Të shtëna me armë janë dëgjuar sot në një nga rrugët kryesore në Tiranë, tek “Myslym Shyri”. Policia thotë se një djalë rreth 30 vjeç ka mbetur i plagosur. Ngjarja ka ndodhur pranë një objekti në rikonstruksion, ndërsa policia ka marrë menjëherë në pyetje punëtorët e pallatit, si dhe pronarin, për sqarimin e rrethanave. Sipas gazetares së “News 24” i riu ndodhet në gjendje të rëndë në spital, pasi është qëlluar me plumb në kokë.
Personi, që mendohet se është punëtor ndërtimi, është qëlluar pranë objektit që është në rikonstruksion, një ndërtesë tre katëshe në zonën e Mylsym Shyrit. Në policinë e Tiranës por edhe në spital, nuk kanë mbërritur persona të afërm që mund të ndihmojnë në identifikimin e të plagosurit në gjendje të rëndë.
Njoftimi i policisë:
“Sot rreth orës 11:30 në rrugën “Myslym Shyri”, dyshohet të jetë qëlluar me armë zjarri një shtetas, ende i paidentifikuar, rreth 30 vjeç, pranë një objekti në rikonstruksion.
Shtetasit i është dhënë ndihma e parë dhe u transportua në spital për ndihmë të specializuar.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”.
Në foto: Vendi i ngjarjes