinksin) janë ndërtuar nga alienët dhe mund të kenë shërbyer si burim energjie për UFO-t!

Natyrisht pa u mbështetur tërësisht në teoritë konspirative, por duke qenë mik i dyshimit, shpesh në poezi dhe prozë kam shprehur shqetësimin qytetar për botën. Duke kuptuar madhështinë e kohës sonë, me këtë prurje gjigante informacioni brenda pak dekadash, por edhe atë konspiracionin e fshehtë që lëvizë ndonjëherë si energji e zezë në këtë planet të vockël që quhet Tokë, jam përpjekur të reagoj si krijues dhe qytetar i angazhuar me qëllimet, mbase utopike, për ta përsosur botën, për të zgjuar te njeriu ndjenjën e protestës qytetare, jo anarshisë. Dhe mes kësaj përsiatjeje të përditshme, ndjej si busin motivet poetike.

 Newark, New Jersey, 9 janar, 2020

 

 

 

 

 

 

 

 


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas