TIRANË: Protesta e paparashikuar e banorëve të Kukësit për tarifat e Rrugës së Kombit ishte indicia e duhur e Partisë Demokratike për të filluar një aksion të ri politik.
Prej një jave, PD-ja është orientuar drejt një busulle të re politike, duke “bekuar” ata që i kanë ardhur në ndihmë edhe në mandate deputetësh, kuksianët. Demokratët i janë bashkuar me zell protestës së familjarëve të 23 të arrestuarve, që qëndruan për disa ditë para Drejtorisë së Policisë.
Ata u kacafytën edhe me policinë për hir të transparencës kur u dha masa e sigurisë për të arrestuarit. Basha dy ditë më parë takoi familjarët e të arrestuarve duke premtuar se protesta nuk do të ndalet deri sa të anulohet taksa e Rrugës së Kombit.
Përpos asaj që duket, brenda kësaj historie, Mapo.al sjell disa qëndrime jo fortluajale
të forcës më të madhe opozitare.
Së pari, qëndrimi i lëkundur ndaj koncesionarit që ka marrë përsipër mirëmbajtjen e rrugës. Në protestën e Rrugës së Kombit, fillimisht drejtuesit e lartë të PD-së të këtij qarku nuk iu bashkuan tubimit, pikërisht për shkak të një qëndrimi neutral që duhej mbajtur ndaj koncesionarit, me udhër nga qendra. Kjo u duk qartë edhe në fjalën e deputetit të Kukësit, Flamur Noka, në Kuvend një ditë para protestës.
“…PD nuk është kundër koncesionit apo koncesionarit sic përpiqet ta sajojë kryeministri këtë histori, PD është kundër tarifës që ta paguajnë qytetarët. Këtë tarifë nuk ka pse ua vënë barrë qytetarëve të varfër të Shqipërisë sepse e kanë të pamundur që ta përballojnë. Këtë tarifë duhet ta paguajë shteti dhe duhet të paguhet nga buxheti i shtetit…”, – tha Noka.
Një PD jo e bashkuar u pa edhe nga disa këshilltarë socialistë të cilët mbështetën protestën, por u kushtoi vendin e punës pas masës drastike që Rama mori për përjashtimin e tyre nga partia.
PD-ja aq shumë dyshoi në këtë protestë, sa vetë Flamur Noka e cilësoi meskine dhe tinzare tubimin që do të mbahej. “…Në mënyrë tinzare përpiqeni që të organizoni protesta atje me këshilltarët tuaj për të larë gojën sikur PS-ja nuk paska faj, po kryeministri i kujt është? Dhe t’ia organizoni protestat koncesionarit që të lani gojën.
Kujt ia bëni këto meskinitete? … PD në pushtet do t’i rimbursojë kokërr më kokërr koncesionarit të gjithë fondet e nevojshme… “, – tha Noka.
Pyetja që lind…Kur ishte e vërtetë PD-ja, para apo pas protestës?