Aktualitet

Të rinjtë përballë modelit ‘Basha’ të zhvillimit dhe ‘Rama’ të mashtrimit














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:36 - 26/12/20 |
Mirela Karabina

Studentët dhe të rinjtë shqiptarë po përballen me modelin e deformuar të shkollimit dhe pamundësisë së punësimit.






Qeveria e Edi Ramës prej tetë vitesh i ka vendosur në udhëkryq: ose të marrin rrugën e migrimit ose të qëndrojnë të varfër dhe të dhunuar. Shifrat e largimit masiv të rinisë jashtë vendit janë në rritje. Bjerrja e trurit dhe largimi i pjesës vitale të shoqërisë nga mungesa e shpresës është gjëma që ka kapluar vendin.


Por, një model ndryshe iu ofrohet studentëve dhe të rinjve shqiptarë, një model që rikthen shpresën, një model pro-europian, modeli “Basha”. Dhe të rinjtë kanë mundësi të zgjedhin, qëndrimin apo largimin, zhvillimin apo rrënimin.





Por, si dallojnë këto dy modele?



a) Është fakt që modeli “Rama” nuk e pati prioritet arsimimin dhe punësimin për të rinjtë pasi buxheti për arsimin mbeti në nivelin 2.5-3% të PBB dhe nuk arriti premtimin, nivelin 5%, duke mbetur në vendet më të ulëta në rajon dhe Europë për investim në arsim. Ky model premtoi 300 mijë vende pune dhe jo vetëm që nuk i hapi, por largoi nga vendi 360.699 shqiptarë dhe ndër ta 140.390 të rinj. Vetëm në periudhën janar – gusht 2020, kanë kërkuar azil në vende të tjera 15. 325 të rinj të moshës 18-34 vjeç për arsye të mungesës së shkollimit të mirë dhe mungesës së tregut të punës(EUROSTAT).



Ndërsa modeli “Basha” ofron arsimim dhe punësim për të rinjtë. Dyfishimi i buxhetit të shtetit për arsimin dhe arsimit të lartë në veçanti, 75 mln dollarë për futjen e arsimit të lartë në rrugën e cilësisë dhe zhvillimit. Prioritet në programin e arsimit të lartë do të jetë kthimi i tij në një platformë të lançimit të rinisë në tregun e punës. Për të krijuar urën lidhëse midis bankave të shkollës dhe tregut të punës në çdo vit 10 mijë studentët më të mirë do të përfitojnë një stazh 1-vjeçar me një pagesë prej 300 mijë lekësh të vjetra në muaj. Ekonomia do të jetë prioriteti kryesor i këtij modeli dhe hapja e vendeve të punës do të arrihet me buxhet të rritur, me politika me vizion, me politika me vendimmarrje fiskale financiare. Nevojat e një tregu gjigant europian, me lokomotivë ekonominë gjermane, janë shembuj për t’u ndjekur për të hapur më shumë vende pune, e për më tepër të ndërlidhur në tregun europian të punës.

b) Është fakt që modeli “Rama” ndërmori reforma në arsim në kushte të pamundësisë së tyre pasi pa buxhet të shtuar nuk mund të ketë as ndryshim dhe as zhvillim. Reforma në Arsimin e Lartë me Ligjin klientelist ka futur në kolaps universitetin. Ligji, buxheti i ulët, tarifat e studimit të rritura kanë ndikuar në cilësi të ulët dhe në arsimim të kufizuar të të rinjve. Mungesë e praktikave mësimore ka sjellë aftësim jo të mjaftueshëm të nxënësve dhe studentëve. Politikat mbështetëse për nxënësit dhe studentët me rezultate të larta por dhe ato nga familje me të ardhura të pakta kanë munguar.

Ndërsa modeli “Basha” ofron një reformë reale me Ligj të Arsimit të Lartë të konsultuar dhe dyfishim të buxhetit të shtetit për arsimin e lartë. Dhe, bazuar në praktikat europiane, gjysma e fondeve do të përdoret për praktikat mësimore dhe kjo do jetë në themel të Reformës. Me një buxhet prej 38 mln dollarë do të trajtohet subvencionimi i plotë i tarifave (100%) për studentët që vijnë nga familje me të ardhura nën 640 mijë lekë në muaj apo subvencionimi i pjesshëm i tarifave universitare i studentëve që vijnë nga familje me të ardhura mbi 640 mijë lekë në muaj. Asnjë i ri, që ka vullnetin të studiojë, por nuk ka mundësi financiare, nuk do të mbetet jashtë universitetit.

c) Është fakt që modeli “Rama” nuk ka pasur asnjë politikë për punësim të mjekëve dhe të infermierëve dhe ndalim të ikjes së tyre jashtë vendit. Numri i studentëve të mjekësisë për specializime në vend është më i ulët se kuotat e parashikuara dhe kjo për arsye të largimit drejt vendeve të Europës dhe Shteteve të Bashkuara; numri i mjekëve që marrin dokumentat për t’u larguar nga vendi është i barabartë me ato që diplomohen; numri i mjekëve për banorë po bie në nivele kërcënuese, 1 mjek për 1000 banorë duke na renditur të fundit në rajon; shumë mjekë (760 e më tepër) kanë tërhequr certifikatën e sjelljes së mirë që kërkohet vetëm për jashtë vendit etj. (INSTAT, Universitetit, Urdhrit të mjekut, Shoqata “Together for life”).

Dhe sot sistemi shëndetësor është në kolaps të plotë!

Ndërsa modeli “Basha” ofron rritje pagash dhe shpërblim për mjekët dhe infermierët. Anulim koncesionesh dhe shpëtim të sistemit shëndetësor nga PPP-të korruptive. Paratë e taksave do të përdoren në shërbim shëndetësor modern për qytetarët. Pagat e mjekëve do të arrijnë 1200 euro dhe pagat e infermierëve 700 euro brenda mandatit të parë qeverisës. Financim të të gjithë hallkave të sistemit shëndetësor dhe financimit për të mbajtur mjekët e ardhshëm, studentët, në vend dhe jo për t’u kthyer në një laborator ku prodhohen mjekë dhe infermierë për Gjermaninë, për Europën, ndërkohë që shqiptarët vuajnë krizën më të rëndë shëndetësore.

d) Është fakt që modeli “Rama” nuk ndërtoi infrastrukturën digjitale për përdorimin e TIK në edukim për të kapërcyer hendekun digjital dhe aftësimin e rinisë, duke i lënë 10 vite pas edhe vendeve të rajonit. Edhe pse e trumbetoi me të madhe edukimin digjital në strategjinë e qeverisë “Axhenda dixhitale e Shqipërisë 2015-2020” dhe se do bëhej në analogji me politikat dhe prioritetet e Bashkimit Evropian, rezultoi një gënjeshtër e madhe. Në 8 vite ky model ka lënë infrastrukturën digjitale në shkolla me investimin e 2008-ës të qeverisë së mëparshme, një laborator informatik me kompjutera desktop si në shkollat e mesme dhe ato 9-vjeçare. Qeveria nuk siguroi mësimin online për nxënësit shqiptarë edhe pse janë hedhur 3.5 mln euro për klasat digjitale, të cilat nuk e ekzistojnë. Edhe në arsimin e lartë, megjithëse po aplikohet mësimi online aksesimi është i vështirë pasi kërkon më shumë investim.

Ndërsa modeli “Basha” vendos prioritet të qeverisjes investim në Teknologji dhe Informacion (TIK) si zhvillim i së ardhmes. Dhe kjo, nëpërmjet ndërtimit të infrastrukturës digjitale në shkolla, trajnim të kuadrove të fushës programuese, inxhinierëve të IT-së e të tjerë, nxitje e çdo sipërmarrje shqiptare që investon në këtë fushë që konsiderohet ekonomia e së ardhmes dhe përdorim i teknologjisë për të avancuar qeverisjen e mirë. Revolucioni i inteligjencës artificiale, i robotikës, i materialeve të ndryshme në industri do të bëhet real.
Pra, dy modele, dy qasje të ndryshme! Dhe, Edi Rama si kryeministër i tregoi rrugët rinisë duke i larguar dhunshëm jashtë vendit. Ndërsa, Lulzim Basha si ministër i Jashtëm dhe ministër i Brendshëm kontribuoi në liberalizimin e vizave për shqiptarët dhe iu hapi dyert të rinjve që të shkojnë aty ku ata dëshirojnë, ballëlartë si europianë. Ndaj, sot të rinjtë janë të lirë të zgjedhin për shkollimin, punësimin, jetën e tyre e të familjes dhe për begatinë e këtij vendi, midis modelit “Basha” të zhvillimit apo “Rama” të mashtrimit. E ardhmja europiane është në dorë të tyre.

1


Etiketa:

Pas