Editorial

Të predikosh të kundërtën e asaj që bën







               Publikuar në : 14:42 - 14/05/19 |
Mapo.al

Edi Rama e ka patur shumë për zemër një shprehje të Papa Françeskut, dhe e citonte shpesh atë: Mos prediko atë që nuk je gati të bësh. Kjo thënie është vërtet frymëzuese, por nga të parat që Rama harroi me kalimin e viteve në pushtet.


Sot për shembull dha disa dëshmi, që citimi i Papa Françeskut, nuk është më as në kujtesën e tij. Ai predikoi gjëra të bukura, ndërkohë që vetë ka bërë krejt të kundërtat. Për shembull, tha se 3 mandate në një bashki të madhe, janë shumë për një kryetar. Me këtë justifikoi ikjen e Dakos. Po ja që ai vetë, pasi kishte bërë 3 mandate në bashkinë më të madhe në fakt, kërkoi të katërtin dhe luftoi shumë për të.
Pamjet se si kapërcejnë mbi tela e mbi kordonë policie Tahiri me shokë në mbrojtje të mandatit të katërt të Ramës janë të freskëta boll dhe sot pas 8 vitesh.

Kryeministri tha sot se nuk shkelen afatet kushtetuese për zgjedhjet vendore. Po ja që vetë Rama në vitin 2007, u imponua skajshmërisht për t’i shtyrë ato, me pretendimin teknik të certifikatave. Ky një tjetër predikim, ndërkohë që bën të kundërtën vetë.

Rama tha sot se manifestimet e dhunshme, dëmtojnë ekonominë dhe turizmin. Mendja të shkon kur dëgjon këtë, se folësi, predikuesi pra, vetë nuk ka bërë kurrë të tilla gjëra. Mirëpo, viti 2011 nuk i përket një epoke të largët. Rama ishte në krye të protestave mjaft të dhunshme jo vetëm para Kryeministrisë, po rrugët e vendit u bllokuan disa herë me zjarr gomash e me përplasje. Pamjet kanë qenë të frikshme.

Rama thotë se me kësi sjelljesh, po pengohet integrimi. Po ai vetë, a nuk e shtyu ca kohë të mira këtë proces duke mos miratuar 3 ligjet e famshme? A nuk vendosi ai çadrat bllokuese në bulevard kur do merrej vendimi për liberalizimin e vizave?

Pra janë disa akte të kryera që njerëzit i mbajnë mend mirë. Atëherë cila është leverdia të flasësh sot, sikur asgjë nuk ka ndodhur, ta paraqesësh veten si engjëll politik, kur bëmat flasin e dëshmojnë të kundërtën.

Opozita po, ka plot gjëra për t’u kritikuar. Një nga ato mund të jetë se përse po ndjek fatalisht një kurs si të Ramës kur rrekej të vinte në pushtet. Me siguri ka mënyra më të mira për ta bërë këtë. Mund të qortohet, pse nuk po bën sa duhet për të përfshirë në aksionin e saj, “dyshuesit”, shtresën gri. Se beteja për votën e lirë, është më e madhja, dhe nuk u përket strukturave.

Ka plot për të thënë, po predikimet e dikujt, që ka bërë për vete të kundërtat e asaj që thotë, janë me të vërtetë pjesë e marrëzisë politike, dhe të asaj se pse politikanët dhe partitë kanë humbur besimin e njerëzve.


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas