Deri më tani është folur shumë për Reformën në Drejtësi. Ajo po përparon me ‘hapat e breshkës’, dhe nisur nga shpejtësia me të cilën po ecën vetingu, duket se do duhen sërish vite të tëra përpara se sistemi të bëhet plotësisht funksional. Për shkak të këtij shqetësimi, Parlamenti Gjerman e përfshiu tek kushtet për nisjen e negociatave funksionalitetin e organeve të reja të drejtësisë.
Por ekspertët druhen se drama më e madhe e këtij sistemi të ri do jetë diçka tjetër. Sipas tyre, Reforma në Drejtësi po zhduk profesionistët.
“Dy juriste të reja, këshilltare në Gjykatën Kushtetuese, nuk kaluan dot as testin për të qenë studente të Magistraturës. Por, janë propozuar të emërohen gjykatëse në Gjykatën Kushtetuese!!!! Ndërsa Kristaq Traja dhe Ledi Bianku, të dy gjykatës të Gjykatës së Strasburg, nuk i ka në refene askush. E pra të dy duhet të ishin automatikisht gjykatës të Gjykatës Kushtetuese, pa konkurs fare! Pas 9 vitesh gjykatës në Strasburg, nuk e ka luksin ky shtet ti humbasë si kontribues. Shtet leshi!” shkruan ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani në FB.
Këtë problem e ka pikasur edhe studiuesi Afrim Krasniqi. Duke folur për A2, ai thotë se të huajt nuk duan që të evidentohet shumë ky problem për shkak se Reforma në Drejtësi po merret si e mirëqenë.
“Qytetarët kanë parë njerëz që largohen nga drejtësia. Problemi është se çfarë na lanë pas: na kanë lënë një boshllëk të madh, nuk kemi sistem gjyqësor funksional. Ne kemi luftuar shumë për të larguar, por nuk kemi menduar për të futur njerëz në sistem.
Reforma është marrë si e mirëqenë, si mit, si diçka e mirë, si diçka që do ndodhë, pa hyrë në detaje dhe pa parë cilësinë. Për ta shjeguar për qytetarët: Nëse ne kemi larguar një anëtar të Gjykatës Kushtetuese, që ka pasur një problem në deklarim, por ka bërë 30 libra dhe ka bërë 500 vendime, çështja kryesore është me kë do e zëvendësojmë sot? Nuk mund ta zëvendësojmë me një individ që është sjellë mirë, i ka letrat në rregull, por nuk ka bërë punë shkencore, nuk di të bëjë vendime në Gjykatë Kushtetuese. Problemi është që ata që do hyjnë, do jenë njerëz që kanë letrat në rregull apo që janë profesionistë. Nuk kemi nevojë për njerëz me letra në rregull, por profesionistë. Sistemi aktual ka dështuar të sjellë profesionistët në krye, edhe për shkak të një frike nga linçimi politik dhe publik,” deklaroi ai.