Aktualitet

Të kujdesshëm me Bashën, të pakujdesshëm me veten





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 21:55 - 13/02/20 |
Nga Gentian Gaba

Të jesh në opozitë nuk është e lehtë në asnjë vend të rruzullit, aq më tepër në Shqipëri; ku opozitarizmi nuk është tipari më i shquar i ADN-së politike të qytetarëve. Pak rëndësi ka sa i pushtetshëm është sot kryeministri i vendit, në shtator të vitit 2011, kur të vetmin pozicion që gëzonte ishte ai i Kryetarit të Partisë Socialiste, shprehej me këto fjalë për grupimin që drejtonte: “Një opozitë që fatkeqësisht është e dobët në numër, e dobët në zë; për shkak se janë të pakët ata që e ndrynë dhe e përçojnë kurajon për të qenë vetvetja, pavarësisht rrethanave dhe kushteve”.


Paçka se këto rreshta na ndërmendin talentin e pandryshuar të Ramës për t’u viktimizuar, nëse do ta vendosnim opozitën e Ramës përballë Ramës në pushtet, me forcën e nënbotës, atë mediatike dhe ekonomike, filipikat e kreut të PS-së ndaj grupimit që drejton do të ishin edhe më të gjata. Për mos të folur mandej për institucionin e opozitës ndaj opozitës, që ka marrë trajta edhe më të ashpra, i cili nuk furnizohet vetëm nga media që janë tradicionalisht kundër së djathtës, por edhe nga ato që neutralitetin e trajtojnë si një cmim ndaj mecenantit të radhës.



Anipse askush nuk është i detyruar të mbrojë apriori opozitën apo Lulzim Bashën, në sportin kombëtar të sulmit ndaj kundërshtarëve të pushtetit, bien më shumë në sy kundërshtimet ndaj vetes së atyre që e kritikojnë atë sesa kundërshtimet që ata kanë ndaj kreut të saj.


Rasti më i fundit për të ilustruar sa është thënë më sipër, është ai i Reformës Zgjedhore dhe kërkesës së opozitës për qeveri tranzitore. Një kërkesë që i përket arsenalit me të cilin Basha ka adresuar çështjen e çlirimit të zgjedhjeve qysh në pranverën e vitit 2017, kur disa prej atyre që sot e kundërshtojnë, kanë derdhur lumenj boje nëpër gazeta, orë të tëra nëpër emisione dhe kanë konsumuar tastiera të panumërta kompjuteri, për ta rrokur në debatin publik dhe për ta bërë pjesë të agjendës politike në funksion të zgjidhjes së krizës së atëhershme.

Nxitimi për ta interpetuar si një gabim të Bashës, fsheh dashakeqësinë për ta parë problemin te opozita dhe jo te mazhoranca. Në fakt, mjafton një analizë sipërfaqësore, si dhe pak kujtesë historike, për të kuptuar se ideja për një qeveri tranzitore, apo kujdestare, është racionale, për sa kohë që arsyet pse rezultoi e pasukseshme në vitin 2017 qëndronin të mungesa e vullnetit politik të kundërshtarit, si dhe, mbi të gjitha, kopsitja e krimit zgjedhor shumë kohë përpara implementimit të atij eksperimentit të parë.

Mirëpo ndryshe nga ai vit, në të cilin Basha dhe ata që mbështesinin qeverinë tranzitore kishin dyshime të arsyeshme për rrezikun e tjetërsimit të zgjedhjeve, kanë sot provat se zgjedhje me Ramën kryeministër nuk mund të ketë. Dy dosjet e bujshme 184 dhe 339, të cilat ekspozuan brenda dhe jashtë vendit shitblerjen e votës dhe përfshirjen e krimit të organizuar në procesin zgjedhor, si dhe votimet e 30 qershorit, të cilat provuan recidivitetin e Ramës në përgjedhjen aspak të moralshme të kandidatëve në një garë pa kundërshtarë, legjitimojnë edhe më shumë kërkesën e opozitës.

I fort nga kjo përvojë, pas sakrificave në shërbim të interesit publik për të provuar shkatërrimin e zgjedhjeve nëpërmjet krimit dhe shit-blerjes së votës, me kushtet e Bundestagut që i kanë dhënë forcën e vetos në hartimin dhe miratimin e një Reforme Zgjedhore nëpërmjet të cilës edhe partnerët ndërkombëtarë do të duan të shpëtojnë nga andrallat e fund zgjedhjeve, Basha ka përgjegjësinë për të normalizuar një proçes që normal nuk ka qenë prej kohësh. Dhe pas Dibrës, Durrësit dhe 30 qershorit, askush nuk mund të mohojë se nevoja për të instauruar një proçes zgjedhor të ngjashëm me fqinjtë tanë lindorë, të zbatueshëm deri në arritjen e një pjekurie elektorale të partive dhe qytetarëve, është jetike.

Prandaj, përpara se të kujdesemi për qëndrimet e Bashës, të cilave koha iu ka dhënë të drejtë, duhet të mos tregohemi të pakujdesshëm ndaj vetes dhe të shkuarës së sonë; e të mos harrojnë se politika nuk është filozofi, dhe se Nicja, në këto treva, nuk është filozof.


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas