Aktualitet

Të rikthejmë madhështinë amerikane







Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:10 - 18/09/20 |
mapo.al

Joseph E. Stiglitz


Julia Jackson, nëna e Jacob Blake, një i ri me ngjyrë nga Kenosha, Uiskonsin, i cili u qëllua shtatë herë në shpinë nga policia, kishte të drejtë kur tha: “Amerika është madhështore kur ne sillemi mirë.” Për fat të keq, gjatë katër viteve të fundit, presidenti Donald Trump e ka udhëhequr Amerikën në drejtimin e kundërt.


Duket se e gjithë historia e vendit do të jetë në lojë kur Trump të përballet përsëri me votuesit më 3 nëntor. Kanë kaluar 160 vjet që kur Shtetet e Bashkuara u përpoqën të merreshin me “mëkatin e tyre fillestar”, skllavërinë afrikane. Me atë rast, presidenti Abraham Linkoln paralajmëroi se: “Një shtëpi e ndarë kundër vetvetes nuk mund të qëndrojë.” Megjithatë, nën drejtimin e Donald Trump, të gjitha ndasitë e Amerikës janë zgjeruar edhe më shumë.



Nuk është për t’u habitur që të pasurit janë bërë edhe më të pasur nën presidencën e Donald Trump, duke pasur parasysh se ai ka tendencë të gjykojë performancën e përgjithshme ekonomike në bazë të tregut të aksioneve, ku 10% e amerikanëve më të pasur zotërojnë 92% të aksioneve. Ndërsa çmimet e kapitalit neto kanë vazhduar të arrijnë lartësi të reja, e njëjta gjë ka ndodhur edhe me mospunësimin dhe papunësinë në SHBA. Rreth 30 milionë banorë të SHBA-së aktualisht jetojnë në familje pa ushqim të mjaftueshëm dhe shumica e atyre që janë në gjysmën e poshtme të shpërndarjes së të ardhurave mezi e nxjerrin muajin. Në një vend tashmë të trazuar nga thellimi i pabarazive, republikanët e Trumpit jo vetëm që kanë ulur taksat për miliarderët dhe korporatat, por gjithashtu kanë zbatuar politika që do të çojnë në taksa më të larta për shumicën dërrmuese të atyre që janë në mes.


Siç vuri në dukje Martin Luther King, Jr. Më shumë se gjysmë shekulli më parë, padrejtësia racore dhe ekonomike janë çështje të pandashme në Amerikë. Unë i pranishëm në Marshimin në Uashington 57 vjet më parë, kur King mbajti fjalimin e tij të famshëm “Unë kam një ëndërr” dhe ne kënduam “Një ditë do ta kalojmë këtë”. Në atë kohë isha një 20-vjeçar naiv dhe nuk e imagjinoja dot që ajo “një ditë” do të vononte kaq shumë, që, pas një periudhe të shkurtër progresi, drejtësia racore dhe ekonomike do të ngecte në amulli.


Megjithatë, kanë kaluar më shumë se 50 vjet që nga raporti i Komisionit Kerner mbi trazira e vitit 1967 dhe pabarazitë racore mbeten pak të reduktuara. Përfundimi përfundimtar kryesor i raportit është ende i rëndësishëm: “Kombi ynë po shkon drejt dy shoqërive, një me ngjyrë dhe një e bardhë – të ndara dhe të pabarabarta”. Ndoshta nën një presidencë të Joe Biden, vendi më në fund mund të nisë një rrugë të re.

Në ndërkohë, pandemia COVID-19 do të vazhdojë të ekspozojë dhe përkeqësojë pabarazitë ekzistuese. Koronavirusi përbën kërcënimin më të madh për ata që kanë shëndet më të dobët, të cilët janë shumë në një vend që ende nuk e njeh qasjen në kujdesin shëndetësor si një të drejtë themelore. Në fakt, numri i amerikanëve të pasiguruar është rritur me miliona nën drejtimin e Trump, pasi ra në mënyrë dramatike nën udhëheqjen e presidentit Barack Obama; dhe madje edhe para pandemisë, jetëgjatësia mesatare nën presidencën e Trump kishte rënë nën nivelin e asaj që ishte në mes të viteve 2010.

Nuk mund të kesh një ekonomi të shëndetshme pa një fuqi punëtore të shëndetshme dhe duhet ta pranojmë se një vend, shëndeti i të cilit po zbehet, ka shumë rrugë para për të bërë para se të jetë “madhështor”. Siç shkrova në janar, rekordi ekonomik i Trump ishte aspak mbresëlënës edhe para pandemisë dhe kjo ishte e parashikueshme. Në vend që të zvogëlojë deficitin tregtar të SHBA-së, lufta tregtare e ka rritur atë me më shumë se 12% në vetëm tre vjet. Gjatë së njëjtës periudhë, u krijuan më pak vende pune sesa në tri vitet e fundit të administratës Obama. Për më tepër, rritja ishte anemike dhe po tregonte shenja venitjeje pas rritjes së shkaktuar nga ulja e taksave në vitin 2017, që nuk çoi në më shumë investime, por e nxiti deficitin e buxhetit federal mbi pragun prej 1 trilion dollarësh.

Qeverisja e pamatur e Trump, e mbështetur nga republikanët e kongresit, e la vendin të papërgatitur për t’iu përgjigjur krizës së ardhshme, e cila rezultoi se ishte shumë pranë. Kur donatorët miliarderë të republikanëve dhe aleatët e tyre nëpër korporata kërkonin përfitime në vitin 2017, atëherë kishte shumë para në dispozicion. Por tani që familjet, bizneset e vogla dhe shërbimet thelbësore publike kanë shumë nevojë për ndihmë, republikanët po pretendojnë se dollapi është i zbrazur.

Për sa kohë që lufta kundër pandemisë është e ngjashme me një mobilizim në kohë lufte, SHBA-ja ka ngecur me një komandant i cili kujdeset vetëm për veten e tij, ndërsa rrezikon të gjithë të tjerët duke refuzuar shkencën dhe ekspertizën. Nuk është çudi që SHBA-ja renditet në mesin e vendeve me performancën më të keqe për sa i përket kontrollit të sëmundjes dhe menaxhimit të pasojave ekonomike. Amerikanët tani po vdesin me trefishin e normës mujore që vdisnin gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore.

Në fillim të presidencës Trump, autori Michael Lewis paralajmëroi se lufta e Trump dhe miqve të tij ndaj “shtetit administrativ” do ta linte SHBA-në totalisht të papërgatitur për goditjet që ajo do të merrte në të ardhme. Vendi tani është duke u rikuperuar nga një pandemi (e parashikueshme) dhe mbetet tërësisht në mëshirën e një krize klimatike të afërt, të krizave socio-ekonomike dhe krizave të demokracisë dhe drejtësisë racore, pa përmendur këtu ndasitë midis njerëzve që jetojnë në zonat urbane dhe rurale, ato bregdetare dhe jo bregdetare, të rinjve dhe të moshuarve.

Trump ka shënjestruar dy nga përbërësit kryesorë të madhështisë kombëtare: solidaritetin shoqëror dhe besimin e publikut. Vendet me këto karakteristika e kanë kontrolluar pandeminë dhe pasojat e saj ekonomike shumë më mirë. Si mund të pretendojë për madhështi kombëtare një vend që mbetet pas pjesës tjetër të botës në këto aspekte?

Shpresa më e madhe për Amerikën tani është Joe Biden, forca e madhe e të cilit është potenciali i tij për të ribashkuar një popull të ndarë. Edhe pse përçarjet e vendit janë rritur ndjeshëm për t’u shëruar brenda një nate, ka një të vërtetë në klishenë se “koha i shëron të gjitha plagët”.

Por shërimi nuk do të ndodhë vetë. I takon amerikanëve të përqafojnë një projekt rinovimi kombëtar. Për fat të mirë, një numër i madh të rinjsh janë të etur për t’u përballur me këtë sfidë. Amerika mund të bëhet përsëri madhështore, vetëm nëse ajo shfrytëzon entuziazmin e tyre, qëndron e bashkuar dhe vë përsëri në zbatim parimet dhe aspiratat që ka pasur prej kohësh.


Etiketa:

Pas