Pas mbledhjes së Grupit të PS është vendosur që ditën e mërkurën në orën 10:00 Kuvendi do të zhvillojë seancë plenare dhe jo të enjten si zakonisht. Pikërisht ditën e mërkurë pritet që opozita të protestojë.
Burime të Gazetës MAPO nga PD, thanë se të mërkurën në orën 09:30 do të ketë protestë para Parlamentit, paralelisht me seancën plenare. Ndryshimi i datës së seancës plenare, ka bërë që edhe PD të mobilizohet për protestë, duke angazhuar degët lokale për të organizuar protestuesit.
Ndërkohë PS, gjatë kësaj seance, do të kërkojë shtyrjen me 3 muaj të afatit të komisionit të Reformës Zgjedhore. Mësohet se do të largohet deputetja Blerina Gjylameti, dhe në krye të komisionit do të propozohet Damian Gjiknuri, sipas direktivave të vendosura nga mbledhja e kryesisë socialiste.
Maxhoranca do thërrasë deputetët e rinj të opozitës të zënë vendet në komision për të nisur kështu zyrtarisht ndryshimet në Kodin Zgjedhor.