Aktualitet

Të njohësh totalitarizmin përmes martirëve














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 14:05 - 08/09/21 |
mapo.al

Një ekspozitë që priret të jetë një përvojë. Dhe si e tillë, e vështirë të harrohet. E krijuar nga Platforma e Kujtesës dhe Ndërgjegjes Evropiane dhe partnerët e saj, “Century of Martyrs” vjen në Shkodër falë bashkëpunimit me MEMO për t’u përjetuar më 18 shtator, ora 11.00 në Muzeun e Dëshmisë dhe Kujtesës.






Mes 27 martirëve nga e gjithë bota, të përzgjedhur për këtë ekspozitë, që nuk hoqën dorë nga shërbimi ndaj Zotit dhe njerëzve edhe kur iu kërcënohej jeta nën regjimet totalitare të shekullit XX, është edhe shqiptari Vinçenc Prennushi.


Prennushi u lind në Shkodër më 4 shtator 1885 dhe u diplomua për teologji në Salzburg ku u shugurua meshtar më 19 mars 1908. Shkroi, por edhe drejtoi për disa vite revista fetare kulturore në Shkodër dhe u shqua si publicist, poet, por edhe si përkthyes i veprave të njohura të letërsisë europiane.







Gjatë Luftës së Dytë Botërore iu kushtua ndihmës për familjet e dëmtuara nga lufta. Së bashku me famullitarin e Tiranës, Dom Shtjefën Kurti, shpëtoi shumë hebrenj nga internimi në kampet e shfarosjes naziste. Në vitin 1943 i ngarkohet edhe administrimi apostolik i Shqipërisë së Jugut dhe më 25 maj 1946, është Primat i Kishës Katolike Shqiptare, detyra që do t’i mbante deri në fund.





Vinçenc Prennushi

Më 19 maj 1947 u arrestua me një akuzë qesharake: “Në mbarim të Meshës ke bërë përshëndetjen fashiste”, i thanë. Në gjyq u akuzua për agjitacion dhe propagandë kundër regjimit, për premtimin për ndihmë “reaksionarëve”. U dënua me 20 vjet burg.

Dëshmitë e bashkëvuajtësve tregojnë për torturat që pësoi padër Vinçenci: “E kanë lidhur këmbësh e duarsh dhe ashtu është venë në nji tra, deri sa i ka rënë të fiktë”. “E ngarkonin me mbajtë trarë deri sa rrëzohej”. “Mbi te kanë ushtruar torturën e pikës së ujit” etj…

Prennushi, prej kohësh e dinte se çfarë e priste. 17 vite më parë, në vizin 1929, kur u vra At Shtjefën Gjeçovi, pat shkruar: “Nëse Hyji do prej nesh flije të reja, do të përpiqemi me ndihmen hyjnore të mos kthehemi mbrapa, kjoftë edhe me çmimin e gjakut dhe të jetës për lavdinë e Fesë së Krishtit”.

U shua më 19 mars 1949 ndërsa ishte i burgosur në Durrës. Është shpallur martir dhe i lumë nga Kisha Katolike.

Këtë titull jo të gjithë të krishterët e ekspozitës, e kanë marrë zyrtarisht. Megjithatë, që të 27-të klerikët, misionarët apo besimtarët e thjeshtë, janë martirizuar për hir të besimit, nga viti 1919 deri në vitin 1991.

Një fermer austriak në Berlin sepse refuzoi të luftonte për Hitlerin; një misionare skoceze në Aushvic sepse mbrojti nxënëset hebreje të një shkolle në Hungari; një aktiviste kineze në Shangai me plumba për të cilat qeveria i kërkoi paratë familjes së saj; dy françeskanë të rinj polakë në Peru nga një grup terroristësh komunistë…

Kjo ekspozitë me fotot dhe jetëshkrimet e 27 martirëve, është një leksion i gjallë dhe origjinal për regjimet totalitare dhe lëvizjet e frymëzuara prej tyre që përfshinë botën nga Lindja e Largët në Amerikën e Jugut, gjatë shek XX. Një leksion që, i përjetuar në këtë formë, nuk harrohet!

5


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas