fbpx

Mapo Letrare

Të shkruarit, një aventurë e madhe, më e kuturisura





               Publikuar në : 20:10 - 09/11/19 |
mapo.al

Me shkrimtaren e mirënjohur Vera Bekteshi


Bashkëbisedoi Mark Simoni



***


Një jetë me travaje, patjetër që ka shanse që të kthehet në një letërsi të veçantë dhe interesante. Heminguej thotë se nuk ka vepër artistike, pa një jetë autori me subjekt artistik. A ka diçka të tillë në veprën dhe jetën tuaj?

Shpresoj që të ketë ose më saktë përpiqem që jeta ime të ketë një sens artistik në mënyrë që t’ia vlejë. Por me sa di unë ka edhe shkrimtarë të mëdhenj që kanë pasur një jetë jo aq interesante e ndoshta monotone e megjithatë kanë shkruar në sajë të talentit të tyre.

Letërsia është stil lirie thotë një estet. A e keni ndjerë dhe provuar këtë dimension të letërsisë?

Të shkruarit është një nga aventurat më të mëdha , më të kuturisura, si i thonë jugorët tanë me gjuhën e tyre aq të tingëllueshme. Ai që i hyn kësaj kuturisjeje, pa më të voglin dyshim që e ka shumë të zhvilluar ndjenjën e lirisë. Përgjithësisht artet ta japin këtë dimension, aq sa të heqin dertet e shpirtit, prandaj me sa duket Dostojevski pat thënë, “Më jepni një dhimbje tu jap një kryevepër”. – Ai po jepte kryevepra. Ne së paku të japim vepra.

Letërsia juaj është krejt e bukur, ka shumë gjendje, subjekte, imazhe, zjarmi karakteriale, që e venë në lëvizje më së miri agregatin tuaj krijues. E ndjeni këtë?

Iu falënderoj për këto fjalë mikluese dhe do doja të ishin të vërteta, port a e dini se unë përpiqem shumë për të shkruar, dhe se e konsideroj të shkruarin një gjë shumë të vështirë dhe serioze. E shoh dhe rishoh tekstin shumë herë, nuk ndodh që të më burojë si uji i pastër i kroit. Përveçse gjuha si shkencë tash për mua ka zëvendësuar ato të saktat, me të cilat u mora për shumë vite. Gjuha jonë është e bukur dhe e pasur dhe ndihem mirë që karriera ime do mbyllet duke u marrë me të.

Cilat janë dëshirat tuaja letrare për të ardhmen?

Të shkruaj libra gjithnjë e më të mirë

Në këtë bisedë, a mund të na thoni ju një gjykim mbi letërsinë e sotme shqipe, sëmundjet apo sukseset e saj?

Letërsia e sotme shqipe është pasuruar me shkrimtarë të rinj, duke i pasur ende aktivë në gjirin e saj të vjetrit, ata që shkruan në kushte aq të vështira. Ka prurje të reja shumë të mira dhe më pak të mira si në çdo fushë, por botimi i letërsisë më të mirë botërore e ka vënë padashur letërsinë e sotme shqipe në një garë të vështirë, përveçse që të shkruarit në liri është më i vështirë, sepse ti nuk vlerësohesh më për ato që ke fshehur nën rreshta, por për vlerat universale të librit.

Memuaristika a është një matricë e përhershme e veprës suaj letrare, dhe çfarë vendi zë ajo në tërësinë e saj?

Nga katër libra të shkruar prej meje, dy janë të bazuar në jetën e familjes sime, që në fakt është vetëm një libër, apo Vila me tri porta, i shkruar me ndërprerje për një periudhë më se dhjetë vjeçare. Dy të tjerët janë fiksione, dhe mendoj se janë të shkruar më mirë teknikisht se sa Vila, me dy apo tri porta qoftë, por si libër me ngjarje dhe emra realë, bëhet më i kërkuar nga publiku.

A keni ndonjë merak apo peng për ta trajtuar sot, që nuk është përfshirë në pyetësorin e përgatitur?

Pengjet apo meraket do ishte mirë ti përfshija më së shumti në ato që shkruaj, mbase jo në këtë intervistë.


Etiketa: , , , ,

Pas